“SHQIPËRIA E MADHE” NË BREG TË DETIT – REPORTAZH NGA ROLAND QAFOKU

“SHQIPËRIA E MADHE” NË BREG TË DETIT – REPORTAZH NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Vera e re në fuçinë e vjetër

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Me një zinxhir të trashë në qafë, ecje të shpenguar, me një shprehje të lumtur në fytyrë - dhe këtë e shpreh me italishten e përzier me shqipen - Ardiani është simbolika se çfarë janë dhe ç’bëjnë shqiptarët nëpër Europë dhe botë. E kemi fjalën për ata të thjeshtët, për ata që janë me shumicë dhe ata që realisht përfaqësojnë masën. Punon shofer kamioni në Milano dhe pas një viti të lodhshëm me udhëtime anë e kënd rrugëve të botës, duhet të ketë menduar se, “i do robi një palë pushime për qejf”. Ka marrë dy fëmijët, gruan dhe deti i jugut është më i miri për t’i shijuar. Ai dhe të tijtë, por edhe bota, të shikojnë dhe të flasin shqip me aksent fierak dhe gjysmë italisht me aksent milanez. Kur sillet butë, fëmijëve u flet italisht, ndërsa kur nevrikoset nga çapkënllëqet e tyre, nis përzierja. Ama, kur i hipën gjaku në tru dhe damari i shqiptar i kërcen përpjetë, fjalët janë aq të përziera dhe aq të qarta: Kërkoji falje, subitto, majmun! Është një fjali që të lë pa fjalë, kur e dëgjon. Në të ka edukatë, mirësjellje, por edhe urdhër ndaj fëmijës, për tu treguar I sjellshëm. Por ka edhe sharje që, natyrisht nuk mund të ishte në italisht. Shan të birin me fjalën majmun, që i bie se është babai i majmunit. Si Ardiani janë mijëra që kanë zgjedhur jugun për të pushuar me familjen ose jo. Ata përbëjnë grupin e parë të pushuesve të huaj.

Të dytët janë një kategori më pak e kamur se Ardiani. Klodiani është prindi i dytë që ka zgjedhur jugun shqiptar, për “t’i bërë qejfin familjes”. Shqyen sytë kur te recepsioni i thonë se, një natë është 110 euro pa llogaritur drekën dhe darkën, lëri pastaj ato gjërat e qejfit të qejfit.  Një fëmijë e merr dhe e fut në pishinë dhe gruaja rreth e rrotull merret me fëmijën tjetër. Duket familje më se e lumtur. Ja, shih e shkruaj. Burri luan pothuajse i shkrirë në lumturinë e tij, në atë copë pishinë. Nuk dihet nëse edhe në fëmijëri ka luajtur kështu, por ama si një emigrant i kthyer me pushime, po. Por një dialog i shkurtër ia shkatërron si dallga pirgun e rërës. Gruaja e cila mban prej dore fëmijën, duket se ka nevojë për të dhe i thotë: Klodi, hajde pak! Ai i kredhur në ujin e pishinës me topin në dorë, ndërpret lojën dhe e pyet: Pse të vij? Gruaja këmbëngul përsëri: Hajde pak! Përgjigja e tij është unikale: Ohuu, unë po luaj, ti më thuaj hajde pak. Kaq mjafton të kuptojmë se çfarë është dhe se çka bërë në jetë si këtej dhe sidomos matanë detit në Itali. Si Ardiani në plazh, ka shumë. Provo të bësh një guidë parcelë më parcelë, shezlong dhe “subittot” e ardhur nga matanë detit, i ke me shumicë.

Jemi në Spille. Këtu zbulojmë kategorinë e tretë të pushuesve  që vijnë po nga matanë detit, për të pushuar në “detin amë”. Vargje-vargje pushojnë plazhin. Për një moment të kujtohen vargje-vargje kur në mars 1991, anijet u mbushën plot për të ikur në Itali, ndërsa tani po ata, kthehen për pushime. Prindërit ecin me ngadalë, një ecje pothuajse si në kohen e komunizmit, kur koha ecte po aq ngadalë. Fëmijët gati fluturojnë, siç koha fluturonim në Itali. Dalin në rrugë. Një familje italo-shqiptare blen akullore. Të katërt lëpijnë plot shije kremin me qumësht lope bio, të paktën sipas tabelës në ballë të dyqanit. Të katërt hanë në rrugë, si në kohën kur e kanë lënë Shqipërinë. Ecin të kënaqur që ia kanë arritur kësaj dite. I pari si fitimtar, ecën sponsorizuesi. Ai që i dha lekët shitëses. Pas tij, ata që po i kënaqen qerasjes.  Asnjë prej këtyre në duar, nuk mbajnë libra. As ai me zinxhir floriri në qafë e as fëmijët. As sponsorizuesi dhe as lojtari i pishinës. Hanë, luajnë, lahen, por libra nuk kanë. Një deputet këtu në Spille, ankohet se djathi në restorant nuk ishte ai që kishte dashur të ishte. Bërtet dhe ulërin, sikur të ishte në seancën parlamentare të së enjtes, duke habitur emigrantët turistë, por jo ne që i njohim mirë se çfarë race e lloji janë.

Më pas, vjen grupi i katërt. Janë pushuesit shqiptarë që vijnë nga Anglia. Meqenëse vijnë pak nga larg, duken po aq më të largët. Anglishtja me të cilën mendojnë, i ka bërë më me kulturë. Fëmijët vuajnë të kalojnë nga anglishtja në shqip, por në ndihmë sërish u vijnë prindërit. Përkthyesit anglisht-shqip janë edhe ciceronë të mjedisit: “Ja Llogoraja, ja Karaburuni, ja Sazani; ja Vlora, ja deti Jon. E shikoni sa e bukur është Shqipëria!” Kur dëgjojnë këto, fëmijët më shumë kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë, se sa shqipen më të cilën ua thonë.  Janë anglo-shqiptarë. Ndoshta kanë të drejtë.

Të pestët janë amerikanët. Këta janë edhe më të largët, por çuditërisht si më të afërt. Altini betohet që në 20 vjet që jeton në Boston, ka ardhur 20 herë në Shqipëri. “Erdha, u martova me një vajzë që ma sugjeruan këtu dhe tani jetojmë në SHBA”. Ky nuk pyet fare për çmimet. Lë bakshish edhe për një faleminderit, flet me edukatë dhe zbaton çdo rregull të kompleksit. Por edhe ai ka problemin e madh: Nuk ka asnjë libër me vete. Vijojmë pak më tej. Kamerieri shfaqet në horizont në plazh. Në tabaka mban një kanoçe me lëng me gaz dhe drejtohet drejt pushuesve. Të gjithë bëhemi kureshtarë, cili mund të jetë ai apo ajo që jo vetëm pi një lëng që të shëndosh, por edhe që përton të shkojë deri te banaku ta marrë vetë. As 20 metra larg nuk është. Ja dhe ankthi mbaroi. Një grua që peshon 1 kuintal, merr kanoçen, e hap dhe me një frymë e rrufit. Është emigrante në SHBA, natyrisht ajo nuk mund të ketë komshi Angelina Jolie, që ta ketë këshilluar se ç’duhet të pijë dhe të hajë, por së paku në SHBA të ketë mësuar se pesha 100 kg nuk mund të pranojë pije me gaz. Edhe pse mbipeshë, burri i saj duket balerinë përpara saj.

Emigrantët shqiptarë të Gjermanisë. Janë kritikë, por vetëm sillen mirë. Janë fjalë pak, por nuk bëjnë naze. Flasin më shumë gjermanisht se sa shqip dhe duket se për vete mendojnë se, kështu janë piktoreskë.  Megjithatë, tipologjia e gjermanit korrekt ka zënë më shumë te ky grup që është i pesti. Shqiptarët që jetojnë atje, duhet ta kenë mësuar mirë shprehjen vendase se, atdheu është si shëndeti, kur e humb ia di vlerën.

Grupi i shtatë janë kosovarët. Nga Gjilani, Peja e Prishtina, për ta Durrësi sikur ka humbur shkëlqimin për tu shpërngulur aty në verë. Teuta është doktoreshë në Prishtinë dhe bashkë me burrin dhe fëmijët, po shijon bregdetin e Vlorës. “Boll më në Durrës! Vlora është më e mirë!” - thotë. Fjalët “hajgare, këqyr, qysh, bre apo don me din”, bëhen menjëherë pjesë normale e një kryqëzimi kulturor brenda një kulture të vetme. Kënaqesh kur dëgjon edhe fëmijët që, për të kuptuar vendalinjtë, u duhet të pyesin mamin dhe babin për të kuptuar.

Të tetët janë shqiptarët e Maqedonisë. Më të shpenguar, më të adaptuar me situatën, ata duken gjithnjë në lëvizje. Një ditë këtu, një ditë atje. Duan ta shijojnë atdheun mëmë me të gjitha. Habia jonë është gjuha e kulluar shqipe. Të bëjnë habi sa qartë dhe pastër flasin disa! Mendojmë se duhet të jetojnë afër Manastirit, aty kur më 1908 u ngjiz alfabeti ynë. Dhe aty shqipja është aq e pastër, sa duket sikur rrjedh direkt nga burimi!

Të nëntët janë turistët e mamit dhe të babit. Edhe ata fëmijë emigrantësh që lëvizin nëpër Europë, por edhe më gjerë. Herë në Itali, herë në Gjermani e herë në Holandë. Ata vijnë, sjellin ca dhurata, fshehurazi mamit dhe babit i fusin ca lekë në xhep. Rrinë disa ditë. Përqafojnë e puthim këdo që takojnë. Disa marrin edhe shtëpi me qira, se kështu ka dalë moda dhe ikin me lot dhe mërzi njëkohësisht. I merr malli kur ishin rehat në Shqipëri, nuk bënin asnjë punë, nuk kishin asnjë lek, por ishin të lumtur.

Të gjithë pushues, të gjithë emigrantë dhe të gjithë shqiptarë. Të gjithë plotësojnë shifrën 1.5 milionëshe, që kanë ardhur në gusht në Shqipëri. Por kjo shifër nuk ka shumë vlerë, kur e mendon se çfarë janë, nga vijnë dhe përse vijnë. Janë pjesë e turizmit të veçantë në botë, por në një farë mënyre, janë ata që plotësojnë kombin tonë. Vetëm në gusht, Shqipëria bëhet Shqipëria e madhe, pikërisht prej tyre.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: