Provimi i shtetit për mësuesit, afatet dhe kushtet që duhen plotësuar

Provimi i shtetit për mësuesit, afatet dhe kushtet që duhen plotësuar
Ministria e Arsimit publikon datat e provimit për të gjithë arsimtarët, duke nisur nga arsimi fillor e deri te profilet e ndryshme shkencore dhe shoqërore

Sonila Isaku

Duke filluar nga java e tretë e shtatorit e në vijim, të gjithë mësuesit e rinj do të kalojnë në provim shteti. Qendra e Shërbimeve Arsimore ka përcaktuar datat e testimit dhe kriteret që duhet të plotësojë një mësues përpara dhënies së provimit.

“Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit, do të zhvillohet nga java e tretë e muajit shtator 2018 e në vijim. Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve. Kandidati duhet të paraqitet në QSHA, 30 minuta. para fillimit të provimit të shtetit.

Dokumentacioni

Përveç regjistrimit paraprak që duhet të kryhet nga mësuesit, ditën e provimit kandidatët duhet të jenë të pajisur me letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal); kopje të Kartë ID ose Pasaportë; faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA, nga një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA) sipas herës së pjesëmarrjes; {Vëmendje: fatura të ketë vulën e bankës përkatëse}; si dhe kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të  studimeve të përfunduara prej tyre, njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit. {Kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me Diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi}.

Në rast të mungesës së një prej këtyre dokumenteve, QSHA -ja nuk do t’u mundësojë kandidatëve të marrin pjesë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit. Po kështu, kandidatët që regjistrohen për provimin e shtetit, duhet të jenë të pajisur me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të lëshuar nga IAL-të përkatëse. Sipas ligjeve në fuqi, përcaktohet se personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura.

Kushtet

Për paraqitjen në qendrat e provimit, kandidati duhet të ketë parasysh rregullat kryesore ku ndër më rëndësishmit është ai i marrjes me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter s’kualifikimi; ndalohet duhani, dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit, si dhe ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit. Tarifa e depozituar për llogari të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është e pakthyeshme dhe e vlefshme vetëm për sezonin aktual të provimit të shtetit. Për të gjithë kandidatët, lutemi të verifikoni emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën dhe orën e provimit në faqen zyrtare të QSHA në adresën www.qsha.gov.al, rubrika lista e kandidatëve. Kandidatët lutemi të paraqiten VETËM në orarin e përcaktuar dhe publikuar në faqen web të QSHA-së. Në rast pasaktësie në të dhënat e paraqitura në web, lutemi të kontaktoni në adresën [email protected], si dhe të njoftoni përpara se të hyni në mjediset e provimit.

Pyetjet

Pyetjet do të bazohen te programet orientuese që ka publikuar QSHA-ja, për çdo lëndë. Asnjë pyetje nuk do të jetë jashtë programit, duke qenë se të gjitha janë me alternativa dhe nuk ka vend për interpretim. Pyetjet e provimit janë në kompetencë të Komisionit të Provimit të Shtetit. Ato synojnë të vlerësojnë njohuritë e përgjithshme të kandidatit për profesionin përkatës. Vetëm një nga alternativat është përgjigje e saktë. Pyetjet shfaqen në monitorin e kompjuterit të kandidatit dhe me një klikim, zgjidhet pyetja e dëshiruar.

“Pyetja me alternativa është në një kuadrat me ngjyrë portokalli. Klikimi mbi këtë kuadrat ndryshon ngjyrën e kuadratit. Klikimi mbi alternativë nuk konsiderohet automatikisht si përgjigje e pyetjes. Kandidati ka të drejtë të klikojë më shumë se një herë mbi alternativat pastaj ta konfirmoj atë. Në monitorin e kompjuterit shfaqet edhe koha e mbetur në dispozicion, deri në përfundimin e provimit. Koha e provimit përfundon kur në monitor shfaqet tabela përmbledhëse e dhënies së përgjigjeve e ballafaquar me përgjigjet e sakta, sasinë e pikëve të grumbulluara, si dhe përqindja e pikëve të grumbulluara. Kur koha e provimit përfundon, automatikisht printohet një dokument vërtetimi, me foto, shoqëruar me informacioni e sipërpërmendur”, ­thuhet në udhëzuesin për zhvillimin e provimeve të shtetit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: