UDHËZIMI/ Universitetet hapin dyert më 15 tetor, procedurat e regjistrimit

UDHËZIMI/ Universitetet hapin dyert më 15 tetor, procedurat e regjistrimit
Ministria e arsimit ka publikuar së fundmi, udhëzimin për nisjen e vitit akademik në universitete. Sipas këtij udhëzimi, viti akademik për studentët do të nisë në 15 tetor 2018 dhe do të përfundojë në 30 shtator 2019. Sa u takon procedurave të regjistrimit, aktualisht kanë mbetur vetëm 2 ditë për raundin e parë dhe më pas do të jenë edhe dy raunde të tjera

Sonila Isaku

Më 15 tetor, të gjitha universitetet do të hapin dyert për studentët. Udhëzimi i ministrisë së Arsimitm ka përcaktuar se viti akademik për studentët do të nisë në 15 tetor 2018 dhe do të përfundojë në 30 shtator 2019. Sa i përket periudhës së pushimeve, ajo është përcaktuar nga data 24 dhjetor 2018 deri në 04 janar 2019, për të gjithë studentët. Sipas këtij udhëzimi, të gjitha universitetet deri në datën 15 tetor, duhet të kenë përfunduar regjistrimet e studentëve të rinj dhe më pas të dërgojnë në të gjitha ndërmarrjet “Trajtimi i Studentëve”, listat e studentëve të regjistruar, në mënyrë që këta të fundit të përfitojnë regjistrim në konvikte, sipas programeve të studimit dhe fakulteteve përkatëse.

Regjistrimet

Sa i takon regjistrimeve, aktualisht të gjitha universitet janë duke kaluar fazën ë parë të pranimit të studentëve të rinj. Kjo fazë do të mbyllet në datën 12 shtator, pas tejkalimit të 7 nënfazave 48- orëshe të regjistrimeve. Më pas, do të jetë një tjetër fazë regjistrimi për studentët. Për programet e studimit ku nuk përcaktohen kritere nga IAL-ja, me përjashtim të notës mesatare dhe numri i kandidatëve është i njëjtë apo i ulët me ato të kuotave, nuk aplikohet ndarja në faza me 48 orë dhe kandidatët kanë të drejtën të regjistrohen gjatë gjithë periudhës së regjistrimit. Për programet e studimit me kuota të paplotësuara, të cilat nuk kanë aplikantë në pritje, do të rikthehen në garë aplikantët e shpallur fitues në fazat paraardhëse, të cilët nuk janë regjistruar në programe të tjera studimi. Sa i takon procesit të çregjistrimit, aplikanti pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacionin dhe kanë shkruar në regjistër, ka të drejtë të çregjistrohet vetëm në datë 13 shtator.

Faza e dytë

Aplikimet për raundin e dytë, do të bëhen brenda një jave, nga 15­-20 shtator dhe këtu mund të garojnë ata kandidatë të cilët nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë, nuk janë shpallur fitues gjatë raundit të parë, nuk kanë arritur të regjistrohen në fazën e parë ose janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë. Këta kandidatë kanë të drejtë të aplikojnë, duke përzgjedhur 10 preferenca në vendet e mbetura bosh, në të gjitha universitetet. Detyrim për pagesën prej 2 mijë lekësh në këtë fazë e kanë vetëm ata maturantë të cilët nuk kanë aplikuar në fazën e parë.

Lista e dytë e fituesve, do të shpallet më 25 shtator. Më pas, nga datat 27 shtator deri më 6 tetor, do zhvillohet regjistrimi i fituesve me 5 faza regjistrimesh 48-orëshe, duke zhvendosur aq herë vizën e kuqe deri në plotë­simin e kuotave bosh. Fituesit që nuk u regjistruan brenda afateve, humbasin të drejtën e studimit, ndërkohë gjatë datës 26 shtator të gjithë kandidatët kanë të drejtë ankimimi në rast se nuk janë shpallur fitues. Edhe në këtë fazë, ka mundësi çregjistrimi, proces që mund të kryhet vetëm gjatë datës 7 tetor.

Faza e tretë

Ndryshe nga viti i kaluar, kur regjistrimi i kandidatëve për në universitete u bë vetëm me dy faza, këtë vit do të jetë edhe një fazë e tretë. Kështu, gjatë periudhës nga 9-13 tetor, universitetet do të vijojnë me regjistrimin e kandidatëve nëpërmjet portalit U-albania, në programet e studimit në të cilat kanë aplikuar në raundin e dytë. Të drejtën e gëzojnë vetëm ata kandidatë të cilët nuk janë regjistruar në asnjë program tjetër studimi. Në rastet kur përfundon e gjithë lista e kandidatëve që kanë aplikuar në raundin e dytë dhe mbeten kuota të paplotësuara në programet përkatëse të studimit, përzgjidhen kandidatët fitues sipas kërkesave të depozituara nga kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, pavarësisht zgjedhjeve në raundin e parë ose të dytë. Këto regjistrime kryhen nga datat 15-18 tetor.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: