Rrëmbimi i autobusit në Qafë-Krrabë, pse u vra negociatori pas pengmarrësit?

Rrëmbimi i autobusit në Qafë-Krrabë, pse u vra negociatori pas pengmarrësit?
INTERVISTA/ Vijon rrëfimi i ekspertit të kriminalistikës, Miltiadh Muçi: “ Po përdoren mënyra e mjete të sofistikuara të krimit. Nuk janë vetëm armët e zjarrit, por mjafton një sasi lënde eksplozivi dhe realizohet krimi, vrasja apo dëmtimi i pronës së personit, fenomen ky që po përhapet jo rastësisht

“Mund të themi se ka situatë alarmante të krimit”. Një problematikë të tillë ngre në rrëfimin e tij të radhës për “Albanian Free Press”, Miltiadh Muçi, ekspert i njohur i kriminalistikës, teksa flet në tërësi për punën e policisë si e tillë. Kjo, pasi sipas tij, në një kohë të shkurtër po ndodhin disa krime shumë të rënda dhe ka kohë që kriminelët po veprojnë në mënyrat më të sofistikuara. “Ata janë të mirëorganizuar dhe përpiqen ta vështirësojnë shumë punën e policisë”, citon ai. Më tej, ai përmend edhe ngjarjen e shumë viteve më parë, kur një emigrant u vra teksa mori peng një autobus të linjës së Selanikut,duke ngritur ndaj policisë pyetjen se mirë ai, por negociatori i pengmarrjes pse u vra?

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Cilat janë disa mënyra të sofistikuara që po përdor sot krimi?

Po përdoren mënyra dhe mjete të sofistikuara të krimit. Nuk janë vetëm armët e zjarrit, por mjafton një sasi lënde eksplozivi dhe realizohet krimi, vrasja apo dëmtimi i pronës së personit, fenomen ky që po përhapet jo rastësisht. Në të ardhmen, këto do ndodhin shpesh, për dy arsye. Së pari, përdorimi i tyre e vështirëson shumë zbulimin e autorit, sikurse në ngjarjet me zjarr, ku shkatërrohet gjithçka, pra dhe gjurmët e krimit. Prandaj, kërkohet punë sensibilizuese me qytetarët, për momentin e ruajtjes së vendit të ngjarjes, por më pas nga personat që hetojnë këto ngjarje, të jenë sa më të kualifikuar. Së dyti, sepse tashmë nuk bëhet më fjalë për lëndët eksplozive që përdoren në fushën e ndërtimit, minierat, etj., por më të sofistikuara, që përdoren nga persona të kualifikuar, të instruktuar, sidomos për masën, vendin ku do të vendosen, momentin e shpërthimit. Pra, nuk mund të përdoren nga kushdo. Sigurisht që kërkohen disa njohuri për vendosjen e tyre, edhe nëse personi nuk i ka, do të instruktohet për t’i përdorur. Bile, sikur thuhet herë pas here për ngjarjet e vrasjeve me armë zjarri, që mund të jetë kryer nga autorë me pagesë, personat që i përgatisin dhe përdorin lëndët eksplozive janë dhe më të preferuarit. Në mes të korrikut ’09, kemi dy ngjarje të rënda, në shpërthimin e një makine në Tiranë që për fat s’pati viktima dhe në makinën ku mbeti i vrarë Aleksandër Keka, kryetari i Partisë Demokristiane për Malësinë e Madhe. Kam parasysh nga mediat, pak ditë para tyre ka ndodhur një tjetër rast, në qytetin e Fierit, në oborrin e banesës së dy të moshuarve ku u hodh lëndë eksplozive. Por edhe pse kanë ndodhur ngjarje të tilla, me përjashtim të një rasti, nuk kemi dëgjuar të jenë zbuluar autorët. Moszbulimi i tyre vjen për mosorganizim të mirë, të luftës parandaluese apo zbuluese të personave përgjegjës, punonjës të policisë. Thuhet nga punonjës të rendit se problemet, përgjithësisht sillen nga jashtë vendit. Atëherë, si ka mundësi të hyjnë dhe autorët mos të kapen në pikat ku kalojnë? Të themi se këto mjete kanë kaluar nëpër disa shtete, nuk dimë të jetë vërtetuar. Por kemi dëgjuar se kohë më parë u godit grupi në Shkodër, të cilëve iu sekuestrua lënda eksplozive e përgatitur në shtetin fqinj të Malit të Zi. Për çdo lloj ngjarjeje, duhet ajo që thamë më parë për rritjen e kontrollit kufitar dhe fjala nuk është thjesht në pikën e hyrjes apo të daljes, asaj të doganës, por në gjithë territorin e kufirit të gjelbër dhe ujor. Po kështu, kërkohen rregulla të rrepta administrimi, në vendin e prodhimit dhe objektet ku përdorimi i tyre është i domosdoshëm.

 

Si është situata e aplikimit të sistemeve automatike bashkëkohore në kriminalistikën tonë?

Në fundin e vitit 2002, në Institutin e Policisë Shkencore u instalua dhe filloi nga puna sistemi AFIS-APIS papilon, për skanimin dhe informatizimin e kartelave të personave të daktiloskopuar në masën 30%, me të cilat u bënë dhe provat e para, me gjurmët e ngjarjeve më të vjetra të pazbuluara. Rezultatet erdhën menjëherë, ku u zbuluan jo pak autorë të veprave penale, që kishin lënë gjurmët e duarve në vendin e ngjarjes. Efektet e saj rriten më shumë me shtimin e kartelave të daktiloskopisë. Identifikimi i parë i këtij sistemi ishte rasti i muajit mars të vitit 2003, të autorit të një vrasjeje të ndodhur disa vite më parë në qytetin e Durrësit. Sistemi është prodhim i vitit 2001e ka si qëllim parësor të përcaktojë “ngjashmërinë” në mënyrë automatike, të gjurmëve të vendit të ngjarjes me shenjat e gishtave e pëllëmbëve të duarve në kartotekë. Gjithashtu, në veprimtarinë e Kriminalistikës së Policisë Shkencore, ka më shumë se një dekadë që në sektorin e balistikës, u bë i mundur sistemi automatik elektronik, “Arsenal Papilon”, për seleksionimin e më pas identifikimin e gëzhojave dhe plumbave të vendit të ngjarjes, me armën që autori ka realizuar qitjen, për pasojë vrasjen e viktimës. Ai ka zëvendësuar mikroskopin dhe kamerën nëpërmjet skanimeve të sipërfaqeve të trupave, objekteve, me gjurmët traseologjike të gëzhojës e të predhës. Deri në tetorin e vitit 2003, sipas kartotekës së balistikës, ekzistojnë 3.500 raste të gëzhojave, dhe 60 raste të predhave të vendit të ngjarjes të gjashtë drejtorive e qarqeve. Në provat e para është arritur të bëhet bashkimi i gëzhojave apo plumbave, të përdorura në disa ngjarje nga e njëjta armë, të ndodhura në Krujë, Tiranë, etj.

 

Si luftohet krimi pas rotacionit qeverisës?

Mund të themi se ka situatë alarmante të krimit dhe padyshim, në kohë të shkurtër po ndodhin disa krime të rënda, shumë të rënda. Rasti i babagjyshëve në TEG, si dhe grabitja e kambistëve në Durrës, që kishin dalë për bukën e gojës, për mënyrën si vepruan autorët të veshur me uniformë të forcave të ndërhyrjes së policisë. Prandaj është krijuar situatë e rëndë, edhe pas këtyre ngjarjeve të dhjetorit 2013, edhe pse kanë ndodhur ngjarje më të rënda, si e Durrësit. Por tre rastet do të ishin parandaluar nëse do ndihej dora e policisë, edhe pse ngjarje të tilla ndodhin jo vetëm në vendin tonë. Zbulimi në kohë të shpejtë i autorëve i shërben parandalimit. Nëse krimineli nuk zbulohet në kohë, krijon siguri dhe nxitet të kryejë krime të tjera, ndërsa policia futet në qorrsokak. Disa pyetje do shtroja ndaj kriminologëve, sidomos specialistëve të policisë, nëse kjo është e pamotivuar dhe bëhet më e paaftë, apo krimi po sofistikohet dhe më shumë? Ka kohë që kriminelët po veprojnë në mënyrat më të sofistikuara, janë të mirëorganizuar dhe përpiqen ta vështirësojnë shumë punën e policisë. Kjo kurrsesi nuk do të thotë, se policia është mbrapa. Por gjithçka ka të bëjë me mënyrën e organizimit të punës së saj, që mos t’i lërë asgjë spontanitetit. Sikurse ka strategji në politikën e jashtme, kjo duhet të ndodhë dhe në fushat e tjera.

 

Po për ngjarjen tragjike të Gërdecit, ç’mund të na thoni?

Marsi i 2008-ës mbetet muaji i katastrofës, edhe më të madhe se e ajo e 1997-ës. Nëse njëmbëdhjetë vjet më parë nuk u la depo, magazinë dhe tunel pa u hapur nga mijëra të rritur, të rinj e fëmijë, të vrarë dhe të plagosur ishin më pak se gishtat e dorës, ndërsa për banesat e shkatërruara dhe objektet e tjera s’bëhej fjalë. Në njëmbëdhjetë vjet të shpërthimeve në objektet ushtarake, pushtetarët e dy krahëve, asnjëherë nuk u garantuan sigurinë e jetës shtetasve, përkundrazi vetëm u sollën fatkeqësi njerëzve. Më e madhja do të ishte katastrofa e Gërdecit.

Mbi të, përditë na ndjek një tjetër edhe më e madhe. Në njëmbëdhjetë vjet asnjëherë politikanët nuk e kanë marrë përsipër fajin, qoftë pjesërisht. Pasojat e Gërdecit ndikuan direkt tek banorët e zonës. Indirekt janë prekur edhe të gjithë shqiptarët

 

Ngjarja e emigrantit Plisi

 “Mirë pengmarrësi, po negociatori pse u vra?!

“Edhe pse kanë kaluar vite nga njëra prej ngjarjeve, që ka lënë gjurmë të thella në kalvarin e emigrantëve tanë në Greqi, politikanët diskutojnë çfarë ndodhi në vitin 1999, në Qafë-Krrabë, pas rrëmbimit të autobusit me pasagjerë të një linje të Selanikut nga emigranti matjan, Plisi. Nuk mjaftoi terrori i shkaktuar në grupin e mbetur të pasagjerëve, të mbajtur peng për më shumë se 48 orë, por fundi i pengmarrjes shkaktoi dy viktima, pengmarrësin dhe negociatorin. Nuk do shkruaj për jetën e emigrantit Plisi dhe as, se çfarë e detyroi atë me një granatë dore apo armë zjarri të ndërmerrte një veprim të tillë.

Por sesi politika, ngjarje të tilla të lidhura me vështirësitë, vuajtjet e emigrantëve dhe të viktimave të tyre, në momentet e dëshiruara prej saj do t’i diskutojë dhe t’i përdorë shpesh për interesat e saj. Opozita e sotme pas shumë vitesh e akuzon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për ngjarjen kur 8 vjet në pushtet nuk u morën ndonjëherë, edhe pse prindërit e viktimave vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e ngjarjes. Emigranti Plisi zgjodhi si rrugë të fundit dhe të vetme, sensibilizimin e opinionit për keqtrajtimin që i kishte bërë një efektiv i policisë, duke cenuar të drejtat e tij, pse ishte ilegalisht në Greqi. Natyrisht, policia greke të mos rrezikonte jetën, qoftë edhe të një pengu, plotësoi disakushte që i vuri pengmarrësi, i cili nuk dorëzohej me synim që pengmarrjen ta përfundonte në vendin e lindjes, në Burrel. Në këtë mënyrë, ai besonte se do të kishte çuar në vend gjithçka që kishte menduar, si hakmarrje të padrejtësive të policisë greke ndaj emigrantëve matjanë, por edhe më gjerë. Me këtë vendosmëri të pengmarrësit, që policia e vendit fqinj kishte kuptuar dhe ishte “dorëzuar”, kurrsesi nuk mund të “pajtohej” policia shqiptare, ndërsa drejtuesit kryesorë të saj morën përsipër të mos e lejonin pengmarrësin, të hynte në Tiranë, pra as në qytetin e Burrelit. Mirë pengmarrësin, po negociatorin pse e vranë?! Këtë përgjigje nuk e mori asnjëherë opinioni publik asprindërit e viktimave. “Kur vret policia” nuk mund të ndodhë ndryshe, sikur kanë “vërtetuar” hetimet, viktima është “vetëvrarë”, nëse s’ka qenë ndonjë shok i tij që e ka “vrarë”. Kështu është vepruar në çdo rrotacion, ndërsa policinë e “padepolitizuar” vazhdon ta përdorë politika.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: