Skema e mashtrimit të "Gulf", administratori arrestohet pas 5 muajsh, gjykata e liron

Skema e mashtrimit të "Gulf", administratori arrestohet pas 5 muajsh, gjykata e liron
Në prill, pikat e karburantit të kompanisë Gulf në Shqipëri u mbyllën befas në mes të natës dhe gjithë drejtuesit e saj u zhdukën.

Me mijëra qytetarë mbetën me tollonat e karburantit në dorë, të cilat i kishin blerë, furnitorët u lanë pa paguar dhe u dëmtuan edhe bankat.

Falimenti brenda ditës u hetua si mashtrim ndërsa dëmi i shkaktuar kalonte 5 milionë euro. Disa persona u vunë nën hetim si zbatues të skemës së mashtrimit dhe kryesori ishte Albano Aliko, menaxheri kryesor.

Prokuroria dyshonte se ai me vetëdije kishte shitur tollona shumë më tepër se sa karburant kishin në gjendje. Brenda pak ditësh u grumbulluan 1.5 milionë euro. Nafta blihej nga furnitorët me 1500 lekë dhe ju shiteshin tollona klientëve me 1300 lekë.

Për muaj të tërë ideatorët e skemës së mashtrimit u zhdukën, por Top Channel ka mësuar një skandal. Pas 5 muajsh kërkimi i akuzuari kryesor, Albano Aliko, 49 vjeç është arrestuar nga sektori i krimit ekonomik në policinë e Tiranës.

Ndalimi ndodhi të hënën dhe arrestimi i 49-vjeçarit u mbajt pa u pasqyruar vetëm nga një njoftim me iniciale në faqen online të policisë së kryeqytetit.

Ndërsa dje Gjykata e Tiranës ka dhënë këtë vendim që nga arrest me burg e kthen në arrest shtëpie ndalimin e personit kryesor që mashtroi me 5 milionë euro.

Vendimi është dhënë të mërkurën nga Arben Mickaj, i cili disa muaj me kërkesë të prokurorisë kishte dhënë vendimin e arrestit me burg në mungesë, por këtë herë nuk e pa të arsyeshme ta mbante në qeli, duke caktuar masën e sigurisë arrest në shtëpi, ndonëse ndaj Alikos rëndojnë akuza që kodi penal parashikon dënime deri në 10 vjet burgim.

Skema mashtruese e ndërtuar nga drejtuesit e Gulf në Shqipëri, shkaktoi një dëm të madh shumë personave por edhe vetë shtetit./Top Channel

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: