RRUGA E KOMBIT/ Fillon sot pagesa e tarifave të reja, sa do të jetë ulja për “përdoruesit e shpeshtë”

RRUGA E KOMBIT/ Fillon sot pagesa e tarifave të reja, sa do të jetë ulja për “përdoruesit e shpeshtë”
Por a do të pritet zbatimi i këtij vendimi të ri me protesta? Kujtojmë se kjo tarifë u anulua pas protestave të dhunshme të ndodhura pak muaj më parë, në sportelet e ngritura për pagesën e saj

Duke nisur që nga dita e sotme, çdo qytetar i cili do kalojë në Rrugën e Kombit do të paguajë një tarifë të caktuar. Kjo sipas vendimit më të fundit të qeverisë, i cili përcaktonte pikërisht datën 17 shtator për një veprim të tillë. Sipas tij, përdoruesit e shpeshtë të kësaj rruge do të përfitojnë zbritje dhe ata janë saktësisht këto kategori:

  1. Automjetet e banorëve të qarkut Kukës. Për to, pagesa do të jetë nga 50-100 lekë me TVSH, për jo më shumë se 44 kalime në muaj.
  2. Autobusët nga dhe për në qarkun e Kukësit. Tarifa e rrugës për ta do jetë 100 lekë me TVSH për 1 kalim.
  3. Përdoruesit e shpeshtë të autostradës Milot-Morinë, që do pajisen me OBU.

Kurse lidhur me kategorinë “Përdorues të shpeshtë”, pa dallim mjeti, ulja e tarifës do bëhet për numër kalimesh. Konkretisht, nga 20-30 kalime në muaj, ky lloj përdoruesi do të përfitojë një zbritje në masën 10%; mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, do të përfitojë një zbritje prej 20%; deri në 60 kalime në muaj, zbritje në masën 30%; mbi 60 kalime në muaj, zbritje në masën 40%.

Ndërkaq, për mbledhjen e kësaj takse, qeveria ka vendosur në ndihmë të koncesionarit edhe policinë. Dhe për të shmangur vonesat gjatë pagesës, janë bërë gati dhjetë sportele.

Sakaq për banorët e Kukësit ka dy korsi të dedikuara, 1 dhe 10, e para nga dalja e Kukësit drejt Tiranës dhe e dyta në kthim. Teksa do të përdoret edhe një skemë zbritjeje për përdoruesit e shpeshtë, të cilët do të pajisen me “Digital Pass”.

Në sportel do të behet verifikimi i targës dhe banorët lokalë do të përfitojnë tarifën e reduktuar prej vetëm 100 lekësh, me TVSH. Por çdo mjet që i korrespondon qarkut të Kukësit, targat e të cilave janë futur në sistem, dhe çdo banor do të verifikohet përpara se të paguajë tarifën e reduktuar.

Gjithashtu, për të eliminuar kostot për banorët, pjesë e skemës janë edhe 11 linja të transportit interurban që janë lincencuar në qarkun verilindor.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: