Shiu skocez “mbyt” ambiciet e Shqipërisë

Shiu skocez “mbyt” ambiciet e Shqipërisë
Kuqezinjtë zhgënjejnë dhe lëshojnë kreun e grupit në Ligën e Kombeve, pas humbjes dëshpëruese 2-0 me skocezët

Aranit Muraçi

Në stadiumin e Glasgow, “Hampden Park”, Shqipëria pësoi humbjen e parë në Ligën e Kombeve, duke zhgënjyer sidomos në lojë përballë Skocisë. E ndihmuar edhe nga shiu Skocia sikur mbyti ambiciet dhe euforinë kuqezi, teksa Shqipëria e lëshoi kreun e grupit tre ditë pas fitores 1-0 kundër Izraelit, ndonëse e ndan tani atë me pikë të barabarta me skocezët. Por ndryshe nga Kombëtarja shqiptare, skocezët kanë zhvilluar vetëm një ndeshje, ashtu si edhe izraelitët deri tani.

Trajneri Christian Panucci ndryshe nga takimi i parë me Izraelin la në stol dy mesfushorët që u dalluan, Migjen Basha e Jahmir Hyka. Hyka mbajti shiritin e kapitenit ndaj Izraelit, ndërsa kundër skocezëve shiriti iu besua mbrojtësit Elseid Hysaj. Pas Ezgon Binakut, për kuqezinjtë debutuan në një ndeshje zyrtare me Shqipërinë Lilaj e Ndoj. Ndryshimet trajneri i motivoi për një mbrojtje më të fortë ndaj skocezëve. Shqipëria pas fitores ndaj Izraelit do të mjaftohej qoftë edhe me një barazim në Glasgoë, për të mbajtur kreun e grupit. Skocia nga ana tjetër ndodhej nën presion rezultatesh, sidomos pas humbjes 4-0 në miqësoren e fundit me Belgjikën, sidomos trajneri i saj, Alex McLeish.

Ndeshja nisi vrullshëm nga vendasit, të cilët bënë presion në 20 minutat e para duke rrezikuar portën e Strakoshës në dy tre raste të pastra. Në njërin rast shtylla shpëtoi Shqipërinë nga pësimi i golit, ndërsa me kalimin e minutave kuqezinjtë rritën nivelin e lojës dhe krijuan rastet e para. Pati edhe një gol, por i konsideruar në pozicion jashtë loje në fund të pjesës së parë nga gjyqtari slloven. Pjesa e dytë nis me gol për skocezët. Pas një krosi nga e majta, Naismith i shpëton mbrojtjes kuqezi dhe Xhimshiti në dyluftim me të me kokë e dërgon topin në portën  e portierit Strakosha. Pozicioni i sulmuesit skocez ishte i dyshimtë, megjithatë goli u konsiderua i rregullt. Balaj pati mundësinë më të mirë për të barazuar pas një topi të gabuar të kthyer pas nga skocezët, por dalja e portierit nuk i jep mundësi sulmuesit të vetëm kuqezi për të gjetur rrugën e rrjetës. Skocia në mesin e pjesës së dytë gjen golin e sigurisë, me Naismith që përfiton nga një dalje e pasigurt e Strakoshës, duke mbyllur praktikisht ndeshjen në favorin e saj. Nga tre ndërrimet e Panucci-t vlen të përmendet ai i Mihaj në fund, që do të thotë se lojtarit në fjalë i shuhet dilema për të luajtur me Greqinë.

 

Skoci-Shqipëri 2-0

Shënues: Xhimshiti 48’ (atg), Naismith 68’

Skocia: A. MekGregor, Tierni, Mulgreu, Sutar, Robertson, MekDonald (Armstrong 46’), O’Donel, MekGregor (McTominay 79’),  MekXhin, Neismith, Rusell (Griffiths 70’). Trajner: Aleks MekLish

Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Veseli (Mihaj 90’), Gjimshiti, Binaku, Lilaj, xhaka, Memushaj, Gavazaj (Prenga 46’), Ndoj (Manaj 66’), Balaj. Trajner: Christian Panucci

Gjyqtar: Matej Jug (Slloveni)

Kartonë të verdhë: Souttar, Mcdonalds/Prenga, Ndoj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: