Si e shëroi Lordin Bajron mjeku personal i Ali Pashë Tepelenës

Si e shëroi Lordin Bajron mjeku personal i Ali Pashë Tepelenës
HISTORIA/ Ndër njerëzit më të afërt të oborrit të Ali Pashës ishte edhe Llukë Vaja. Vëllai i Thanas Vajës, komandantit ushtarak të trupave të tij, ai numëronte në atë kohë tre diploma të mjekësisë evropiane: të Lajpcigut, Vjenës dhe Parisit. Por Pashai i Janinës, midis këshilltarëve të tij kishte edhe Athanas Psalidhin, mësuesin e njohur që me fitoren e Revolucionit Grek, do të bëhej edhe këshilltar i qeverisë së parë greke...

Ai quhej Llukë Vaja. Dhe përveçse një shkencëtar që kishte studiuar në Universitetin e Lajpcigut, Vjenës dhe Parisit, ai njihej edhe si mjeku personal i Ali Pashë Tepelenës. Por përmes dëshmive nga historianë të huaj, ai do të mbahet mend edhe për kurimin që i bëri Lordit Bajron të sëmurë, ditët e qëndrimit në Mesonlogji. Ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1824, për të cilën mjekët Holand e Melingen, u shprehën se “... ai nuk është vetëm mjek, por edhe një shkencëtar dhe studiues i vërtetë”. “Lordi Bajron edhe pse e kishte mjekun që e shoqëronte, kërkonte mendimin e Llukës për ekzaminimin dhe diagnostikimin e sëmundjes. Dhe thuhet, se me terapinë e rekomanduar, shërimi i Bajronit u bë më shpejt”, rrëfen studiuesi Miltiadh Muçi, lidhur me një fakt të tillë, për “Albanian Free Press”...

 

Nga Miltiadh Muçi

(Vijon nga numri i kaluar)

“Vaja” është mbiemri që e kishin disa luftëtarë të Pavarësisë së Greqisë, shumica e të cilëve janë nga veriu i saj, pikërisht nga Suli i Epirit. Këta luftuan në krah të gjeneralëve epirotë Karaskaq dhe Kiço Boçari. Pas rënies së Pashallëkut të Janinës e luftërave krah Thanas Vajas, ata patën mundësinë që të vazhdonin luftën kundër turqve, në mbështetje të Revolucionit Grek, por Thanasin, Perandoria do ta izolonte në Kostandinopojë dhe më pas e internoi në Persi. Kushdo që ka shkruar për Thanasin s’mund të mos përmendë të vëllain Llukë, që sikurse ai ka qenë jo vetëm luftëtar, por edhe arsimdashës. Në veçanti për Llukën nuk do t’i shkonte mendja askujt, se ka studiuar dhe është diplomuar në tri fakultete të mjekësisë evropiane, në Universitetin e Lajpcigut, të Vjenës dhe Parisit. Disa autorë, në veçanti të huaj, kanë shkruar për Ali Pashë Tepelenën, kur ndërkohë për bashkëpunëtorin e tij më të afërt, Thanas Vajan, është shkruar shumë herë më pak. Dhe shumë pak për vëllanë e vogël, Llukën, mjekun e zotë të Vezirit të Janinës dhe luftëtarin e Mesonlogjit, mbështetur shumë në shkrimet e autorëve grekë dhe anglezë, fare pak në historianë e shkrimtarë shqiptarë.

Aliu, gjithnjë dhe më shumë po humbiste besimin tek aftësitë e mjekut Jani Koleti, të cilin e kishte dhe këshilltar të oborrit. Prandaj vendosi të dërgojë Llukën për studime në disa universitete të Evropës, dymbëdhjetë vjet, ku arriti rezultate të larta. Njëherë, kur Lluka kish ardhur me pushime, i përkthente Ali Pashës një dorëshkrim, që bënte fjalë për Sokratin dhe Aeropagun e Athinës. Pas kthimit nga Lajpcigu në Janinë, së bashku me Metaksain, që ishte diplomuar në Paris, Saçellarin në Vjenë dhe Vangjel Meksin në Napoli, u formua konsulta mjekësore e Vezirit, që tashmë i mplakur dhe i sëmurë, kishte në oborrin e tij mjekë, që përfaqësonin shkollat më të shquara të kohës. Por më pas, pa asnjë fakt e dokument është sajuar edhe përhapur një gojëdhënë mbi largimin e Vangjel Meksit nga Aliu. Sipas saj, u deshën 4-5 vjet që të ngriheshin intrigat, siç ndodh rëndom mes mjekësh. “Doktori Llukë Vaja, nëpërmjet edhe vëllait Thanas, komandantit të famshëm e besnik tëAliut, ndërsen Vezirin kundër Vangjel Meksit, mjekut më të ri, që e nuhati kërcënimin që i kanosej dhe iku fshehurazi nga Janina”, shkruan nëbotimin “Labova e Madhe dhe labovitët”, mjeku reanimator Fedhon Meksi. Njëkohësisht, ai do të saktësojë se në të vërtetë është larguar me mirëkuptim të Aliut në drejtim Venecias, në vitin 1814, ku botoi dy librat e francezit Flëri, shqipëruar në format tekstesh për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore.

Studiuesi grek Athinagora, në “Ipiritika Selides”, të vitit 1922, shkroi se: “Thanasi ishte njëkohësisht vëllai i madh i njërit prej mjekëve personalë të Aliut”. Po kështu, në vitin 1812, anglezi Holand shkruante: “Njeriu që ka influencën më të madhe tek Aliu dhe në Pashallëk, që vendimet e tij ishin të padiskutueshme për gjithë të tjerët është Thanas Vaja, vëllai më i madh i mjekut personal të Aliut”. Duke qenë në shërbim shumë pranë Aliut, Lluka njohu Bajronin, poetin dhe lordin anglez që erdhi në Shqipëri, të qëndronte për pak kohë në Janinë dhe Tepelenë. I tërhequr nga ato bukuri mahnitëse të natyrës, që ai me shumë kënaqësi i pa, në poemën më të njohur “Çajld Harold”, i këndoi asaj bukurie dhe të vajzave shqiptare, djemve trima dhe Aliut, Pashait të rëndë të Janinës. Llukë Vaja pati fatin jo vetëm ta njohë, por dhe të tregojë aftësitë e mëdha profesionale në mjekësi, kur e kuroi Lordin Bajron, të sëmurë ditët e qëndrimit në Mesonlogji. Ai edhe pse e kishte mjekun që e shoqëronte, kërkonte mendimin e Llukës për ekzaminimin dhe diagnostikimin e sëmundjes. Thuhet, se me terapinë e rekomanduar, shërimi i Bajronit u bë më shpejt. Kjo ndodhi në vitin 1824, kur aftësitë e Llukë Vajas i njohën fare mirë dhe i vlerësuan mjekët Holand e Melingen, të cilët u shprehën “... ai nuk është vetëm mjek, por edhe një shkencëtar dhe studiues i vërtetë”.

Athanas Psalidhi, këshilltari i kulturuar i Pashait

Pashai i Janinës, midis këshilltarëve vendas e të huaj, kishte Athanas Psalidhin, mësues në gjimnazin “Zosimea”. Kujdesi dhe vëmendja e drejtpërdrejtë e Ali Pashës, bëri që vëllezërve Zosimea iu mundësua ngritja e qendrës më të njohur arsimore, në qytetin e Janinës. Psalidhis ishte burrë i kulturuar, mjaft i ditur, njohës dhe zotërues i shumë gjuhëve të huaja, këshilltar i Vezirit të Janinës për problemet politike, të arsimit dhe të kulturës. Me rënien e Pashallëkut dhe fitoren e Revolucionit Grek, Athanasi bëhet përsëri këshilltar i qeverisë së parë greke, por edhe pas saj. Me vajzën e tij u martua Llukë Vaja, kur shërbenin të dy në Oborrin e Ali Pashës. Lidhja ndoshta ndikoi që Lluka të qëndronte sa më afër miqve të Athanasit, të bashkuar në Shoqërinë “Miqësia”, ku nuk nguroi t’i jepte kontributet Aleksandër Mavrokordhës. Shoqëria “Miqësia” ishte krijuar në Odesë në vitin 1814 dhe midis themeluesve të parë ishte zejtari nga Arta, shqiptari Nikoll Skufaj. Shoqata dhe pse kishte shpallur qëllim ngritjen e shkollave të reja, mirëmbajtjen e të vjetrave, botimin e shkrimtarëve të rinj dhe të Greqisë së lashtë, dërgimin e studentëve në Evropën Perëndimore e të tjera, pikësynimet e saj i kishte kontribute për dëbim të turqve nga Greqia dhe gjithë Ballkani.

Llukë Vaja, në betejën e tretë të Mesonlogjit që shpuri në rënien e saj, ka dhënë kontribute me vlera. Në rrethimin e fundit, duke sfiduar rreziqet, urinë dhe vdekjen, u ofroi luftëtarëve shërbimet mjekësore të tij dhe luftoi me armë,edhe pse ishte shkencëtar e jo vetëm mjek, sipas vlerësimeve të kolegëve të huaj anglezë. Lluka, duke qenë trim njësoj si Thanasi, në vitin1924, në Argos bëhet pjesë e luftimeve kundër ushtrisë franceze, ku nuk kurseu as jetën ende fare të re. Për vëllanë e Thanas Vajas, mjekut lekëljot Llukë Vajën, të dy më besnikët e Ali Pashë Tepelenës, do të ishte e drejtë të shtonim. “Në rrethimin më të fundit të Mesonlogjit, Llukë Vaja, duke sfiduar edhe rreziqet, urinë e vdekjen, u ofroi luftëtarëve shërbime mjekësore të tij, por dhe luftoi me armë në dorë. Për gjithë këto shkaqe, Lluka gëzoi besimin, respektin dhe dashurinë e luftëtarëve”, shkruan Koli Xoxi.

 

PASARDHËSIT

Nga rridhte Ali Pashai? Ja trashëgimia e tij brez pas brezi...

Me historinë e Muçohysajve, veçanërisht të gjashtë brezave paraardhës të Ali Pashës, lidhet një pjesë e historisë së Leklit dhe e lekëljotëve. Fisi i Aliut nis me Nafizin, që erdhi dhe ngriti në Damës kasollen, do të pasojë me Dervishin, përkthyes i turqishtes, i martuar me një vajzë të fshatit dhe lindi Hysenin, i cili mori për grua vajzën e beut të Këlcyrës. Kështu, për herë të parë fisi i Hysajve pati mundësinë që të ndërtonte shtëpinë prej guri. Më pas do kemi gjyshin e Aliut, Myftarin, me tre djemtë, midis tyre Veliun, babanë e Aliut. Pas largimit nga shtëpia do bëhej hajdut dhe vëllezërit e përjashtojnë nga trashëgimia, por një mbrëmje hakmerret kur i vë zjarrin shtëpisë së babait dhe mes flakëve ata përpëliten deri sa të digjen plotësisht. Islami, djali i xhaxhait të Veliut dhe myteslim për Tepelenën, i dha të drejtën për të dhjetat ndaj të dy fshatrave, Leklit dhe Hormovës. Nga ky moment nisën përplasjet e para të lekëljotëve, me pinjollët e Hysajve. Lekëljotët të bashkuar me hormovitët, të pakënaqur nga veprimet e Islamit, një mbrëmje dërgojnë në Tepelenë grupin e burrave. Ata i hapën dyert e burgut e pasi hynë brenda, mundën të nxirrnin bashkëfshatarët që ndodheshin të burgosur. “Një turmë burrash nga Lekli e Hormova, pasi hynë natën në Tepelenë dhe hapën burgun, ku mbaheshin bashkëfshatarë të tyre, vunë zjarrin ndaj konakut të qeverisë, dhe e therën Islamin myteslim”, shkruan shkrimtari Sabri Godo për kundërshtitë e lekëljotëve ndaj paraardhësve të Ali Pashës, Muçohysajve. Bashkëveprimi midis lekëljotëve e hormovitëve, ka qenë i organizuar dhe pandërprerje, që shpjegohet me lidhjet e ngushta miqësore e familjare, të Vajave të Leklit e Priftajve të Hormovës, “ me prejardhje në martesën e motrës të vëllezërve Thanas e Llukë, tek Çaush Prifti, Hormova, sikurse e ka qëmtuar Perikli Ikonimi, studiuesi nga Vokopola e Beratit.

Pas vdekjes të dy djemve të Myftarit trashëgimtar i vetëm mbeti Veliu, babai iAliut , që do bëhej beu më i rëndë i Tepelenës. Me vdekjen e gruas, që i la dhe katër fëmijë, martohet me Hankon,pas një viti lindi Aliun dhe pas dy vitesh Shanishanë. Veliu si brez i Hysajve, që në rini do lidhej me lekëljotët e hormovitët. Si komandant i grupit që e kishte krijuar, bëri marrëveshje për të mbrojtur fshatrat Lekël e Hormovë nga vjedhjet e grupeve rivalë, duke marrë shpërblim sende bujqësore e blegtorale. Marrëveshja vazhdoi edhe pas vitit 1753, kur Veliu vdes, ndërsa drejtimin e shtëpisë do ta marrë Hankoja. Gjithashtu, mori përsipër të komandojë veprime të grupit të armatosur, të krijuar dhe organizuar nga burri, pra të administrojë marrëveshjet që Veliu kishte nënshkruar apo biseduar me të tjerë. Por Hankoja, për të treguar se do të ishte dorë e fortë, nisi të ndërmarrë veprime që prekën edhe më shumë interesat e banorëve të Leklit. Dyfishoi detyrimet e fshatrave, të cilët u befasuan dhe i refuzuan, por ajo kurrsesi nuk u tërhoq. Me njerëzit e saj, shpejt do të shkelë fshatrat Lekël e Hormovë, dhe nisë veprime të egra, të papritura, të papara. Të rraskapitur edhe nga punët e ditës, në momentin që njerëzit e Hankos nisën shkatërrimet në arat me prodhime bujqësore, grabitën për tekat e saj gjithë prodhimet, fshatarët u ngritën përsëri ta kundërshtojnë. Gjithë urrejtje, hakmerren ndaj saj e vajzës Shanisha. Pas ngjarjes, Hankoja mendonte vetëm të përgatiste planin për hakmarrje. Nga ajo ditë i vuri qëllim vetes edukimin e Aliut, të ishte i ashpër, i pamëshirshëm. Kur Aliu erdhi në moshë doli kaçak, bëhet tmerri i Epirit e Thesalisë. Vitet për Hankon sikur kalonin ngadalë, sepse mezi priste ditën e hakmarrjes ndaj banorëve të fshatrave Lekël e Hormovë, në veçanti ndaj parisë së tyre. “Në moshën 14 vjeç, Aliu ishte bërë i famshëm për kaçakëritë e aksionet fatmbarë. Megjithatë, pati frikë sulmin e Leklit dhe Hormovës. Duke marrë vesh këtë veprim frikacaku, Hankoja vrapoi drejt tij, dhe duke i treguar furkën i thotë: “Shko frikacak, shko rreshtohu me gratë e haremit, sepse ky zanat të shkon më për shtat, se ai i armëve”. Kështu do ta përshkruajë këtë moment Jeoan Claud Faveyrial.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: