“THEMBRA E AKILIT”, NË TRUPIN E AKSIONIT TË RI OPOZITAR – ANALIZË NGA ALFRED PEZA

“THEMBRA E AKILIT”, NË TRUPIN E AKSIONIT TË RI OPOZITAR – ANALIZË NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Me fillimin e sezonit të ri politik dhe parlamentar, u kuptua shpejt se, aksioni i ri i opozitës sonë, nuk është gjë tjetër veçse vijimi i filozofisë së saj të vjetër. Një aksion që bazohet tek ikja ndaj përgjegjësive dhe funksioneve të një opozite normale në një sistem demokratik, e cila ka të bëjë me përfaqësimin e popullit opozitar në Parlament dhe në ofrimin e alternativave që krijojnë besim dhe mbështetje gjithnjë e më mbarëpopullore - se nesër kur ajo të rikthehet në pushtet, do të qeverisë ndryshe dhe më mirë se shumica aktuale.

Ikja nga institucionet

Opozita jonë, me fillimin e sezonit të ri parlamentar, nuk ka marrë pjesë deri tani, në asnjë nga tri seancat plenare të zhvilluara të enjteve. "Gjetja" e saj e madhe, për të kompensuar ikjen me vetëdije nga arena kryesore e politikës në një sistem politik plural, ka qenë zhvendosja e grupeve parlamentare opozitare në të njëjtën ditë dhe orë, nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë që, shumica miraton e pa shqetësuar, të gjitha ligjet sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit, opozita jonë nga Shkodra, Elbasani dhe Vlora deri më tani, ka dhënë mesazhet e saj për shqetësimet dhe problematikat lokale.

Nga pikëpamja e taktikës politike dhe strategjia e komunikimit mediatik e publik, kjo qasje nuk është e gabuar në vetvete. Pasi, në fund të fundit, shkuarja e trupës kryesore politike të opozitës, pranë njerëzve, halleve, shqetësimeve, problemeve, komuniteteve dhe qendrave të tyre të banuara, është një hap i mirë dhe në drejtimin e duhur.

Por "Thembra e Akilit" që e sfumon dhe e shumëzon pothuajse me zero këtë hap, është fakti se deputetët e opozitës dhe lidershipi i saj, e kanë ndërmarrë këtë hap thjesht dhe vetëm për show. Për aq kohë sa takimet e tyre janë bërë në salla hotelesh luksoze të mbyllura, larg kontaktit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët. Komunikimi ka qenë vetëm me kamerat dhe thjeshtë e vetëm për kamerat, por jo me popullin opozitar.

Ikja e të zgjedhurve dhe përfaqësuesve të PD-së, LSI-së dhe partive të tjera aleate me to, nga institucioni kryesor i politikëbërjes në Shqipëri – pra, nga seancat plenare të Parlamentit - është shoqëruar edhe me ikjen e tyre nga puna dhe veprimtaria nëpër komisionet parlamentare. Nga atje ku punohet, debatohet, diskutohen dhe marrin udhë të gjitha ligjet dhe reformat me të cilat qeveriset më pas vendi.

Ikja nga vettingu në politikë

Opozita jonë në këtë sezon të ri politik e parlamentar, që përkon edhe me vitin elektoral për zgjedhjet e përgjithshme të pushteti vendor, ka ofruar deri më tani, vetëm një kauzë të re. Vetëm një aksion të ri politik. Është fjala për propozimin e një drafti të ri që synon sipas saj, realizimin e procesit të vettingut – pra, pastrimit të politikanëve dhe të të zgjedhurve të popullit në Parlament, nga kontaktet e tyre të papërshtatshme me krimin, kriminelët dhe njerëzit e inkriminuar.

Në parim dhe si ide, ky është një hap në drejtimin e duhur, po të kemi parasysh se jetojmë në një periudhë të përgjithshme vettingu. Pra, një periudhë që përkon me nisjen e pastrimit të sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, e më pas edhe nga policët dhe drejtuesit e tyre, që kanë problem me pastërtinë e figurës dhe të pasurive, të vëna përgjatë kohës që kanë ushtruar detyrat dhe funksionet publike. Projekti i paraqitur nga opozita për pastrimin e politikës, është vlerësuar përgjithësisht si një qasje joserioze dhe antisistem, nga ana e saj.

Shumica, nëpërmjet Kryeministrit Edi Rama, ka deklaruar se, meqenëse propozimi i PD-së për vettingun e politikës kërkon ndërhyrje në Kushtetutën e vendit, interpretimi i saj t’i dërgohet një institucioni që ka luajtur gjithmonë rolin e një arbitri të paanshëm në raste të tilla: Komisionit të Venecias. Gjykimi i këtij komisioni, ka qenë në të gjitha rastet e tjera, përfshi këtu edhe reformën e madhe në drejtësi, përcaktues për pajtimin e mosmarrëveshjeve mes palëve politike në Shqipëri.

Por opozita jonë deri tani, çuditërisht, nuk ka reaguar pozitivisht ndaj këtij qëndrimi. Duke dashur dukshëm këtë radhë t’i ikë gjykimit dhe dhënies së sugjerimit final nga ana e Komisionit të Venecias. Pyetja që lind pas kësaj, është: Pse?! Për aq kohë sa vetë opozita jonë dhe liderët e saj, nuk i janë përgjigjur drejtpërdrejtë e pa ekuivok kësaj pyetje, një nga arsyet ka ardhur nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëvendësndihmëssekretarja Amerikane e Shtetit, Elisabeth Millard, gjatë vizitës në Tiranë pak ditë më parë, u shpreh se çelësi për realizimin e vettingut në politikën shqiptare, është ngritja e dy institucioneve të reja kyçe të sistemit të ri të drejtësisë: SPAK-ut dhe BKH-së të cilat, pas përfundimit të vettingut ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë si objekt kryesor të punës së tyre, hetimin dhe gjykimin e veprimtarisë së politikanëve, ministrave dhe drejtuesve kryesorë të administratës, shtetit dhe pushtetit.

Pra, siç kuptohet pas kësaj, çdo propozim tjetër që del jashtë kësaj linje nëpër të cilën po shkon e ardhmja e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, është një ikje e politikës nga vettingu dhe jo e kundërta.

Opozita një ditë më pas

Pas deklaratës së zonjës Millard për mediat shqiptare, lidershipi opozitar ka nisur tërheqjen të paktën publike, nga propozimi i saj i zhurmshëm për vettingun, sipas konceptit të saj në politikë. Se çfarë do të ndodhë më tej me këtë draft, kjo pritet për tu parë në ditët në vijim.

Ajo që kuptohet deri më tani, në lidhje me aksionin opozitar në këto ditë shtatori, është fakti se ajo ka një pikë të dobët, pavarësisht nëpërmjet edhe propagandës së zhurmshme e të rafinuar të mediave pranë tyre, ajo është munduar të ambalazhohet me kujdes dhe me mbështjellëse plot shkëlqim.

Pika më e dobët ose e thënë ndryshe "Thembra e Akilit" të aksionit të ri opozitar, është udhëtimi i saj nëpërmjet dy shinave të pasigurta, që nuk e çojnë dot gjatë në udhëtimin e saj drejt destinacionit final.

E para, ky aksion po zhvillohet deri më sot, jo vetëm jashtë institucioneve, por edhe larg kontaktit dhe mbështetjes direkte nga qytetarët në përgjithësi dhe populli opozitar në veçanti.

E dyta, ky aksion përveç mungesës së mbështetjes popullore, ka edhe mungesën e mbështetjes së ndërkombëtareve. Mbi të gjitha, ka siç u pa pak më lart, refuzimin e mbështetjes së SHBA-së, e cila ka qenë dhe mbetet mbështetësja kryesore së bashku me BE-në, e reformave të thella për pastrimin e sistemit tonë, nga drejtuesit e korruptuar.

Pra, për largimin jo vetëm të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve të korruptuar e të lidhur me krimin, por nesër nëpërmjet SPAK-ut dhe BKH-së, për t’i bërë vettingun edhe politikës e të gjithë klasës së politikanëve shqiptarë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: