Televizionet, AMA rindez transmetimet analoge deri më  15 janar 2019

Televizionet, AMA rindez transmetimet analoge deri më  15 janar 2019
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka rindezur dje sinjalin analog për televizionet në zonën e Durrësit dhe Tiranës pas ndërprerjes së tij dy ditë më parë. Duke dhënë afatin e ri deri më 15 janar 2019 për sinjalin e ri dixhital. Vendim ky që u përshëndet edhe nga vetë kryeministri Edi Rama, sipas të cilit “nuk fiket sistemi i vjetër, pa siguruar akses për këdo në sistemin e ri”

 Fikja e sinjalit analog për televizionet do të ndodhë në datën 15 janar 2019 dhe jo menjëherë.

Ky ishte vendimi i fundit i komunikuar dje nga kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Gentian Sala, sipas të cilit një veprim i tillë shtyhet me katër muaj për qarkun e Durrësit dhe Tiranës.

Dje në këtë zonë të vendit janë rindezur sërish transmetimet e ndërprera analoge dy ditë më parë, pasi kaluan në dixhitale, për t’u dhënë kështu kohë qytetarëve që të pajisen me dekoderat e nevojshëm deri në datën e lartpërmendur.

Ndërkohë që do të vijojnë transmetimet dixhitale për ata që kanë blerë aparatin.

Sipas Salës, kjo nuk do të thotë rindezje e transmetimeve dixhitale të paautorizuara. Porse rindezje e transmetimeve analoge të licencuara nga AMA.

“Përpara se të vijë data 15 janar 2019, kini parasysh se dekoderi DVB-T2 kushton 2990. Ndërsa ata persona, të cilët kanë televizor të ri të tipit DVB-T2, e kanë të inkorporuar dekoderin që do të thotë se nuk kanë nevojë të blejnë një të tillë të ri”, - ka deklaruar AMA.

Sipas saj, megjithë njoftimet prej një viti, konstatohet se shumë prej qytetarëve e kanë lënë për një moment të fundit veprimin e blerjes së një dekoderi.

Ndërkaq, vendimi i Autoritetit të Mediave Audiovizive për të rindezur sinjalin e transmetimeve analoge, i cili u ndërpre pardje, u përsshëndet edhe nga vetë kryeministri i vendit, Edi Rama. Përmes një postimi të posaçëm në rrjetet sociale, ai u shpreh se zbatimi i normës europiane duhet të bëhet pasi t’i sigurohet akses kujtdo në sistemin e ri.

“Përshëndes vendimin e autoritetit të pavarur për rindezjen e sistemit të vjetër të transmetimit televiziv. Zbatimi i normës europiane është një domosdoshmëri, por nuk fiket sistemi i vjetër, pa siguruar akses për këdo në sistemin e ri”, ka komentuar Rama rreth një debati të tillë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: