TË NA RUAJË ZOTI PËRBALLË SHTETIT! - OPINION NGA SONILA MEÇO

TË NA RUAJË ZOTI PËRBALLË SHTETIT! - OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kujtesa kolektive është një rezervuar i përbashkët dijeje dhe informacioni në kujtesën e anëtarëve të një grupi social. Gjithnjë grupi ka kujtesë më të fortë se vetë individi, për shkak se secili nga ne, veç e veç, ka përvoja, formim dhe personalitet të ndryshëm. Por përpos kujtesës kolektive, funksionon edhe harresa kolektive - pafuqia e ngjarjeve, njerëzve, entiteteve për t'i rezistuar kujtesës së përbashkët. Por edhe një përpjekje e jashtme, e kujdesshme, për të ndikuar aftësinë kolektive për të kujtuar.

Sa e sa herë kemi shënjestruar aftësinë tonë për të zhvilluar një kujtesë të shëndetshme kolektive. Dhe e kapim me veten, me popullin, duke i vënë lloj-lloj epitetesh, duke u vetakuzuar, vetëgjykuar, dorëzuar edhe në shpjegime antropologjike mbi pamundësinë tonë për të nxënë nga historia. Por në fakt, vetë historia njeh edhe "pengmarrjet" kolektive, ku ushtrohet një përpjekje e jashtëzakonshme për të kultivuar harresën kolektive, nga ata që i druhen më së shumti kujtesës, kthjellimit, ndërgjegjësimit kolektiv.

Sot, neuronet tona bombardohen rregullisht dhe intensivisht nga informacione të vërteta, të pavërteta, të gatuara e servirura enkas për t'u gëlltitur pa u tretur. Ndihmuar nga një makineri propagande e sofistikuar, sidomos për të mos lejuar veprimin e logjikës individuale, kontrollit dhe analizës së informacionit dhe për rrjedhojë të shkatërrimit të aftësisë për të ndërtuar kujtesë e reagim, që mund të vendosë përpara përgjegjësisë çdo "makinist" propagande e mashtrimesh publike, në pushtet a opozitë.

Për të ndihmuar pastrimin e shpejtë nga keqinformimi e për pasojë krijimin e hapësirave të shëndetshme të kujtesës, në shtypin botëror të vendeve demokratike, funksionojnë "fact-checkers" (kontrollorët e fakteve), që kontrollojnë pohimet, që shiten publikisht si fakte nga pushtetarë e politikanë me qëllim përcaktimin e vërtetësisë dhe korrektesës së tyre.

Fact-checking kësisoj korrigjon keq perceptimet te qytetarët dhe dekurajon pushtetarë e politikanë në përpjekjen e tyre thuajse patologjike për të mashtruar, keqinformuar dhe shpëlarë trurin e popullit.

Gazeta të njohura ndërkombëtare kanë departamente të dedikuara për kryerjen e këtij procesi, duke çmontuar përpjekje presidentësh e kryeministrash në mashtrimet, shtrembërimet, deklaratat false e keqinterpretimet e fakteve.

Sikur në mediat tona ky proces të funksiononte me këmbënguljen e simotrave ndërkombëtare, do ishte ndihmuar jo vetëm diskreditimi i propagandës, por edhe kujtesa kolektive, që nuk do t'ia faturonte pushtetit gabime të së shkuarës në zgjedhje, tolerimit të së keqes më të vogël, ose dorëzimit pa kushte, pasi është degraduar si popull në kufij mbijetese, jo vetëm materiale.

Në të kundërtën, pushtetari te ne përsërit me këmbëngulje të njëjtat mashtrime sërish e sërish, ato që mbajnë me zor kauzën e tij politike. Për shembull, Washington Post me skuadrën e vet të kontrollorëve të fakteve, ka ndërtuar një database gjigant me mashtrimet e zbuluara nga Trump e paraardhës, senatorë, politikanë, duke u shndërruar në një frymëzim për më shumë se 100 organizata të ngjashme në 40 vende të botës. Themeluesi Glenn Kessler kritikohej sa nga njëra anë e politikës sa nga tjetra, por nuk rreshti derisa arriti qëllimin – dekurajimin e listimit të statistikave mashtruese, të deklaratave keqinformuese nga politikëbërësit. Dhe kur dikush i kujton se ka nga ata, që nuk dekurajohen në mashtrime, ai të përgjigjet se po e bën për historinë ndërtimin e database-it dhe publikimin e kontrollit të fakteve, për kujtesën kolektive.

Mund ta imagjinoni ç'punë kolosale do kishte skuadra e Kesslerit në Shqipëri, ku pushteti e politika çarten në deklarata, statistika e pohime plot të pavërteta, ku propaganda është në ekstazë e ku media më së shumti është departament pranë selive politike e zyrave të pushtetit.

Kujtesa kolektive e dëmtuar me breza, propaganda e instaluar si një sistem i përsosur mbikëqyrjeje dhe komunikimi në realityn Big Brother, pushteti në ndryshkje nga pa nevoja për të sublimuar veten (e bën oligarkia, krimi, militantizmi, disa ndërkombëtarë punën për të), kanë shndërruar shtetin në letër me të njëjtin patos, që bënë "lekun letër" për një grusht njerëzish, që ndajnë pasuri, territore e influencë në këtë vend.

Provat? Po ja, le të marrim vetëm zhvillimet e javëve të fundit në konsideratë.

Kryeministri i vendit, pa pyetur popull e Parlament, ka shndërruar qeverinë në entitetin suprem, që vendos edhe për refugjatët eritreas, që duhet të presë Shqipëria, duke shkelur konventa e duke kërkuar protagonizëm në një situatë dramatike mes vendeve, që mbajnë në këmbë sot projektin europian; qeveri që bën miratime ligjesh sipas dëshirës dhe kundra Kushtetutës, si ai i Teatrit Kombëtar, duke bërë me një të teshtitur grabitje të pronës publike me procedura të veçanta, të përshpejtuara; qeveri që merr vendime prokurimesh, që nuk respektojnë Kushtetutën dhe ligjet, në kushtet kur po e njëjta shumicë me zell të pa treguar e pa dëgjuar s'la në këmbë gjykatë, që t'i shqyrtojë; qeveri që bën publikime statistikash për nivelin e krimit, ku vrasjet maten me kilogramë për metër katror, duke u barabitur një vrasje për motive xhelozie me një vrasje mafioze; qeveri që bën përdorime të parasë publike pa llogaridhënie, ku vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pranon se sistemi aktual i kasave fiskale në Shqipëri, nuk funksionon; ndërsa nuk është kryer studim fizibiliteti për projektin e ri 15 milionë eurosh; qeveri që bën deklarime për shpërndarje librash "falas" në fillore, kur në fakt janë në përdorim dhe si të mos mjaftojë, na proftaset edhe shfaqja publike e deputetëve socialistë, duke shpërndarë libra kundër çdo ligji e morali, sepse këtë tagër e kanë shkollat dhe procesi është mundësuar nga paratë e taksapaguesve dhe jo departamenti i financës së PS-së.

Mund të vijojë me kontroll faktesh mbi lehtësinë tashmë të gjithë pranuar të delirit të propagandës, që nuk pyet as për ligje e as për Kushtetutë, aq më pak për moral a cipë fytyrë.

Për shembull, procesi aq i shumëpritur i Vettingut në rezymenë e rinisjes së punës, rezulton më shumë produkt i ndikimit politik, gjykimeve subjektive e standardeve të dyfishta. Po të analizosh vendimmarrjet, rezulton se procesi i është shmangur provave, ligjeve dhe standardeve të vendosura. Dhe për të bërë një kontroll faktesh, afati kohor për krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e Gjyqësorit, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Gjykatës Kushtetuese, nuk përcaktohet dot e nuk përfundon as në fund të vitit. Gjykata e Lartë njoftoi dje se, vetëm dy kandidatë kanë aplikuar  për vendin e parashikuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Pasi edhe Ambasada Amerikane u përfshi në një njoftim, që i apelonte edhe patriotizmit në deje për aplikim, vetëm dy kandidatë u paraqitën dhe ata vijnë nga i njëjti grup magjistratësh që kanë aplikuar dhe për poste të tjera. Po bëjmë reformë në drejtësi apo po kandisemi në një maskaradë se kush do kapë ndonjë post, se s'po gjejmë më njerëz?

Në kohën kur pushteti ngjiret se po bën shtet, qeveria kontrollon Parlamentin. Mjafton të kujtojmë se, qeveria çoi në Parlament dhe e detyroi këtë të fundit të miratojë një ligj me metodë prokurimi dhe kontraktimi, krejtësisht e paparashikuar dhe e pambështetur ligjërisht, si ai për Teatrin.

Instituti i Studimeve Politike, pak ditë më parë, do të mbështeste pohimin në fakte dhe analiza të argumentuara, duke dëshmuar edhe se qeveria ka çuar shumë më pak ligje në Parlament se vitin e kaluar, duke humbur pasionin reformues. Dhe se Shqipëria ka qeveri, por nuk po qeveriset, duke publikuar treguesit e produktivitetit të punës të çdo ministri.

Dhe po qëndroj në thagmat e javëve të fundit, pa shkuar më larg. Një hetim 3-mujor i Prokurorisë së Durrësit mbi procedurat e ekstradimit të Nezar Seitajt, zbuloi shkelje nga gjashtë institucione të drejtësisë. Megjithatë, procedimi penal u pushua, pasi Prokuroria arriti në përfundimin se "shkeljet nuk ishin bërë me dashje". Pra, asnjë ndëshkim për "shkelje të detyrës". Ku qëndron ky fakt në pohimin këmbëngulës se "po bëjmë shtet"?

Për t'u kontrolluar po aq edhe çdo deklaratë e opozitës. Që ditën e nisjes së sesionit të ri parlamentar, u mblodh në Shkodër, pas situatës së rëndë të rendit krijuar në kryeqendrën e veriut pas vrasjeve të fundit. Lulzim Basha u shpreh se, vendi ynë nuk mund të jetë më një fole krimi siç është sot Parlamenti shqiptar. Pra, Parlamenti shqiptar është i kriminalizuar, ai Parlament që përfaqëson të zgjedhurit e popullit, që bën ekzekutivin të përgjigjet për veprimet e tij dhe që garanton ekuilibrin e pushteteve, duke afirmuar rolin e tij si mbrojtës i interesave të popullit. Pra, çfarë na thotë kontrolli i fakteve? Që opozita nuk mundet të funksionojë më në Parlament, sepse i ka ndodhur më e keqja, që mund t'i ndodhë, kriminalizimi i Kuvendit. Që as ligji i famshëm i dekriminalizimit, nuk e shpëtoi dot. Dhe popullit sot, interesat i garantohen veç nga krimi? Dhe ç'bën opozita ende aty? Ndoshta sepse së fundmi, Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend, projektligjin për vettingun e politikanëve. Me precedentin e atij në drejtësi, duhet një operacion titanik për të garantuar efektshmërinë dhe këtu duhet makineri po aq e sofistikuar kontrolli faktesh, si ajo e propagandës së pushtetit. Dhe, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se propozimi i Bashës për Vetting në politikë, është i dështuar dhe thjesht propagandë politike. Sipas tij, kontrollin e politikanëve e garantojnë më së miri organet që do të ngrihen nga reforma në drejtësi, si BKH dhe SPAK. Rreth vicioz i një absurdi që do linte pa mend edhe Ibsenin.

E kuptoni çfarë database me fact-checking mund të krijohet vetëm me zhvillimet e javëve të fundit? Si mund të kalojë kaq lehtësisht tangent pohimit se ,"po bëjmë shtet" deklarata e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, se qeveria shqiptare ishte përpjekur përmes "qasjeve të papërshtatshme" dhe takimeve zyrtare në vitin 2014, që të siguronte një shtyrje të shqyrtimit të dhjetëra çështjeve të depozituara në Strasburg, për kthimin dhe kompensimin e pronave?

Ja pra, disa kontrolle faktesh të kohëve të fundit, mund të ndihmojnë kujtesën kolektive, por deri këtu besoj u kuptuam: përballë "shtetit që po bëhet", të na ruajë Zoti!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: