Tentoi të korruptojë policin, arrestohet drejtuesi i mjetit

Tentoi të korruptojë policin, arrestohet drejtuesi i mjetit
Një tjetër rast të mitëdhënies u godit sot nga uniformat blu në kryeqytet.

Policia sqaron se ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e automjetit, shtetasin Sh.K, 57 vjeç, banues në Tiranë, i cili i ofroi ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore me qëllim shmangien e masës administrative.

Ky shtetas në kryqëzimin e bulevardit “Zogu i Parë” me rrugën “Ded Gjon Luli”, ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke hyrë me mjetin e tij me të kuqe në semafor dhe gjatë momentit të ndalimit i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore së bashku me dokumentacionin një kartëmonedhë të prerjes 2000 lekë me qëllim shmangien e masës administrative.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.

/l.k./