Tensioni i ulët, cilat janë ushqimet që mund ta ekuilibrojnë

Tensioni i ulët, cilat janë ushqimet që mund ta ekuilibrojnë
Luhatja e temperaturave dhe ndryshimi i stinëve bëhen pothuajse gjithnjë favorizuese të problemeve shëndetësore, ndër të cilët është edhe tensioni i ulët. Rënia e presionit arterial mund të ndodhë te kushdo, që nga moshat shumë të reja e deri te të moshuarit mbi 65 vjeç, po kështu edhe gjatë gjendjeve të veçanta, sikurse është shtatzënia, por që pas lindjes normalizohet

Sonila Isaku

Jemi mësuar të kemi kujdes maksimal ndaj presionit të lartë të gjakut, teksa neglizhojmë presionin e ulët ose hipotensionin, i cili po ashtu mund të jetë i rrezikshëm. Edhe pse presioni i lartë i gjakut është pa dyshim më i rrezikshëm për shëndetin, është mirë që njerëzit të tregojnë kujdes edhe ndaj presionit të ulët të gjakut. Rënia e presionit arterial mund të ndodhë te kushdo, që nga moshat shumë të reja e deri te të moshuarit mbi 65 vjeç, po kështu edhe gjatë gjendjeve të veçanta, sikurse është shtatzënia, por që pas lindjes normalizohet. Dr. Anila Shahini, mjeke kardiologe, shpjegon se në shumë raste hipotensioni mund të përmirësohet pa ndonjë trajtim. Por, në qoftë se ndodh vazhdimisht, shkaku themelor duhet të hetohet nga një mjek, për të ndërhyrë dhe vendosur trajtimin e duhur, pasi sinjale që përçon trupi ynë tregojnë për një sërë problemesh shëndetësore.

Sëmundja

Të flasim për tensionin e lartë të gjakut duket se është bërë rutinë, renditet ndër sëmundjet që zënë vendin e parë në botë, por edhe në vendin tonë. Por kur flasim për tension të ulët duket disi e çuditshme, pasi shumë pak persona janë të predispozuar për tu prekur. Por si mund ta kuptojmë që kemi tension të ulët? Ndieni gjithmonë lodhje dhe jeni tepër të plogësht? Momenti më i keq është kur zgjoheni në mëngjes? Keni marrje mendje kur ngriheni, pasi keni qenë ulur? Nëse ju ndodhin të gjitha këto, ka shumë mundësi të vuani nga tensioni i ulët. Ndërrimi i stinëve dhe për pasojë luhatja e temperaturave, bëhen pothuajse gjithnjë favorizuese të problemeve shëndetësore, ndër të cilat është edhe tensioni i ulët. Ky shqetësim ndodh për shkaqe të ndryshme dhe prek kryesisht femrat dhe personat e moshuar, megjithatë nuk përjashtohen edhe të rinjtë. Por cilat janë simptomat e tensionit të ulët dhe mbi të gjitha, çfarë duhet të bëni në këto raste, përfshirë dhe ushqimet që duhet të konsumoni?

Simptomat

Simptomat që tregojnë tension të ulët mund të jenë të ndryshme: lodhje, marrje mendsh, të fikët, mungesë oreksi, shikim i turbullt etj. Këto simptoma treguese mund të shfaqen rrallë ose në mënyrë konstante dhe mund të jenë gjithashtu treguese të shqetësimeve të tjera. Megjithatë, kurdo që të shfaqen është mirë të veproni menjëherë. Ndonëse shpesh tensioni i ulët nuk është aq i rrezikshëm sa hipertensioni, mund të ketë pasojat e veta, sidomos në rastet më të rënda.

 Kurat

Kur dalloni ose matni tensionin dhe rezulton se ai është i ulët, gjëja e parë që duhet të bëni është të shtriheni, të ngrini këmbët lart dhe të sigurohuni të keni liruar veshjen ose rripin, në mënyrë që të lejoni qarkullimin e gjakut në tru dhe zemër. Në situata emergjente, si për shembull në rastin e rënies të menjëhershme të tensionit, duhet të pini një gotë me ujë me sheqer ose thjesht të vendosni një lugë me sheqer në gjuhë. Efekt të njëjtë ka edhe pirja e kakaos, kafes dhe e çajit, pasi të gjitha mundësojnë ngritjen e tensionit. Sa u takon personave që vuajnë shpesh nga tensioni i ulët, ata duhet të bëjnë kujdes kryesisht me ushqimet që konsumojnë. Ata duhet të shmangin në mënyrë të veçantë të ngrënit me sasi të mëdha. Po kështu, duhet të bëjnë shumë aktivitet fizik, por duhet të mos dalin gjatë orëve më të nxehta ose të kryejnë sforcime të tepruara. Ndonjëherë duhet të keni parasysh të bëni dush të ftohtë, pasi ai lehtëson hapjen e venave të gjakut. Gjatë banjës, këshillohet edhe përdorimi i rozmarinës.

Ushqimet

Është e nevojshme të konsumoni një sasi më të madhe të kripës, sigurisht duke mos e ekzagjeruar. Bëni kura magnezi dhe kaliumi që gjenden kryesisht tek ushqimet e sidomos te bananet. Aleatë të tjerë kundër tensionit të ulët janë gjithashtu jamballi, lëngu i panxharit, shega dhe rrushi pa fara. Në këto raste mund të vijë në ndihmë edhe kafeja, megjithatë është më mirë të mos abuzoni, ndërsa duhet të shmangni konsumimin e alkoolit. Këto janë disa sugjerime të cilat mund t’i bëni në kushte shtëpiake, por nëse vuani në mënyrë konstante nga tensioni i ulët është e këshillueshme të bëni një vizitë te mjeku specialist, i cili do të mund t’ju japë një kurë më të saktë për problemin tuaj.

Të prekurit

Në ditët e sotme dëgjon prindërit, të afërmit, miqtë ose edhe ata që nuk i njeh, të ankohen vazhdimisht për probleme me emrin e sidomos me tensionin e gjakut. Disa shqetësohen nga tensioni i ulët e disa nga tensioni i lartë i gjakut. Por gjithsesi, kjo është shumë shqetësuese. Mjekët thonë se në përgjithësi, është më mirë të kesh tension të ulët, sesa tension të lartë të gjakut. Megjithatë, një studim i ri tregon se ka një moment në të cilin është më mirë që njerëzit, të cilët pësojnë infarkt, të kenë tension të lartë dhe ky është momenti kur ata arrijnë në spital. Te të sëmurët me hipertension vendosen në zemër tuba të vegjël për të parandaluar atakun. Shumica e këtyre tubave vishen me ilaçe të ndryshme, por të dhëna të reja tregojnë se tubat e veshur me ilaçe, paraqesin mjaft rrezik për pacientin. Sipas studimeve të realizuara nga një ekip mjekësh dhe studiues të tjerë u analizuan të dhënat e rreth 50 mijë pacientëve amerikanë që kanë pësuar infarkt. Infarkti ndodh kur zemra nuk arrin të shpërndajë gjak të mjaftueshëm në të gjitha organet e tjera të trupit.

Rreziqet

Pavetëdija

Nëse një person vuan nga simptomat e cekura më sipër dhe nuk arrin të sigurojë vëmendje mjekësore, mund të humbin vetëdijen.

Dëmtim i organeve

Shumica e organeve në trup, posaçërisht truri dhe zemra, kanë nevojë për furnizim të rregullt me oksigjen. Kur ndodh tensioni i ulët i gjakut, këto organe nuk marrin oksigjen të mjaftueshëm me çka mund të dëmtohen.

 

 Simptomat e tensionit të ulët të gjakut:

Mungesë e përqendrimit;

Përzierje e barkut;

Shikim i turbulluar;

Lodhje;

Lëkurë të ftohtë dhe të zbehtë;

Frymëmarrje të shpejtë ose të cekët.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: