SHPËRBLIMI I VONUAR SI SHPËRBLIM I MUNGUAR - EDITORIAL NGA EDISON KURANI

SHPËRBLIMI I VONUAR SI SHPËRBLIM I MUNGUAR - EDITORIAL NGA EDISON KURANI
Nga Edison Kurani

Një ndër parimet më të përhapura në demokraci është “drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar”.

Shumë njerëz përballen me kalvare gjykatash për vite të tëra dhe ndërsa kohët kalojnë, ata kuptojnë se jeta  tyre ka evoluar pa atë që prisnin dhe iu është katandisur hera-herës, si mos më keq.

E ngjashme, por jo në përmasa të tilla, është dhe dhënia e shpërblimeve de jure dhe mosmarrja e tyre në kohë, de facto.

Afro 18 vjet më parë, kryetari i atëhershëm i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, solli risinë e shpërblimit 5 mijë lekë për çdo fëmijë të lindur në kryeqytet. Disa vite më vonë, qeveria “Berisha”, vazhdoi risinë, duke e shtrirë shpërblimin e njëjtë në të gjithë vendin, me kusht që çdo fëmijë i lindur, të regjistrohej brenda 2 javësh.

Ky plan ishte sa populist, aq edhe nxitës për të stimuluar sidomos familjet rome, që të regjistronin të vegjlit e lindur, përballë dukurisë shumëvjeçare të fëmijëve të paregjistruar që në lindje.

Të dyja këto dy vendime, u përballën me një kalvar të gjatë mungese parash.

Shumëkush e di se për të marrë atë pesëmijë lekësh, janë dashur vite të tëra dhe plot të tjerë nuk e kanë marrë kurrë.

Edhe shefi i qeverisë, e pranoi dje kur tha se gjeti një borxh 5 milionë dollarësh për bebet që nuk kishin marrë çekun që u takonte.

Duke premtuar tetëfishim deri 24-fishim të vlerës aktuale të shpërblimit për bebet që vijnë në jetë, Rama pranoi edhe se bonusi i cili ishte vetëm 50 mijë lekë të vjetra për bebe as “dhe ai nuk jepej, sepse qeveria ishte e zhytur në borxhe”, duke iu referuar sigurisht paraardhësit të tij.

Tani, njerëzit presin jo vetëm shumën e re, 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytën dhe 120 mijë për të tretën, por edhe kur do ta kenë në duart e tyre këtë sasi parash, që është goxha më e madhe se ajo që aplikohet deri tani.

Por si dhe kur do të jepet shpërblimi që Rama po miklon prindërit shqiptarë që sjellin në jetë fëmijë?

Gazeta “Albanian Free Press” u përpoq të kuptojë komunikimin që Kryeministri Edi Rama pati dje në platformat e tij sociale për politikat e reja për fëmijët e porsalindur.

Rama ishte kontradiktor për afatet e shpërndarjes.

Fillimisht ai tha se “çdo bebe që lind në maternitetet e Republikës së Shqipërisë do të regjistrohet aty e do të marrë menjëherë çekun për mirëseardhjen në jetë në bashkësinë tonë, si një ndihmë e drejtpërdrejtë për familjet”.

I ngacmuar më pas nga reagime të ndjekësve në Facebook, Rama rrëzoi variantin e parë, kur tha se “ne jemi në diskutime për mënyrën se si do të ndërtohet mekanizmi i dhënies së këtij bonusi të ri të bebes”.

Ai tha se si formulë më të mirë sheh dhënien me këste përgjatë një viti si një financim shtesë për familjet, duke theksuar se edhe kjo është në diskutim e sipër. Duke pohuar kështu se çeku që tha se do jepet që në maternitet, do të jetë i pavlefshëm për një afat ende të paqartë.

Në një reagim tjetër më pas, Rama tha se “bonusi do të jepet qysh në vitin e parë të lindjes, i gjithi”.

Se si do të shkojë kjo histori, mbetet të presim nga 1 janari, për të parë se kur do të kenë në duar paratë e premtuara, prindërit e fëmijëve të porsalindur. Nisma është e mirë dhe nxitëse, në kushtet kur raportet shtetërore dhe ndërkombëtare alarmojnë vazhdimisht për lindshmëri gjithnjë në ulje në Shqipëri. Por nuk duhet harruar edhe se një shpërblim i vonuar është edhe ai i munguar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: