Ra ky shi... dhe “shpëtoi” ekonominë. Shitja e energjisë, kontributi kryesor

Ra ky shi... dhe “shpëtoi” ekonominë. Shitja e energjisë, kontributi kryesor
Ekonomia shqiptare duket se këtë vit ka patur një “aleat” mjaft të mirë për ecurinë e saj. Ky ka qenë moti i lagësht dhe shirat e shumtë, krahasuar me vitin e kaluar, gjë që ka ndikuar dukshëm në shitjen e produktit të energjisë elektrike. Dhe kjo e fundit, rrjedhimisht edhe në përmirësimin e treguesve ekonomikë të vendit.

Kështu mund të konkludohet të paktën, sipas shifrave më të fundit që Instituti i Statistikave ka dhënë lidhur me rritjen ekonomike gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018. Periudhë kjo, e cila përkon edhe me një nivel të shtuar reshjesh në rang vendi, që sipas ekspertëve ka ndikuar në një shtim të prodhimit të energjisë elektrike, deri në nivelin prej 90%, pasuar edhe me shitje më të shumta të saj.

“Brenda grupit ‘energji dhe industri nxjerrëse’, energjia elektrike është rritur me nivelin prej 67%”, theksoi drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimi, ndërsa publikoi treguesit e Prodhimit të Brendshëm Bruto, për tremujorin e dytë të këtij viti.

Në tërësi, sipas saj, ky tregues për këtë periudhë shënoi një rritje me nivelin prej 4.32%, kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë, ku një ndikim të dukshëm e ka dhënë pikërisht grupi i lartpërmendur “energji dhe industri nxjerrëse”.

“Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Industria, Energjia dhe Uji me 2.37%”, saktëson raporti i INSTAT-it.

Duke shtuar më tej se sektorët e tjerë që ndikuan rritjen ekonomike ishin “tregtia, akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, që ndikuan me 0.82% në rritjen totale të ekonomisë prej 4.32%, ku mund të thuhet se këtu efektin kryesor e dha sektori i turizmit. Ndjekur nga aktivitetet profesionale me një kontribut prej 0.44%, bujqësia me 0.3% ndërsa kontributi i degëve të tjera në rritjen ekonomike të vendit mund të thuhet se ishte minimal.

 

 

4.32%

U shënua niveli rritës i Prodhimit të Brendshëm Bruto, për tremujorin e dytë të këtij viti, sipas Institutit të Statistikave, ku kontributin më të madh në këtë ecuri e ka dhënë grupi

“energji dhe industri nxjerrëse”

 

1.76%

U shënua kontributi i grupit “energji dhe industri nxjerrëse”

në nivelin rritës të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për tremujorin e dytë të këtij viti, sipas Institutit të Statistikave

 

 

Pa kontributin e energjisë, rritja ekonomike do të ishte vetëm 2.5%

 

Nëse do të hiqej efekti i energjisë si i tillë, rritja ekonomike e vendit për tremujorin e dytë të këtij viti do të ishte në nivelin rreth 2.5%. Kjo konfirmohet nga vetë raporti i Institutit të Statistikave, sipas të cilit, energjia ka dhënë ndikimin më të madh edhe në rritjen reale të PBB-së me 1.76%. E nëse përllogarisim diferencën e totalit të rritjes së saj deri në nivelin prej 4.32%, duke i zbritur ndikimin e energjisë, i bie që rritja të ishte më e pakët. Nga ana tjetër, sjellim ndër mend faktin se ky është tremujori i dytë radhazi përgjatë këtij viti, ku rritja ekonomike po ndikohet nga moti i favorshëm me reshje, që ka nxitur shitjen e energjisë. Kështu, në tremujorin e parë 2018, ekonomia u rrit me nivelin prej 4.45%, ku vetëm kontributi i grupit të “energjisë dhe industrisë” ishte prej 2.42%.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: