Shumëfishohen bonuset për bebet, 400 mijë lekë për çdo lindje

Shumëfishohen bonuset për bebet, 400 mijë lekë për çdo lindje
Qeveria lëshon dorën, duke rritur ndjeshëm shpërblimin për lindjen e bebeve. Duke filluar nga data 1 janar 2019, nënat do të shpërblehen deri në 1.2 milionë lekë të vjetra, për fëmijët që do të lindin

Nga Eglantina Nasi

Ulja e ndjeshme e numrit të lindjeve si dhe plakja e popullsisë, duket se kanë qenë arsyet kryesore që kanë çuar qeverinë Rama të marrë vendimin për rritjen me disafish të pagesës së shpërblimit të bebeve. Kështu, të gjitha familjet shqiptare, duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do të marrin një bonus prej 400 mijë lekësh për fëmijën e parë të tyre, 800 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 1 milion e 200 mijë lekë, për fëmijën e tretë. Kjo është politika e re sociale, që prezantoi kryeministri Edi Rama, sipas të cilit u bë e mundur prej reformave të ndërmarra.

Nisma

Në kohën kur të dhënat zyrtare tregojnë se numri i vdekjeve në vend ka tejkaluar numrin e lindjeve dhe popullsia shqiptare po tkurret, kryeministri Edi Rama lajmëroi politikën më të re të qeverisë, të stimulimit të lindshmërisë nga 1 janari 2019. Si pasojë e reformave të suksesshme, Rama tha se bonusi për lindjen e fëmijëve do të shumëfishohet, nga 400 mijë lekë për fëmijën e parë, deri në 1 milionë e 200 mijë lekë për fëmijën e tretë.

“Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, çdo fëmijë i parë i një çifti do të marri 8-fishin e bonusit - 400 mijë lekë. Fëmija i dytë do të marri 16-fish të bonusit - 800 mijë lekë - dhe fëmija i tretë do të marrë 24-fish të bonusit - 1 milionë e 200 mijë lekë” - ka pohuar Rama.

Sipas tij, është përcaktuar bonusi edhe për ata që kanë planifikuar familje të madhe, me mbi tre fëmijë.

“Fëmija i tretë, i katërt, i pestë dhe me radhë, janë të gjithë subjekt i bonusit 1 milion e 200 mijë lekë”, - theksoi Rama.

Pra, sipas kreut të qeverisë pagesa prej 1.2 milion lekë të vjetra nuk do të kalojë, pavarësisht se familja mund të jetë më e madhe se me 3 fëmijë.

Binjakë apo trinjakë

Por si do të veprohet në rastet kur nëna lind binjakë ose trinjakë. Kreu i qeverisë i ka dhënë përgjigje edhe kësaj pyetjeje, duke deklaruar se pagesat në këto raste do të jenë më të mira.

“Në rastet kur fëmijët do të jenë binjakë, atëherë bonusi do të llogaritet sikur të dy fëmijët janë të dytë - nga 80 mijë. Po ashtu, ai sqaroi edhe rastin e trinjakëve, duke thënë se të tre do të vlerësohen si të ishin të tre fëmijët të tretë” - sqaroi kreu i qeverisë.

Si do shpërndahet bonusi

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale por edhe qeveria, janë ende duke punuar për këtë projekt, se si do të bëhet shpërndarja e parave. Sipas kreut të qeverisë deri më tani, janë dy alternativa - e para ka të bëjë me shpërndarjen e pagesës gjatë vitit të parë të lindjes. Ndërsa si alternativë e dytë është menduar që bonusi të merret me një pagesë të vetme.

“I gjithë bonusi do të jepet i shtrirë gjatë një viti. Po studiojmë dhe mundësinë për ta dhënë njëherësh" - ka pohuar kreu i qeverisë, ndërsa ka premtuar edhe rritje të rrogave në disa sektorë si shëndetësi, ushtri, etj. Sa i takon buxhetit për dhënien e këtyre parave, kreu i qeverisë nuk bëri publike se ku do të gjenden paratë, por theksoi se deri më tani reformat kanë ecur më së miri dhe kjo reformë do të vazhdojë të ndjekë të njëjtën rrugë.

 

Më 2015, ndryshimi i ligjit solli ulje të pagesës së barrëlindjes

Gratë të cilat morën lejen e lindjes pas datës 1 janar 2015, ua paguan më pak se ato që lindën deri në 31 dhjetor 2014 dhe kjo në bazë të ligjit të ri “Për sigurimet shoqërore”, që hyri në fuqi në ditën e parë të 2015-s, i cili parashikonte se marrja e pagesës së barrëlindjes do të ishte në bazë të pagesës neto dhe jo asaj bruto. Kështu, nga përllogaritjet e bëra, me ligjin e ri gratë pas lindjes marrin më pak para nga Sigurimet Shoqërore, se sa merrnin ato që lindën para vitit 2015. Konkretisht, një grua që ka pagën e deklaruar tridhjetë mijë lekë, nëse do të merrte leje lindjeje para datës 31 dhjetor 2014, do të përfitonte në 6 muajt e parë, pagesën 24 000 lekësh për leje lindjeje mujore. Ndërkohë që, nëse ajo merr leje lindjeje pas datës 1 janar 2015, përfitimi mujor në gjashtë muajt e parë të lejes së lindjes, do të jetë vetëm 21 312 lekë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: