THAÇI MUND TË ISHTE MILLOSHEVIÇ – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

THAÇI MUND TË ISHTE MILLOSHEVIÇ – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Titulli i shkrimit nuk ka as më të voglën ngarkesë përçmimi. Por realisht, Hashim Thaçi, president i shtetit të Kosovës, po të vendosej në lëkurën e Millosheviçit (president i Jugosllavisë së fundit), do të ishte një Millosheviç. Këtej mund të mësojmë të mbyllim gojën kur biem në pozita nacionaliste idiote dhe themi se “kombi X ka nxjerrë diktatorin” Sllobodan, ose Adolf. Jo, kjo nuk është një çështje race, as etnie, as kombi. Edhe ne shqiptarët, njësoj siç kemi pasur prej racës sonë përbindësha në shtet, po kështu mund të kishim një Sllobodan, por me emrin Hashim.

Çfarë ka të përbashkët Sllobodani shqiptar me Sllobodanin serb? (Po e përsëris edhe njëherë: Nuk kam as më të voglën tendencë për përçmimin e ndonjërit prej të dyve. Si vetë Sllobodan Millosheviç do të ndjehej i terrorizuar sikur ta thërrasësh “Hashim”, ashtu edhe vetë Hashimi ndjehet keq kur e quan “Sllobodan”)... Por në fund të fundit, këtu është edhe ngjashmëria e parë mes tyre:

1.

Asnjëri nuk pranon të jetë si ai tjetri.

Edhe ditët e fundit, megjithë bashkëpunimin e ngushtë të Hashim Thaçit me presidentin e Serbisë, Vuçiç, u bënë plot tentativa për të manifestuar para publikut se “Thaçi me Vuçiç, çfarë thua? Bah! Ata janë armiq”. Por në fakt, plani i kobshëm për nisjen e krizave të thella në Ballkan pas ndryshimit të kufijve, u krye në odat e errëta ku biseduan e thurën plane dy “armiqtë”. Si Thaçi, edhe Millosheviç, ( si edhe Vuçiç) gjithnjë kanë manifestuar armiqësinë mes serbëve e shqiptarëve, si një mall për konsum me të cilin ushqehen masat, nacionalistët dhe “patriotët”. Gjatë kohëve të fundit, Hashim Thaçi ka luajtur çdo performancë për të manifestuar se “nuk do që ta shikojë me sy” Aleksandër Vuçiç, por në fakt e vërteta është tjetër gjë: Ata u bashkuan në një plan aq të madh, sa vetëm miqtë për kokë mund të bashkohen. Armiqësia mes kombeve u hidhet viktimave, që janë njerëzit e thjeshtë dhe këta ziejnë mes tyre...

Pikërisht, këtë bëri edhe Millosheviç në periudhën kur tentoi të bëhej “udhëheqës legjendar” i serbëve aty nga viti 1986 dhe pastaj e mbyti Ballkanin në gjak.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: