RRËFIMI/ Si i ndaloi Kadri Hazbiu pilotët në tragjedinë e Fekenit: Mos shkoni atje, do na shtoni viktimat!

RRËFIMI/ Si i ndaloi Kadri Hazbiu pilotët në tragjedinë e Fekenit: Mos shkoni atje, do na shtoni viktimat!
INTERVISTA/ Flet ish-piloti Janaq Jorgji: “Si i evakuuam rreth 30 të aksidentuar nga vendngjarja. Ky fluturim, i cili ishte nga më të vështirët në historinë e helikopterëve Mi-4 në vendin tonë, më pas u studiua dhe u fut në programin e uljeve jashtë heliodromit”

Një ortek bore sulmoi papritur vendfushimin e Malit me Gropa, në vendin e quajtur Feken. 30 ushtarakë mbetën të plagosur, ndërsa 19 të tjerë humbën jetën, duke luftuar kundër masës së bardhë vdekjeprurëse, e cila rrokullisej me zhurmë, nga lartësitë... Kjo ngjarje tragjike e 6 shkurtit të vitit 1981, vjen përmes një rrëfimi të posaçëm për “Albanian Free Press” nga njëri prej protagonistëve të saj, veteranit të aviacionit dhe pilotit të helikopterëve Mi-4, Janaq Jorgji. “Kohë e keqe, të jap urdhër të mos ngrihesh më! Nuk kemi përse të shtojmë viktimat...”, ishte urdhri i prerë i ish-ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Kadri Hazbiu. Por komandanti i helikopterit e kundërshtoi, duke i dedikuar jetën asaj dite të vështirë fluturimi, të mbarsur plot me rreziqe...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Si e kujtoni tragjedinë e Fekenit, atë ditë të errët, teksa ishit njëri nga pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të atij aksioni shpëtimtar?

Ishte ora 12.00, e datës 6 shkurt, të vitit 1981. Po bëhesha gati për të dorëzuar, sipas rregullit, detyrën e pilotit të gatshëm. Ndodhesha në dhomën e gatishmërisë fluturuese. Kisha qenë në detyrë 24 orë, pa reshtur dhe do të shkoja për të pushuar pranë familjes në Tiranë. Papritur, në dhomën e gatishmërisë u fut rrëmbimthi komandanti i Regjimentit të Helikopterëve, Hetem Mehmeti. Ai më dha urdhër të merrja pajisjet vetjake të pilotit (shlemafonin, planshetin, hartën, etj.) dhe të shkoja me shpejtësi pranë helikopterit të gatshëm, në vendqëndrimin e helikopterëve.

Si veprove?

Rrugën nga dhoma e gatishmërisë, deri tek helikopteri i gatshëm Mi-4, me numër anësor 6-46, e përshkova thuajse me vrap. Gjatë saj, hamendësova se diçka e rëndë kishte ngjarë, derisa erdhi vetë komandanti i regjimentit. Detyrën konkrete nuk e dija, por e përmblodha veten dhe “u futa në rol”. Në vendqëndrim, pranë helikopterit me numër anësor 6-46 gjeta menaxherin e tij, teknikun fluturues, Viron Troqe.  Ai ishte njëri nga bort-teknikët më të zotë dhe më të shkathët që kishte regjimenti. Kontrolluam rishtaz shkallët, vinçin, barelat dhe pajisjet e tjera shpëtuese. Ndërkohë, erdhi Hetemi. Si gjithmonë, serioz e fjalëpak. Ai kishte marrë detyrën konkrete dhe aty, ma bëri me dije edhe mua.

Kush ishte në vendqëndrim?

Në vendqëndrim, pas komandantit të regjimentit ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj dhe 4-5 oficerë shoqërues të tij. Ai ia kishte transmetuar urdhrin komandantit tim të ekuipazhit. Do të vinte në Feken, për të parë situatën nga afër, së bashku me shoqëruesit. Ata hipën në helikopter. Veliu u ul pas meje. Lëshuam motorrin dhe bëmë provën e plotë të tij dhe të agregatëve të tjerë, sipas kërkesave për t’u ulur në lartësi, me ngarkesë. U ngritëm në ajër dhe morëm lartësinë 1100-1200 metra, deri në Grykën e Tujanit.  Deri atje, moti ishte i përshtatshëm për të fluturuar; shikimi horizontal ishte i pranueshëm, binte një vesë shi, e cila nuk na pengonte. Frynte erë e lehtë, në parametra normalë. Kur u futëm në Grykën e Tujanit, ramë në lëkundje ajri të papara. “Epo gryka i ka turbulencat”, thamë dhe vijuam fluturimin, por nuk ishte plotësisht ashtu. Përvoja na kishte gabuar. Era dhe turbulencat nuk ishin si ato që kishim provuar. “Era do të jetë mjaft e fortë”; na tha Hetemi, e ashtu doli. Ndërtuam manovër për të dalë prapa antenës së Dajtit. Ndërkohë që vështirësitë e komandimit të helikopterit u shtuan.

Kush e bënte pilotimin e drejtpërdrejtë të helikopterit?

Komandanti i ekuipazhit, Hetem Mehmeti, ai që bënte pilotimin e drejtpërdrejtë të helikopterit, iu drejtua shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, me fjalët: “Fluturimi do të jetë shumë i vështirë, shpejtësia e erës është jashtë limiteve të rekomanduara për këtë tip helikopteri...”. Pa u futur në kompetencat e specialitetit të pilotit, Veli Llakaj i sugjeroi Hetemit: “Vlerësoje vetë situatën, ti je specialist. Nëse nuk është moti i përshtatshëm, edhe mund të kthehemi, nuk ka përse të shtojmë viktima të reja”. Hetemi më pa në sy dhe pa fjalë, m’u duk sikur më pyeti: “Si thua ? Të vazhdojmë fluturimin, apo të kthehemi...?”. U morëm vesh, pa fjalë, vetëm me një vështrim. Ia dija kokën dhe aftësitë komandantit tim, prandaj rashë dakord, pa fjalë. Vendimi u mor: Do të vazhdonim fluturimin e do të uleshim, duke rrezikuar. Si ekuipazh, dëftuam kompaktësi dhe u shprehëm në unanimitet. Vijuam fluturimin, në kushte tejet të vështira.

Si do ta cilësoje këtë etapë fluturimi? 

Etapa e fluturimit, nga antena e Dajtit në Feken, ishte një “vorbull e vërtetë”. Nuk më vjen për mbarë të them se ishte një skëterrë. Përpara kishim një mur dhe shkonim drejt tij. Fluturonim drejt së panjohurës. Mali i Miçekut nuk dallohej fare. Na duhej të uleshim në qendër të asaj “vorbulle” të errët, pa ditur ku shkonim. Era vinte nga mali, ajo ishte brizë dhe duke kapërcyer malet, shtonte “vrapin” e zbriste, tatëpjetë e hazdisur. Briza, përveç spostimit nga vija rrugore, shoqërohet me lëkundje, jo të vogla. Vendi ku duhet të uleshim ishte diçka, pa mbërritur në kamping, në kurrizin e një lartësie rreth 1000 metrash mbi nivelin e detit, në vend të paeksploruar, me përmasa tepër të kufizuara. Hetemi, kur po shkonim në ulje, më paralajmëroi se në krahun tim (në të djathtë), ndodhej një pemë (kumbull) e lartë 4-5 metrash, e cila pengonte dhe nuk dukej nga larg, për shkak të shikimit horizontal të dobët. Shpejtësia ajrore, sipas instrumentit në kabinë ishte 160 km/orë. Në instruksionet përkatës, helikopteri Mi-4 lejohet në fluturim, kur shpejtësia e erës, në tokë është jo më tepër se 18 m/sek, d.m.th. 65 km/orë. Vështirësitë e pilotimit të helikopterit ishin të papara, por edhe njerëzit në rrezik, duheshin shpëtuar. Na mbetej vetëm një alternativë: të uleshim, me çdo kusht, qoftë edhe duke rrezikuar veten.

Si veprove?

Mblodha veten! U tendosa, pas komandave. Në veten time kisha një lloj sigurie, edhe pse ulesha për herë të parë në atë vend. Sigurinë ma shtonte prania e Komandantit të Regjimentit, në kabinën e majtë. Jo si funksion, por si specialist i fluturimeve të vështira. Hetem Mehmeti, njihej si njëri nga pilotët më të përgatitur dhe më guximtarë të helikopterit Mi-4. Vitaliteti i tij; guximi, trimëria, iniciativa vepruese dhe talenti i rrallë si fluturues, sikur m’u ngjitën, siç përhapet një epidemi gripi. Mora zemër dhe u përfilla për të dhënë ndihmesën time në këtë sipërmarrje të rrezikshme.

Si do ta cilësoje këtë situatë? 

Situata faktike kërkonte teknikë pilotimi të përsosur dhe veprime të sakta. Çdo minutë sillte një situatë të re, më të vështirë. Shtuam syçeltësinë për të kapur në kohë, çdo ndryshim të situatës sinoptike dhe për të vepruar në përgjigje të ndryshimeve. Përcaktuam drejtimin dhe shpejtësinë e erës, në vendin e uljes. Kjo është detyrë e parë, për çdo ekuipazh, por për ne merrte rëndësi të veçantë. Për shkak të erës, nuk mund të kalonim në rreth të dytë. Çdo pasaktësi në llogaritje, mund të pasohej nga rrjedhoja të paparashikuara. I kujtuam njëri-tjetrit veprimet që lipseshin. Dubluam njëri-tjetrin, pa e penguar dhe u ulëm, në kurrizin e një lartësie, siç e kishim parashikuar. Motorin nuk e fikëm, e mbajtëm me xhiro maksimale e nuk guxonim t’i ulnim ato, nga droja se mos helika mbajtëse, takonte me bishtin e helikopterit. Ulja e kryes mbi sipërfaqen e bardhë, trashësia e borës së re arrinte rreth 20 cm. Në ulje, stuhia e borës së re, nuk na pengoi të përcaktonim lartësinë nga toka. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe shoqëruesit e tij, zbritën nga helikopteri e shkuan drejt kampingut.

Pritët gjatë?

Pritëm rreth 40 minuta, me motor të ndezur, derisa u sistemuan në helikopter të aksidentuarit. Sistemimi i 6 të plagosurve, disa nga të cilët rëndë, nuk ishte gjë e lehtë. Ata që ishin më rëndë, u vendosën në barrela, të tjerët, ata që mund të qëndronin të ulur, u vendosën në karrige. Gjatë marrjes së të aksidentuarve, shpërthyen vlerat fizike dhe fryma luftarake, e pleksur me humanizëm e bord-teknikut Viron Troqe, i cili i vetëm e përballoi atë situatë të vështirë dhe të rrezikshme. I kallkanosur, me duar dhe fytyrë të mavijosura, Vironi, u tregua një hero i vërtetë. Kush e ka përjetuar, një situatë të ngjashme, e di mirë rolin e teknikut të bordit dhe sakrificat e tij. U ngritëm, si u ngritëm. Ishim me fat, që era nuk ndryshoi drejtimin. Pas ngritjes, e patëm shumë të vështirë të rrotulloheshim, për t’u futur në Grykën e Tujanit. Në lartësinë e kalimit të saj, era ishte anësore dhe nevena duhej të rrotulloheshim, me hile, si “vjedhurazi”. Të aksidentuarit i ulëm në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, në Laprakë. Pa fikur motorin, u ngritëm e shkuam sërish në Feken, ku na pritnin fatkeqë të tjerë. Moti ishte siç e lamë, por shikimi horizontal ishte përkeqësuar. Atë ditë, u ulëm në Feken, 4 herë. Evakuuam rreth 30 të aksidentuar. Në çdo ulje pasardhëse, Hetemi, me veprime të përpikta i takoi rrotat me tokën, në të njëjtin vend. Kjo është vlerë e tij, e pakundërshtueshme. Fluturimi i katërt u krye thuajse në muzg. Kur po bëheshim gati për të shkuar në Feken, për të tretën herë dhe ndodheshim në oborrin e Spitalit Ushtarak, Hetemin e kërkoi në telefon ish-ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Mes tyre u zhvillua një dialog i ashpër. Ministri: “Të jap urdhër të mos ngrihesh më! Nuk kemi përse të shtojmë viktimat, mjaft janë ato që na mori orteku...”. Hetemi: “Shoku Ministër, ...jo vetëm që do të shkoj se në vendin e ngjarjes ndodhen shumë të aksidentuar që duhen evakuuar, por jam i sigurt se do të shpëtoj shumë jetë të rrezikuara seriozisht.  Nesër e sqarojmë çështjen e urdhrit...”. Kishte një motiv domethënës Hetemi që mendonte e vendosi ndryshe. Të aksidentuarit, edhe pse në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore e shpirtërore, kur dëgjonin zhurmën e helikopterit që afrohej, mblidhnin forcat, u shtohej optimizmi për jetën e shpresonin në “fuqinë magjike të helikopterit”. Këtë, aviatorët e kishin parë në mjaft raste të ngjashme.

Si ishte e nesërmja?

Të nesërmen, i njëjti ekuipazh, u ul edhe njëherë tjetër në Feken, por tashmë moti ngjante me një pranverë të vërtetë. Ky fluturim, i cili ishte nga më të vështirët në historinë e helikopterëve Mi-4, në vendin tonë u studiua dhe u fut në programin e uljeve jashtë heliodromit. Ekuipazhi Mehmeti- Jorgji-Troqe, me sakrificën që bënë, ndikuan në përmirësimin e jetës të atyre që shpëtuan nga ai rrezik iminent. Përballë vlerave të tyre, kushtet e motit “u dorëzuan” dhe ata që kontribuuan në plotësimin e këtyre fluturimeve dolën fitimtarë. Në këtë mënyrë, ulja në Feken, në ata kushte, i shtoi Regjimentit të Helikopterëve një hallkë tjetër në gjerdanin e lavdisë kolektive.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: