Prindër, fëmijë dhe mësues duhet të japin të dhëna personale, tjetër udhëzim nga Ministria e Arsimit

Prindër, fëmijë dhe mësues duhet të japin të dhëna personale, tjetër udhëzim nga Ministria e Arsimit
Pas udhëzimit të vitit 2015, ku parashikonte vetëm mbledhjen e të dhënave për formimin profesional të mësuesve dhe të dhënat bazë të nxënësve, ministri e Arsimit tashmë ka miratuar udhëzimin ku parashikon edhe mbledhjen e të dhënave të prindërve ose kujdestarëve të fëmijëve. Udhëzimi i publikuar nga “Albania Free Press” tregon se, çfarë të dhënash duhet të japin prindërit, fëmijët dhe mësuesit

Sonila Isaku

Debati i nisur pak muaj më parë pikërisht në fund të vitit shkollor, për mbledhjen e të dhënave personale të prindërve dhe mësuesve, duket se do të rikthehet sërish edhe këtë vit akademik, pasi ministria e Arsimit tashmë ka zyrtarizuar me anë të një udhëzimi, mbledhjen e këtyre të dhënave. Kështu, me anë të udhëzimit nr. 28 të datës 07.09.2018 ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka firmosur ndryshimet e udhëzimit nr. 12 të datës 27.04.2015. Nëse në udhëzimin e vitit 2015, nuk parashikohej ndryshimi për mbledhjen e të dhënave personale të prindërve/ kujdestarëve ligjorë të nxënësve, në udhëzimin e fundit është miratuar edhe shtojca, e cila do të plotësohej nga prindërit. Dhënia e të dhënave kontaktuese është vullnetare, ku prindërit kanë të drejtën e tyre të përcaktojnë mënyrën se si dëshiron të kontaktohet. Ndërkohë, ndryshe nga kërkesa e mëparshme, në udhëzimin e fundit nuk kërkohet numri i Kartës së Identitetit për prindërit.

Udhëzimi

Por cili është qëllimi i këtij udhëzimi dhe çfarë do të përmbajë ai?

“Mbledhja e të dhënave ka për qëllim mbledhjen, përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale nga institucionet arsimore parauniversitare (kopshte/shkolla), për punonjësit e tyre arsimorë (drejtori,nëndrejtori, mësuesi), për nxënësit e tyre, si dhe për përmbajtjen e dosjeve personale të këtyre (nxënësve). Gjithashtu, ka për objekt përcaktimin e procedurave organizative dhe teknike dhe të masave për mbledhjen dhe mbrojtjen e të dhënave kontaktuese të prindërve/kujdestarëve ligjorë të nxënësve” - thuhet në udhëzimin e ministrisë së Arsimit.

Sipas këtij të fundit mbledhja e të dhënave personale ka të bëjë vetëm me organizimin më efektiv të punës së institucioneve arsimore me synimin e arritjes së rezultateve më të larta. Por, a është kjo një shkelje e të dhënave personale të prindërve apo mësuesve? Sipas këtij udhëzimi parashikohet që, ato do të përdoren vetëm për qëllimin e mësipërm pa kaluar kuadrin ligjor, ashtu sikurse u pretendua pak muaj më parë nga opozita, për përdorimin e të dhënave në fushata elektorale.

Por deri më tani, si ka funksionuar? Të gjithë ata të cilët janë prindër dhe kanë një fëmijë në shkollë ose në kopsht, kanë qenë të detyruar (vetëm njëri prej prindërve), për të lënë një adresë kontakti e-mail, si dhe numrin e telefonit me mësuesin e fëmijës, ose mësuesin kujdestar, për të pasur kontakte në raste urgjencash ose informacione të tjera të cilët përgjithësisht përcilleshin nëpërmjet e-mailit. Ndërkohë, tashmë sipas udhëzimit të ri të ministrisë së Arsimit parashikohet që, “të dhënat do të përdoren për të informuar për çdo rezultat ose nismë mësimore, me qëllim rritjen e ndërveprimit mes prindërve, mësuesve dhe institucioneve vendimmarrëse, si dhe të sigurohet mirinformimi i prindërve, për nismat arsimore, të përmirësohet cilësia e arsimit dhe eksperienca shkollore për nxënësit” - thuhet në udhëzimin e ministrisë së Arsimit.

Dhënia e të dhënave kontaktuese është vullnetare, ku prindërit kanë të drejtën e tyre të përcaktojnë mënyrën se si dëshiron të kontaktohet.

Çfarë do kërkohet?

Sipas dokumentit të ministrisë së Arsimit parashikohet të mblidhen të dhënat kontaktuese të prindit ose kujdestarit ligjor, të cilët kanë të bëjnë me emrin, mbiemrin, ku banojnë, shkolla në të cilën është fëmija, numri i telefonit si dhe një adresë e-maili. Për këtë janë përgatitur edhe shtojcat e nevojshme që do të plotësohen nga prindërit ose kujdestarët ligjorë, të cilët mund të deklarojnë vetëm një mënyrë kontakti që duan të vendosin me institucionin arsimor.

Duket se edhe udhëzimi i miratuar nga ministria e Arsimit pak javë më parë, për heqjen e telefonave celularë si nga mësuesit ashtu edhe nga nxënësit, është rrjedhojë e këtij udhëzimi, ku parashikohet informimi më i gjerë i prindërve.

 

Të dhënat që do të kërkohen:

  1. Emër
  2. Mbiemër
  3. Bashkia
  4. Shkolla
  5. Numër telefoni
  6. E-mail adresë

 

 

 

Box

Përse u zhvillua debati i të dhënave personale të prindërve

“Nxënësve po u merren të dhënat për t’u përdorur në periudhën e zgjedhjeve”. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga Partia Demokratike, pikërisht nga deputetja Albana Vokshi, e cila pohonte se me mbledhjen e këtyre të dhënave shkelej haptazi Kushtetuta, Ligjin për Arsimin parauniversitar dhe ligjin për Mbrojtjen e të dhënave Personale, të cilat ndalojnë rreptësisht përdorimin ose përpunimin e tyre, pa ditur qëllimin dhe pa dhënë pëlqimin.

Ndërkohë, i menjëhershëm në atë periudhë ka qenë edhe reagimi i ministres së arsimit, Lindita Nikolla, e cila pohonte se kjo kërkesë nga mësuesit ndaj fëmijëve, është bërë për të ndërtuar një komunikim të ri me prindërit me anë të teknologjisë, për t’u informuar se çfarë ndodh në shkollë dhe në politikat arsimore që ndërmerr ministria.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: