Shifrat shqetësuese në vite: Popullsia në rënie, lindjet më të pakta

Shifrat shqetësuese në vite: Popullsia në rënie, lindjet më të pakta
Popullsia shqiptare vetëm po pakësohet. Dhe një ndikim të dukshëm për këtë, veç largimit të popullatës jashtë vendit, po japin edhe lindjet gjithmonë e më të pakta në numër. Ky është një shqetësim që institucionet vendase, madje dhe ato të huaja, e kanë vënë në dukje në mënyrë të vazhdueshme. Kështu, në raportin e tij të fundit “Shqipëria në shifra”, Instituti i Statistikave ka pohuar se, nga viti në vit, po lindin gjithmonë e më pak shqiptarë, çka ka bërë që shtesa natyrore si e tillë, sivjet të ketë arritur një nivel deri -70%, krahasuar me vjet.

“Numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2018, rezulton 5.592, duke shënuar rënie prej -25.3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2017”, - pohon INSTAT.

Sipas tij, shtesa kap një shifër aktuale prej rreth 1.67 fëmijësh për çdo grua, ndërsa mesatarja për lindshmërinë në Europë, është rreth 1.52 fëmijë për çdo grua. Ndërsa përmend edhe rajone, si ai i Gjirokastrës për shembull, ku lindshmëria po arrin nivele dramatike, deri në shifra negative si -42.3%.

“Vlera më e ulët është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 56 numrin e lindjeve”, - saktësuan ekspertët e INSTAT-it, lidhur me këtë dukuri mjaft shqetësuese për demografinë e popullatës.

“Popullsia banuese shqiptare ka pësuar rënie me nivelin prej -8.8% që nga censusi i mëparshëm në vitin 2001 dhe madje me nivelin prej -12% që nga censusi i vitit 1989”, - kujtojmë sakaq të jetë cituar në dokumentin e Censusit të vitit 2011, për popullsinë shqiptare në tërësinë e saj.

“Reduktimi i përmasave të familjes ka vazhduar në dekadën e fundit ndërmjet censuseve, deri në 3.9 pjesëtarë mesatarisht. Ky reduktim mund t’i atribuohet rënies së lindshmërisë, por edhe reduktimit të familjeve të përbëra me më shumë se një bërthamë familjare”, - saktësojnë ekspertët.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: