RENEA niset për të kapur Laert Haxhiun, superaksioni mbyllet me një të moshuar të plagosur

RENEA niset për të kapur Laert Haxhiun, superaksioni mbyllet me një të moshuar të plagosur
Një aksion i madh i forcave RENEA ka nisur në orët e para të mëngjesit në fshatin Remas të Lushnjës.

Forcat speciale kanë rrethuar që pa zbardhur banesën e 77-vjeçarit Haxhi Lika, ku dyshohej se fshihej i shumëkërkuari Laert Haxhiu dhe një person tjetër.

Policia tha se gjatë operacionit ka hasur rezistencën e plakut të shtëpisë me çifte.

“Në momentin që Policia ka bërë rrethimin e banesës dhe konform gjithë procedurave standarde të ndërhyrjes, shtetasi H.L., nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë, por ka dalë në dritare me një armë në dorë (rezultoi armë gjahu). Ndodhur në këto kushte Policia ka qëlluar në ajër duke i bërë thirrje përsëri shtetasin H.L., për të dalë nga banesa”, bën të ditur policia.

Teksa aksioni për kapjen e të shumëkërkuarve ka dështuar, bilanci është vetëm plagosja e të moshuarit, për të cilën janë dhënë dy versione të ndryshme.

“Në rrethana ende të paqarta shtetasi H.L., është dëmtuar në kokë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Eksperti mjeko-ligjor po punon për përcaktimin e shkakut të dëmtimit dhe rrethanat”, thotë policia.

Ndërsa nipi i të moshuarit ka publikuar një video ku, sipas tij, tregohet se gjyshi është qëlluar me plumba ndërsa ndodhej në shtrat dhe nuk ka bërë kurrfarë rezistence.

Pas dështimit të operacionit, janë hedhur dyshimet e para për një dekonspirim të mundshëm.

Lart Haxhiu është një personazh i njohur në zonën e Lushnjës, duke qenë edhe rivali i Aldo Bares.

Ai dyshohet si autor i masakrës së 11 shtatorit 2017 në qytetin e Lushnjës, ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Samir Lati.

Në këtë masakër, dyshohet se shënjestra e vërtetë ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.

Laert Haxhiu ka qenë i dënuar edhe për vrasjen e Gerti Lalës i njohur me nofkën “Iriqi”, anëtar i bandës së Lushnjës, krim i kryer më 8 korrik 2010.

Lart Haxhiu dhe Orgest Bilbili dyshohen edhe për disa vrasje me pagesë në Lushnjë, Fier dhe Vlorë.

Të dy këta persona janë në listën e personave “shumë të kërkuar” dhe “me rrezikshmëri të lartë”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: