Pushteti vendor, akoma me sytë nga duart e “qendrës” për t’i dërguar pará

Pushteti vendor, akoma me sytë nga duart e “qendrës” për t’i dërguar pará
Nuk po arrijnë dot ende që të “pavarësohen” nga pushteti qendror, sa u përket financave. Edhe pse ato u reduktuan në numër, pak vite më parë përmes reformës administrative-territoriale, pikërisht për të qenë më funksionale dhe që të arrinin të mblidhnin më shumë pará vetë.

Fjala është për 61 bashkitë e reja të krijuara në rang vendi, të cilat një pjesë të mirë të parave që u duhen, po vazhdojnë ta marrin akoma nga qeveria.

Teksa të ardhurat që arrijnë të sigurojnë vetë, po u figurojnë në ulje e sipër.

Kjo dukuri konfirmohet nga të dhënat më të fundit të publikuara prej ministrisë së Financave.

Sipas tyre, të ardhurat e qeverisë (nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike) vijojnë të zënë peshë të rëndësishme në buxhetet vendore, rreth 33.5% të burimeve financiare totale të tyre. Ndërkohë, që të ardhurat nga burimet e veta të bashkive rezultojnë ta kenë ulur peshën e tyre ndaj totalit në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2018, në rreth 25.4% nga rreth 30.4% që ishte një vit më parë”, saktësojnë ekspertët lidhur me të. Duke dhënë kështu të qartë panoramën e varësisë që pushteti vendor shfaq edhe pas disa vitesh decentralizim, ndaj atij qendrore lidhur me fondet publike.

“Të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar dhe ajo specifike janë një burim i rëndësishëm për financimin e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave nga bashkitë”, cilësojnë më tej ekspertët lidhur me një situatë të tillë, për të cilën pohojnë se ajo në fakt është edhe e përcaktuar ligjërisht.

Por sipas tyre, gjithsesi, është fakt se dora e “qendrës” po vjen disi duke u rrudhur ndaj vendorëve, duke u dërguar më pak pará se më parë, e kësisoj duke pretenduar që ata të nisin t’i sigurojnë vetë me kalimin e kohës të gjitha nevojat.

“Gjatë periudhës në analizë, qeveria qendrore u transferoi bashkive rreth 13.9 miliard lekë në trajtën e transfertës së kushtëzuar, në ulje me rreth 0.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017”, pohojnë ekspertët për 6-mujorin 2018.

 

33.5%

E burimeve financiare totale të pushtetit vendor po zihet nga fondet e qeverisë që i transferohen atij pikërisht përmes transfertës së pakushtëzuar dhe asaj specifike

 

25.4%

Nga rreth 30.4% që ishte një vit më parë rezultoi sipas ministrisë së Financave 6-mujorin e parë 2018, pesha e të ardhurave që 61 bashkitë arrijnë të sigurojnë vetë

 

Vendorët sivjet mblodhën më pak taksa, po përse?

“Të ardhurat nga burimet e veta vendore janë thelbësore për një qeverisje vendore të mirë dhe të pavarur”, cilësojnë ekspertët e Financave. Por sipas tyre, është fakt se ato po vijnë në rënie. “Në fund të 6-mujorit të parë 2018, të ardhurat nga burimet e veta vendore rezultuan të ishin rreth 2.5 miliard lekë më të ulëta, ose në rënie me rreth 21.5%”, saktësojnë ata. Për të argumentuar më tej se kjo ecuri u kushtëzua nga performanca relativisht e ulët e të ardhurave nga taksat vendore. “Ato regjistruan një nivel prej rreth 4.7 miliard lekë, në ulje me rreth 38.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, cilësojnë ata. Për të argumentuar më tej se ngushtimi i të ardhurave nga taksat vendore u përcaktua nga më pak pará që u mblodhën nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, si edhe ajo mbi pasuritë e paluajtshme. “Në nivel bashkie, rënia e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u udhëhoq nga ajo e Tiranës”, thuhet më tej në raportin e Financave. Për të vijuar se Vlora rezulton të ketë mbledhur rreth 84 milionë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, nga një nivel zero në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Cilat ministri u kanë kaluar më shumë pará vendorëve?

Ministria përgjegjëse për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen sociale figuron të jetë e para mes të tjerave, që u ka transferuar më shumë fonde bashkive gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti. Saktësisht, ministria e Financave jep shifrën e 8.5 miliardë lekëve për një veprim të tillë. Pasuar nga rreth 5.4 miliard lekë, që sipas saj, u alokuan nga ministritë e tjera kundrejt bashkive, respektivisht nga ajo përgjegjëse për Infrastrukturën dhe Energjinë, e më tej për Arsimin, etj.

 

Mbledhin më pak taksa, por ama më shumë pará nga tarifat e shërbimeve

“Në ndryshim nga ecuria e të ardhurave nga taksat vendore, të ardhurat nga tarifat vendore rezultojnë të jenë rritur në gjysmën e parë të vitit 2018, përkundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë”. Kjo është një dukuri tjetër që vihet re nga ekspertët e Financave lidhur me ecurinë e parave që siguron pushteti vendor. Sipas tyre, peshën më të madhe në tarifat vendore e zënë të ardhurat nga tarifat e shërbimeve. Në këtë kategori, të ardhurat e gjeneruara nga tarifa për mbledhjen dhe largimin e mbetjeve përfaqësuan rreth 83.5% ndaj totalit, ndjekur nga tarifa për ndriçimin publik me rreth 9.2% dhe tarifa për gjelbërimin me rreth 7.2%. Ndërkohë, të ardhurat nga tarifa për furnizimin me ujë dhe kanalizimet regjistron një vlerë tepër të ulët e cila rezulton e mbledhur vetëm nga bashkitë Ura Vajgurore dhe Krujë. Kjo për vetë faktin se të ardhurat nga kjo tarifë mblidhen thuajse ekskluzivisht nga ndërmarrjet e ujësjellës - kanalizime (të cilat janë në pronësi të bashkive) duke mos u regjistruar kësisoj në llogaritë e të ardhurave të bashkive.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: