Shtohen të ardhurat nga emigrantët, pakësohen nga investitorët

Shtohen të ardhurat nga emigrantët, pakësohen nga investitorët
Ata na mbajnë ende me pará. Ndërsa këtë vit i kanë shtuar akoma më shumë dërgesat e tyre pranë familjeve që kanë në vendin tonë. Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë, vetëm gjatë këtij viti rezulton se kanë dërguar rreth 331 milionë euro, krahasuar me 298 të tilla, një vit më parë. Apo 290 në vitin pararendës, 2016. Duke folur kështu për një trend rritës të parave nga viti në vit, që ata i sjellin në vendin e origjinës dhe që arriti pikun e tij, pikërisht në pjesën e parë të këtij viti.

Në fakt, që nga viti 2012, siç referon Banka e Shqipërisë, dërgesat e emigrantëve kanë qenë më të ulëta se ato që janë shënuar këtë vit. Për të treguar se prej 5-6 vitesh, rruga e tyre nuk ka qenë edhe aq e lehtë. Por mesa duket, një shtim i numrit të emigrantëve shqiptarë që po tentojnë të krijojnë një jetë të re jashtë vendit të tyre, po e stimulon shtimin e tyre. Vërtetuar kjo edhe me të dhënat e njëpasnjëshme që institucione të tilla si INSTAT apo Eurostat kanë dhënë vazhdimisht kohët e fundit për lëvizjen e tyre.

Sipas këtij të fundit, azilkërkuesit nga Shqipëria qëndrojnë për dy vite me radhë (2015 dhe 2016) në krye të listës, duke lënë pas edhe vende si Iraku, Maroku, Ukraina, Kosova dhe Serbia. Po sipas Eurostat-it, 1 nga 5 azilkërkues është qytetar shqiptar.

Edhe raporti i fundit i Zyrës Europiane për Azilin, publikuar pak javë më parë, tregoi se Shqipëria është midis dhjetë vendeve me më shumë kërkesa për azil në BE, 3% e totalit. “Rreth 26% e familjeve në territorin e Shqipërisë, përfitojnë dërgesa nga jashtë në formën e remitancave”, kujtojmë të ketë qenë sakaq një konstatim zyrtar i pak kohëve më parë nga ekspertë të Bankës së Shqipërisë.

Ndërsa ata të Bankës Botërore kanë pohuar se remitancat, ose siç njihen ndryshe, dërgesat e emigrantëve përfaqësojnë rreth 13% të buxhetit vjetor të familjes në Shqipëri. E thënë më thjesht, një familje shqiptare gati 1/10-tën e parave që i duhen për të jetuar gjatë një viti, i siguron pikërisht nga fëmijët që ka në tokë të huaj.

Mund të gëzohemi për lajmin e mirë se emigrantët po na sjellin më shumë parà. Por s’mund të themi se është e njëjta gjë po të llogarisim ato që na vijnë nga jashtë prej investitorëve të huaj.

Kjo është ana tjetër e medaljes që paraqitet me ato që ekspertët i cilësojnë si të ardhura që i vijnë ekonomisë së vendit nga kanale të jashtme të saj.

Konkretisht, sipas të dhënave më të fundit që referon Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte tremujorin e dytë të këtij ishin 212 milionë euro, me një rënie prej -70 milionë eurosh në krahasim me tre muajt e parë të vitit, kur ato arritën në nivelin e 282 milionë eurove.

Duke vërtetuar kështu se pragu i përfundimit të fazës ndërtimore të gazsjellësit TAP, Trans Adriatik Pipeline, ka shënuar edhe fillesës së rënies së investimeve të huaja direkte në Shqipëri.

Nga ana tjetër, të dhënat e BSH-së tregojnë se investimet e huaja ishin kryesisht të përqendruara në sektorin e energjetikës (në masën 62%), në sektorin e hidrokarbureve (me rreth 10%) dhe atë të ndërmjetësimit financiar (në masën 8%).

 

331

Milionë euro është totali i dërgesave të emigrantëve shqiotarë jashtë vendit përgjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, 2018

298

Milionë euro është totali i dërgesave të emigrantëve shqiptarë jashtë vendit përgjatë gjashtë muajve të parë vitit të kaluar, 2017

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: