Prindërit skeptikë: Ende nuk kemi marrë pagesat prej 5 mijë lekësh

Prindërit skeptikë: Ende nuk kemi marrë pagesat prej 5 mijë lekësh
Rritja e pagesës së bonusit për shumë prindër, duket se është një premtim që nuk mund të mbahet, pasi deri më sot, nuk është zbatuar dhënia e pagesës prej 50 mijë lekësh të vjetra. Ndërkohë që, shumë të tjerë e shohin si një nismë, e cila duhet të mbështetet në ligj në mënyrë që të mos hasen problematika për sigurimin e buxhetit

Nga Eglantina Nasi

Menjëherë pas publikimit të lajmit për rritjen e pagesës së lindjes për bebet, e cila nga 50 mijë lekë të vjetra do të shkojë në 400 mijë lekë për fëmijën e parë, 800 mijë për fëmijën e dytë dhe 1.2 milion për fëmijën e tretë, kanë qenë të shumta reagimet e qytetarëve, të cilët kanë treguar se ende nuk kanë marrë pagesat e mëparshme të fëmijëve. Kështu, shumë prej tyre përdorën rrjetet sociale për të treguar se fëmijët po u shkojnë në klasë të parë dhe ende nuk kanë marrë pagesën. Shumë të tjerë deklaruan se e kanë përfituar atë vetëm pas 3 a 4 vjetësh, kur me anë të njohjeve personale kanë mundur të mësojnë se fondet janë lëvruar drejt bankave të nivelit të dytë.

“Unë ende nuk kam marrë pagesën prej 5 mijë lekësh të djalit, i cili në korrik ka mbushur moshën 3 vjeç. Nuk është se ai 5 mijë lekësh do të më zgjidhte problemet e do më rrisë fëmijën, por është diçka që më është premtuar dhe pse të mos e marr. Sa i takon pagesës së bonusit që rritet nga 1 janari, duket se më shumë është një premtim elektoral” - pohon Jonida, nënë e një fëmije 3-vjeçar.

Ndërkohë, nga ana tjetër, për prindërit të cilët kanë planifikuar të sjellin në jetë një fëmijë, rritja e pagesës është diçka pozitive.

“Për mua, është diçka shumë e mirë. Unë jam në muajt e parë të një shtatzënie dhe më takon ta përfitoj pagesën prej 800 mijë lekësh, pasi jemi në pritje të fëmijës së dytë. Nëse pagesa do të jetë me një këst, besoj se do të jetë e vlefshme për mua, pasi kjo lindje është pas 8 vjetësh dhe unë duhet të bëj gati çdo gjë nga e para” - pohon Laureua 33 vjeç, nga Tirana.

Ndërkohë që rritja e pagesës së bonusit është edhe një ndihmë për shumë familje, të cilat jetojnë me ndihmë sociale, ose familjet e tjera me të ardhura të pakta. Sikundër nuk mund të jetë e nevojshme për shumë familje të tjera, me të ardhura të larta ekonomike. Ndërkohë që, për qytetarë të tjerë, zbatimi i kësaj nisme, duhet të pasqyrohet në ligj, në mënyrë që të mos ketë problematika me kryerjen e pagesave.

“Shpërblimi për lindjet e reja është një nismë që duhet përshëndetur fort, gjithmonë nëse asaj i shkohet deri në fund seriozisht dhe me korrektësi, e sidomos nëse pasohet me alternativa të tjera lehtësuese për prindërit e rinj. Ky bonus duhet të garantohet me ligj dhe duhen gjetur të gjithë mekanizmat e mundshëm për ta bërë atë të besueshëm” - deklarojnë qytetarët, pas publikimit të lajmit për rritjen e pagesës së bonusit.

 

Kur “lindi” bonusi

Pagesat e bonusit, për herë të parë, janë aplikuar në qytetin e Tiranës kur Edi Rama ishte kryetar bashkie. Me anë të një vendimi të këshillit bashkiak gjatë viteve 2005-2006, ai vendosi që për të gjitha bebet që do vinin në jetë, do të kishte një pagesë prej 50 mijë lekësh të vjetra. Më pas, me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, edhe kjo e fundit mori një nismë të tillë për vendosjen e një tjetër bonusi prej 50 mijë lekësh të vjetra, në rastet kur fëmijët e sapolindur regjistroheshin në zyrat e gjendjes civile brenda një periudhe 2-javore. E gjithë kjo u bë për të nxitur komunitetin rom, pasi rezultonte se shumë fëmijë ishin të paregjistruar dhe haseshin problematika në arsimimin e tyre. Kështu për kryeqytetasit, deri më tani, kanë qenë dy bonuse, një nga bashkia dhe një nga qeveria, kurse për banorët e qyteteve të tjera vetëm një bonus, nëse respektonin afatin 2-javor të regjistrimit nga dita e lindjes.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: