UNIVERSITETET/ Përfundon faza e parë e regjistrimeve, rreth 8 mijë kuota të lira

UNIVERSITETET/ Përfundon faza e parë e regjistrimeve, rreth 8 mijë kuota të lira
Të gjitha universitetet kanë përfunduar ditën e djeshme në orën 24:00, regjistrimet e studentëve të rinj pas kalimit të 7 fazave nga 48 orë. Pas datës 15 shtator, fillon sërish riaplikimi për fazën e dytë, fituesit e të cilës shpallen në 25 shtator

Sonila Isaku

Ditën e djeshme në orën 24:00, janë mbyllur regjistrimet e fazës së parë në të gjitha universitetet publike dhe ato private në vend. Nga të dhënat paraprake rezulton se, gjatë raundit të parë janë regjistruar rreth 16.500 studentë, ku 85% e tyre kanë zgjedhur universitetet publike dhe vetëm 15% universitetet private. Raundi i parë ka nisur regjistrimin që nga data 30 gusht e deri në mesnatën e 12 shtatorit, ku brenda këtij afati kanë qenë plot 7 nën raunde nga 48 orë. Sipas të dhënave rezulton se, në Universiteti ne Tiranës janë regjistruar rreth 60% e maturantëve dhe mbeten të lira rreth 1500 kuota për raundin në vazhdim. Tek Universiteti Politeknik janë ende rreth 600 kuota të paplotësuara, ndërsa në universitet e rretheve regjistrimet janë më të pakta. Programet e studimit më të kërkuara nga të rinjtë edhe këtë vit, nuk kanë ndryshuar, duke qëndruar sërish në krye Ekonomiku, Juridiku, Shkencat Sociale, Mësuesia dhe Infermieria.

Sipas të dhënave nga ministria e Arsimit rezulton se, për këtë vit janë 24.500 kuota në të gjithë vendin, çka do të thotë se kandidatët kanë sërish mundësi gjatë raundit të dytë për të përzgjedhur degët që dëshirojnë, në ato programe ku ka ende kuota atë lira.

Raundi i dytë

Aplikimi në Raundin e dytë kryhet vetëm për ato programe studimi të cilat, pas përfundimit të regjistrimeve të raundit të parë, kanë kuota të paplotësuara.

“Riaplikimet në portalin “u-Albania” mund të kryhen sërish nga maturantët në afatin kohor 15-20 shtator 2018, çka do të shënojë edhe hapjen e raundit të dytë. Ndërkohë, afishimi dhe publikimi i listave të renditjes së aplikantëve në këtë raund, do të bëhet brenda 25 shtatorit 2018 e më tej në datat 27 shtator- 6 tetor fituesit mund të regjistrohen pranë sekretarive mësimore. Edhe në raundin e dytë, maturantët kanë mundësi të çregjistrohen sërish nga programi i studimit ku u shpallën fitues, për të riaplikuar sërish në raundin e tretë në datën 7 tetor” - thuhet në udhëzimin e shpërndarë nga drejtoritë arsimore, për të gjithë ata kandidatë të cilët nuk kanë mundur të sigurojnë një të drejtë studimi.

Kush aplikon?

Por kush e ka të drejtën për të aplikuar gjatë fazës së dytë? Të drejtën për të aplikuar me formularin e raundit të dytë e kanë maturantët/kandidatët të cilët kanë plotësuar formularin A1 ose A1Z në sesionin e dytë, që nuk kishin detyrime për provimet e maturës shtetërore ose rezultojnë kalues në provimet e maturës shtetërore në sesionin e dytë, të vjeshtës.”

Po kështu, mund të aplikojnë edhe ata maturantë /kandidatë të cilët kanë plotësuar formularin A1 ose A1Z dhe rezultojnë kalues në provimet e maturës shtetërore në sesionin e parë, të muajit qershor të cilët: a-nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë për arsye të ndryshme; b-kanë aplikuar në raundin e parë, por nuk janë shpallur fitues në asnjërën prej preferencave të përzgjedhura; c-kanë aplikuar në raundin e parë dhe janë shpallur fitues në njërën nga preferencat e përzgjedhura, por nuk janë regjistruar në asnjërin prej programeve të studimit ku janë shpallur fitues ose d- janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë” - thuhet në udhëzim. Maturantët/kandidatët e kategorive të mësipërme, të cituar në pikat b, c dhe d, të cilët kanë aplikuar në raundin e parë, duhet te riaplikojnë edhe njëherë tjetër në raundin e dytë, meqenëse ky është një formular i ri aplikimi.

Kurse maturantët/kandidatët e raundit të parë të cilët rezultojnë të regjistruar pas përfundimit të raundit të parë të regjistrimeve, nuk kanë të drejtë të aplikojnë në raundin e dytë të aplikimeve. Pra, aplikimi i tyre në raundin e dytë nuk është i vlefshëm.

Risia

Sa u takon maturantëve/kandidatëve, të cilët nuk kanë aplikuar në raundin e parë me formularin e aplikimit në IAL dhe për rrjedhojë është hera e parë që përzgjedhin programet e tyre të studimit preferencialë, duhet fillimisht të ndjekin procedurat e përcaktuara në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit të cilat kanë të bëjnë me shkarkimin nga faqja zyrtare të AKP-së me adresë: www.akp.gov.al Faturën për arkëtim për plotësimin e formularit për në IAL dhe më pas ta printojnë. Më pas, duhet të paraqiten në zyrat e çdonjërit prej filialeve të bankave të nivelit të dytë, për të kryer pagesën e tarifës prej 2000 lekësh për formularin e aplikimit në IAL, Matura Shtetërore. Ky mandat pagese duhet të dorëzohet në drejtorinë e shkollës ku ka kryer aplikimin me formularin A1/A1Z, që shkolla t’i hedhë në Portalin e Maturës online, mesataren sipas VKM-së. Maturantët /kandidatët që kanë aplikuar në raundin e parë, nuk duhet të kryejnë një pagesë tjetër tarife.

Çregjistrimi

Ndërkohë sa u takon maturantëve, të cilët janë regjistruar në një degë studimi, por që nuk dëshirojnë ta ndjekin atë, gjatë ditës së sotme 13 shtator, kanë të drejtë të çregjistrohen dhe të hyjnë sërish në garë nëpërmjet formularit A3

 

Kush ka të drejtë të aplikojë në raundin e dytë:

-Të gjithë maturantët /kandidatët të cilët kanë plotësuar formularin A1 ose A1Z në sesionin e dytë, që nuk kishin detyrime për provimet e maturës shtetërore ose rezultojnë kalues në provimet e maturës shtetërore në sesionin e dytë, të vjeshtës.

-Të gjithë maturantët /kandidatët të cilët kanë plotësuar formularin A1 ose A1Z dhe rezultojnë kalues në provimet e maturës shtetërore në sesionin e parë, të muajit qershor të cilët:

  1. Nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë për arsye të ndryshme;
  2. Kanë aplikuar në raundin e parë, por nuk janë shpallur fitues në asnjërën prej preferencave të përzgjedhura;
  3. Kanë aplikuar në raundin e parë dhe janë shpallur fitues në njërën nga preferencat e përzgjedhura, por nuk janë regjistruar në asnjërin prej programeve të studimit ku janë shpallur fitues;
  4. Janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: