UDHËZIMI/ Shkolla nis më 17 shtator, datat e provimeve dhe të pushimeve

UDHËZIMI/ Shkolla nis më 17 shtator, datat e provimeve dhe të pushimeve
Ministria e Arsimit së bashku me atë të Financave - e cila përgjigjet për arsimin profesional - kanë miratuar udhëzimin e përbashkët për nisjen e vitit të ri akademik, si dhe ngarkesën mësimore që duhet të ketë çdo klasë - nga klasa e parë deri në vitin e tretë të gjimnazit. Po kështu, përcaktohet edhe kurrikula për arsimin parashkollor

Sonila Isaku

Më 17 shtator, të gjitha shkollat e arsimit publik do të çelin dyert për nxënësit, ndërkohë që ministria e Arsimit dhe ajo e Financave kanë miratuar udhëzimin e përbashkët për ngarkesën mësimore, ditët e pushimeve dhe provimeve të të gjitha cikleve. Në këtë udhëzim janë përfshirë katër kategori të arsimit, duke filluar nga ai parashkollor, arsimi bazë, arsimi i mesëm dhe arsimi profesional.

Arsimi bazë

Për nxënësit e shkollës fillore edhe ato 9-vjeçare, mësimet fillojnë në datën 17 shtator dhe do të përfundojnë më 12 qershor. Ndërkohë, pushimet dimërore do të jenë nga data 22 dhjetor 2018 deri më 6 janar 2019. Sa i takon provimeve kombëtare të arsimit bazë, ato do të zhvillohen në periudhën nga 13 - 30 qershor 2019. Rregullorja e këtyre provimeve dhe udhëzimet përkatëse, miratohen nga ministri i arsimit. Ndërkohë, gjatë javës së fundit të muajit maj 2019, klasat e pesta do t’i nënshtrohen një tjetër provimi për matjen e njohurive të tyre bazë.

Arsimi i mesëm

Sa i takon arsimit të mesëm, udhëzimi i dy ministrive parashikon që mësimi të fillojë në datën 17 shtator dhe të përfundojë në 19 qershor 2019; kurse për maturantët përfundon në 4 qershor 2019. Sa i takon pushimeve, ato do të jenë nga data 22 dhjetor deri në 6 janar 2019. Sezoni i provimeve për maturantët do të nisë nga data 6 deri në 30 qershor 2019. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit maturantët do të kenë një provim më pak në procesin e Maturës Shtetërore, duke iu nënshtruar vetëm një provimi me zgjedhje dhe 3 me detyrim.

Gjithashtu, MASR ka përcaktuar edhe listën e lëndëve që do të jepen si provim me zgjedhje nga maturantët. Në total, maturantët do të përzgjedhin ndërmjet tetë lëndëve të miratuara e që janë: “Kimi, Fizikë, Biologji, Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji, si dhe Ekonomi”.

Në këto kushte, nga kjo listë, maturantët do të zgjedhin vetëm një lëndë për ta dhënë si provim me zgjedhje, pavarësisht faktit nëse e kanë zhvilluar në shkollë apo jo.

Arsimi profesional

Sa i takon arsimit profesional ka data të veçanta të përfundimit të shkollës, ndërsa procesi mësimor nis më 17 shtator. Kështu, në 19 qershor 2019 përfundon procesi mësimor për nxënësit e klasave të 10, për nxënësit e klasave të 12 për strukturat 2+2 dhe për nxënësit e klasave të 11-të dhe të 12-të. Ndërkohë, më 7 qershor përfundon mësimi për nxënësit e klasave të 11-ta dhe 12-ta për strukturat 2+1+1 dhe për nxënësit e klasave të 11-ta për strukturën 2+2.  Pushimet edhe për këtë kategori nxënësish, do të jenë të njëjta sikurse edhe ata të arsimit bazë dhe të mesëm. Ndërkohë, provimet përfundimtare të nivelit të I-rë dhe II-të do të zhvillohen në periudhën 10-21 qershor, niveli III-të në periudhën 29 maj-4 qershor dhe provimet e Maturës në periudhën 6-30 qershor.

Tashmë të gjitha njësitë arsimore vendore, kanë marrë udhëzimet përkatëse dhe kanë nisur përgatitjet për çeljen e vitit të ri shkollor. Përgjatë dy javëve të para të muajit shtator, do të bëhet e mundur kryerja e regjistrimeve të reja sipas cikleve përkatëse, si dhe pajisja e nxënësve me tekstet mësimore.

Arsimi parashkollor

Kurrikula e arsimit parashkollor bazohet në kornizën kurrikulare të arsimit parashkollor, në standardet e zhvillimit dhe të të nxënit për fëmijët 3-6 vjeç dhe në programet e arsimit parashkollor për çdo grup. Njësitë vendore dhe drejtuesit e kopshteve publike, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore, të ndjekin me përparësi: Regjistrimin në klasën përgatitore të fëmijëve 5 - vjeçarë që nuk kanë ndjekur më parë kopshtin; regjistrimin në kopsht të fëmijëve me nevoja të veçanta; ngritjen dhe funksionimin e komisioneve për fëmijët me aftësi të kufizuara në ato institucione ku ka fëmijë të tillë; caktimin e mësuesit ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara, në ato kopshte ku ka fëmijë të tillë, bazuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

Kurrikula e re

Për vitin e ri shkollor janë miratuar edhe tekstet e klasës së katër, nëntë dhe dymbëdhjetë, duke mbetur për vitin pasues vetëm tekstet e klasës së pestë.

Sipas autoriteteve të MASR, kurrikula e re që synon ndërtimin e kompetencave të komunikimit, logjikës, qytetarisë etj., kishte nevojë për tekste të reja që ndihmonin mësuesit dhe nxënësit për të arritur ato kompetenca. Ndaj morëm tekste nga shtëpi botuese prestigjioze si “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson”, sidomos për lëndët e shkencave.

“Me cilësinë dhe standardizimin që po realizojmë në arsimin parauniversitar, duke bërë të mundur që fëmijët shqiptarë të mësojnë me tekste si fëmijët në Europë, teksti i ri i ndërtuar mbi një kurrikul të re dhe i marrë nga “Oxford”, “Cambridge” e “Pearson”, ka çmim të ndryshëm nga teksti i vjetër i realizuar në Shqipëri, por i pakrahasueshëm në cilësi. Çmimi qëndron i pandryshuar në vitet në vijim dhe ndryshon vetëm sipas indeksimit të normës së inflacionit”, - bëjnë me dije burimet zyrtare të MASR-it.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: