Turistët e huaj na kanë zbuluar dhe nuk po ndalen, “boom” i gjermanëve

Turistët e huaj na kanë zbuluar dhe nuk po ndalen, “boom” i gjermanëve
Ata tashmë e kanë zbuluar Shqipërinë si një destinacion turistik, e mesa duket nuk po ndalen më, por po i shtojnë vizitat drejt saj. Turistët e huaj e kanë shfaqur këtë trend edhe gjatë gushtit të sivjetshëm, muajit që shënon edhe pikun e sezonit turistik. Ku “boom”-in e vërtetë mund të thuhet se e kanë shënuar pikërisht ata nga Gjermania, të cilët këtë muaj kanë patur një rritje të mbërritjeve të tyre në vendin tonë, deri në nivelin prej 82.5%.

Por në të njëjtën kohë, turistët gjermanë raportohet se kanë shënuar rritjen më të lartë të këtij treguesi edhe për 8-mujorin e këtij viti.

Siç raportojnë ekspertët e Institutit të Statistikave, bëhet fjalë respektivisht për një nivel rritës të mbërritjeve të tyre drejt vendit tonë deri në nivelin prej 37%.

“Gjermania ka shënuar rritjen më të madhe, ndër vendet e tjera për hyrjet më të larta të shtetasve të saj në Shqipëri”, sqarojnë ekspertët e INSTAT-it. Duke parakaluar në këtë mënyrë turistët nga Polonia për shembull, të cilët gjithashtu kanë shënuar nivele mjaft të larta të shtimit të tyre drejt vendit tonë, deri në 17.7% për muajin gusht, apo 27.8% për gjatë 8-mujorit. Apo edhe italianët, të cilët duket se nuk  heqin dorë nga të vizituarit e Shqipërisë, jo vetëm për qëllime pushimesh.

Gjithmonë sipas INSTAT-it, gjatë muajit gusht të sivjetshëm në Shqipëri kanë hyrë 35.5% më shumë italianë, krahasuar me gushtin e vjetshëm dhe 18.2% nëse do të merrnim për studim gjithë periudhën 8-mujore.

Ndërkaq, në tërësinë e tyre, turistët e huaj raportohet se gjatë gushtit 2018 kanë qenë 1.449.952 të tillë, ose 27% më shumë se gushti pararendës 2017. Sikundër, numri i tyre rezulton të ketë qenë i konsiderueshëm edhe për gjithë 8-mujorin e 2018-tës, rreth 4.397.638 të tillë, duke u rritur me 16.8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Por në të njëjtën kohë rezulton të jetë rritur edhe numri i të huajve që ka dalë nga Shqipëria, përkatësisht me 1.496.161 të tillë, ku krahasuar me gusht 2017, ky numër është rritur me nivelin prej 32.6%.

 

27%

Më shumë se gushti pararendës 2017, u shënua numri total i të huajve që mbërritën në Shqipëri gjatë gushtit të sivjetshëm 2018, konkretisht 1.449.952 të tillë

 

17%

Më shumë se 8-mujori pararendës 2017, u shënua numri total i të huajve që mbërritën në Shqipëri gjatë 8-mujorit të sivjetshëm 2018, konkretisht 4.397.638 të tillë

 

 

 

Anglezët nuk e preferojnë Shqipërinë, nga rajoni po na braktisin malazezët

 

Anglezët mund të thuhet se janë të huajt të cilët po e preferojnë gjithmonë e më pak Shqipërinë, të paktën sipas shifrave më të fundit që referon Instituti i Statistikave. Sipas tyre, shtetasit anglezë kanë shënuar gjatë muajit gusht një nivel rënës të hyrjeve të tyre drejt vendit tonë, që arrin shifrën deri në -25.7% dhe -13% për gjithë periudhën e 8-mujorit. Por rënia ka qenë e dukshme edhe për shtetasit nga Zvicra, të cilët gjatë muajit të pikut turistik që është gushti, kanë shënuar një rënie prej -20% të vizitave të tyre drejt Shqipërisë. Dhe nëse do të merrnim në analizë vendet e rajonit, ata që po vijnë gjithmonë e më pak në Shqipëri, duket se janë malazezët. Vetëm për gushtin, ata thuhet se kanë shënuar një rënie deri në nivelin prej -63.5% të mbërritjeve të tyre në Shqipëri dhe -11.1% për periudhën e 8-mujorit. Dhe duke mbetur te rajoni, edhe shtetasit nga Greqia numërohen të kenë qenë më të paktë në Shqipëri gjatë muajit gusht, respektivisht me një rënie të tyre në nivelin prej -12%, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, 2018.

 

Kosovarët, edhe këtë vit pushimet i preferuan në bregdetin e Shqipërisë

 

Me luhatje të vizitave të tyre gjatë vitit në Shqipëri, ata treguan se të paktën për gushtin, mbetën besnikë të vijës bregdetare të saj.

Fjala është për kosovarët, të cilët sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave, treguan një shtim të dukshëm të tyre, përgjatë këtij muaji që shënon edhe pikun e sezonit turistik në vendin tonë.

Konkretisht, sipas tyre, gjatë gushtit 2018 në vend mbërritën 669.593 kosovarë, krahasuar me 478.047 të tillë në gushtin pararendës, 2017, duke shënuar një rritje të tyre në nivelin prej 40%. Një ecuri kjo, e cila ka qenë më e ulët në fakt përgjatë periudhës së 8-mujorit, ku në vend hynë 1.581.224 kosovarë, nga 1.343.863 të tillë gjatë 8-mujorit të vitit pararendës, 2017.

Nga ana tjetër, mund të thuhet se edhe maqedonasit vazhdojnë që ta frekuentojnë vendin tonë si një destinacion pushimesh, sidomos gjatë muajit gusht, ku për këtë vit shënuan një rritje të nivelit të mbërritjeve të tyre deri në 10%, krahasuar me gushtin pararendës, 2017 dhe 11.5% për periudhën e 8-mujorit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: