Rritet pagesa për invalidët dhe kujdestarët e tyre, rritje edhe për të verbrit

Rritet pagesa për invalidët dhe kujdestarët e tyre, rritje edhe për të verbrit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka miratuar një rritje të masës së përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe kujdestarët e tyre. Pagesa për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë bëhet 10.540 lekë në muaj, nga 10.330 lekë. Ndërsa për kujdestarët, masa e përfitimit shkon në 11.070 lekë në muaj, nga 10.850 lekë.

Sakaq, rritet edhe masa e përfitimit për individët që kanë statusin e të verbrit. Pagesa e re bëhet 11.965 lekë, nga 11.500 lekë. Në këtë mënyrë duket se bëhet fjalë për një indeksim të kësaj pagese në bazë të inflacionit të çmimeve, se sa një rritje reale.

Kjo politikë ndjek indeksimin e pensioneve të pleqërisë të bërë më herët gjatë vitit.

Indeksimi prek edhe masën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar e të ndihmësit personal, sipas kategorive të ndryshme.

Pagesa e re në bazë të këtij vendimi hyn në fuqi që nga 1 shtatori i këtij viti, ndërkohë që efektet financiare që rrjedhin do të përballohen nga fondet e akorduara për ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: