Sëmundjet kardiovaskulare, si të kujdesemi për një zemër të shëndetshme

Sëmundjet kardiovaskulare, si të kujdesemi për një zemër të shëndetshme
Muaji shtator është “muaji i zemrës” për vetë faktin se, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 27 shtatorin si Ditën Botërore të Zemrës. Ndaj edhe mjekët kardiologë në këtë muaj, japin një sërë këshillash për të sëmurët kronikë, por edhe për ata persona të cilët janë të predispozuar për të pasur sëmundje kardiovaskulare

Sonila Isaku  

Sëmundje kardiovaskulare quhen sëmundjet që prekin zemrën dhe enët e gjakut. Mjekja kardiologe, Daniela Teferiçi, tregon faktorët e riskut si dhe sëmundjet e tjera kronike ose veset që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës. Sipas saj, diagnoza që zë peshën kryesore sa i takon sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, është sëmundja artereosklerotike. Kjo sëmundje prek enët e gjakut që ushqejnë zemrën, të cilat quhen arterie koronare; enët e gjakut që ushqejnë trurin dhe enët e gjakut periferike që ndodhen kudo në trup. Sëmundje të tjera që bëjnë pjesë në këtë grup, janë:

Sëmundjet që prekin muskulin e zemrës dhe që çojnë në dobësim të forcës së tij; pra. në insuficiencën kardiake ose thënë ndryshe, pamjaftueshmëri e zemrës.

Sëmundjet valvulare janë patologjitë që prekin valvulat e zemrës. Këto sëmundje mund të jenë të lindura ose të fituara. Sëmundje të fituara kanë si shkak kryesor sëmundjen reumatizmale që mund të ketë kaluar një njeri në fëmijëri ose adoleshencë dhe që manifestohet në moshë të rritur me sëmundje valvulare të zemrës.

Aritmia mund të jetë funksionale, që nuk lind në kushtet e dëmtimeve strukturore kardiake ose më serioze për jetën siç janë ato valvulare; të muskulit të zemrës ose e arterieve koronare.

Insulti cerebral që mund të jetë me natyrë ishemike, i cili ndodh kur një tromb bllokon enën e gjakut që ushqen një zonë të caktuar të trurit ose me natyrë hemorragjike kur kemi çarje të enës së gjakut. Zakonisht insulti me natyrë hemorragjike, shkaktohet nga hipertensioni arterial.

Faktorët

Sëmundjet kardiovaskulare mund të parandalohen duke pasur në menaxhim faktorët e rrezikut që i stimulojnë ato. Faktorët e rrezikut për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare, janë të ndryshëm. Ata kategorizohen në faktorë të pamodifikueshëm dhe në faktorë të modifikueshëm. Te faktorët e pamodifikueshëm bëjnë pjesë: mosha - ku meshkujt mbi 45 vjeç dhe femrat mbi 55 vjeç - kanë rrezik për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare; seksi - meshkujt janë më të rrezikuar se femrat për të zhvilluar sëmundje artereoskleroike, pra të enëve të gjakut. Te femrat, ky rrezik shtohet me fillimin e menopauzës; trashëgimia - personat që kanë në pemën familjare një mashkull që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 55 vjeç ose një femër që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 65 vjeç, quhen që kanë trashëgimi për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.

 

Faktorë ndikues

Diabeti - personat diabetikë janë dyfish më të rrezikuar për të zhvilluar sëmundje artereosklerotike të enëve të gjakut kundrejt jodiabetikëve. Kemi dy tipe, diabeti tip I që zakonisht është me origjinë virale; pra, kemi të bëjmë me shkatërrim të qelizave të pankreasit që prodhojnë insulinën dhe nuk prodhohet më insulinë dhe diabeti tip II, që mund të shfaqet nga mbipesha, mungesa e aktiviteti fizik, nga mënyra e ushqyerjes me shumë kalori, tek të cilët prodhohet insulinë, por ajo nuk vepron në qeliza.

Hipertensioni - Te një person me shifra të larta të tensionit arterial, enët e gjakut janë në një presion më të lartë i cili çon në prishje të shtresës së brendshme të enëve të gjakut, që quhet endotel dhe prishja e tij çon në formimin e pllakës artereosklerotike, deri në mbyllje nga trombi.

Dislipidemitë - Yndyrat përfshijnë kolesterolin dhe trigliceridet. Dy komponentët kryesorë të kolesterolit janë: LDL kolesteroli që është komponenti i dëmshëm si dhe komponenti i mirë i quajtur HDL kolesterol, ku ky i fundit pastron gjakun nga sasia e tepërt e kolesterolit. Personat që kanë një profil të dëmshëm lipidik, kanë rritje të koleserolit të keq dhe ulje të kolesterolit të mirë.

Duhanpirja - Kjo është pjesë e stilit të jetesës dhe është një nga armiqtë kryesor të enëve të gjakut. Me ndërprerjen e duhanit, ka mundësi që të zhduken edhe efektet e tij të dëmshme. Nuk është kurrë vonë për të ndaluar duhanin. Është shumë e rëndësishme për të mos zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, pasi vazhdimi i pirjes së duhanit pas diagnostikimit me sëmundje të zemrës mund të konsiderohet “vetëvrasës”.

Mënyra e të ushqyerit - Shumë e rëndësishme është ushqyerja me një dietë të shëndetshme; konsumimi i vajit të ullirit, frutave dhe perimeve dhe konsumimi i kontrolluar i yndyrave shtazore.

Aktiviteti fizik - Ne futemi te popujt sedentarë, që nuk kryejnë aktivitet fizik. Pra, hamë keq dhe nuk lëvizim. Duhet të bëhet aktivitet fizik i moderuar deri në të fuqishëm, të paktën 2 orë e 30 min/javë. Nëse aktiviteti që zhvillohet është aerobik i fuqishëm, mjafton edhe 1 orë e gjysmë/javë. Kush nuk ka kohë për aktivitet ushtrimor, mund edhe vetëm të ecë deri në 30 minuta/ditë. Aktiviteti fizik luan një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e kolesterolit të mirë në organizëm.

Stresi - Nuk është një faktor i mirëfilltë rreziku, por ai nxit shfaqjen e sëmundjes artereosklerotike. Stresi nxit shpërthimin e hormoneve - katekolaminave, të cilat janë vazo ngushtuese dhe bëjnë ngushtimin e enëve të gjakut të zemrës, të cilat nëse janë edhe të shtresëzuara nga pllakat arterosklerotike, mund të çojnë në mbylljen totale të enës së gjakut, duke shkaktuar infarktin.

Preklampsia - Që është hipertensioni gjatë shtatzënisë. Preklamsia shfaqet në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe është një faktor i ri rreziku. Është parë që këto femra kanë probabilitet më të lartë të zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare në të ardhmen, kundrejt femrave që nuk kanë patur preklampsi.

 

Simptomat

Ndër simptomat kryesore të shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare, është dhimbja e kraharorit. Kjo dhimbje mund të shfaqet kur ngjit një malore, shkallët ose kur ekspozohesh ndaj një klime të ftohtë. Dhimbja shfaqet në kraharor, në formë shtrënguese dhe mund të përhapet në nofullën e poshtme, në shpinë, ose në krahun e majtë. Këto dhimbje kanë shumë mundësi që të kenë të bëjnë me ngushtim të enëve të gjakut dhe shfaqen më shumë te meshkujt. Te femrat, simptomat shfaqen më ndryshe. Ato nuk përjetojnë dhimbje kraharori por marrje fryme. Te një grua aktive, një marrje e menjëhershme e frymës, një lodhje e theksuar mund të jetë shfaqje e sëmundjes së arterieve koronare. Ndërkohë diabetikët dhe moshat e mëdha nuk i kanë të shprehura këto simptoma, ata mund të përjetojmë një jo rehati të lehtë në kraharor, por jo shenja specifike. Personat te të cilët shfaqen këto shenja duhet menjëherë të konsultohen me mjekun e tyre dhe të kryejnë ekzaminimet e nevojshme për të diagnostikuar problemin e tyre.

Këshilla

Kush është i shëndetshëm duhet të tregojë shumë kujdes për të parandaluar zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Për këtë është e rëndësishme kryerja e analizave në mënyrë periodike. Tensioni duhet matur minimalisht një herë në vit, që rreth moshës 20 vjeç. Një herë në tre vjet, duke filluar po në moshë të re duhet vlerësuar profile lipidik, pra yndyrat. Këto kontrolle janë shumë të rëndësishme pasi ka situata të trashëguara dhe duke bërë këto kontrolle të vazhdueshme arrihet të diagnostikohet në kohë dhe të parandalohet përkeqësimi i këtyre faktorëve dhe shfaqja e sëmundjeve të zemrës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: