PRAPË U MBLODHËN “ATA” – OPINION NGA FRROK ÇUPI

PRAPË U MBLODHËN “ATA” – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Ata” quhen në të folmen e ditës, të gjithë kundërshtarët politikë që një ditë mblidhen për të rrëzuar qeverinë. Ky moment vjen herë në fund të një legjislature, herë në një periudhë kur opozitarët mendojnë se qeveria është e dobët dhe mund t’i zënë vendin.

Herën e kaluar kur “ata” u mblodhën dhe themeluan këtë “zakon politik”, ka ndodhur në vitin 2013. Opozita e majtë në atë kohë lëshoi thirrjen, që të mblidhen të gjithë për rrëzimin e qeverisë së djathtë demokratike. Disa zëra majtistë në media, duke dashur t’i japin zjarr thirrjes, thanë se duheshin mbledhur “të gjithë qelbësirat”. Në moralin politik hyri si një fjalor i përditshëm “të gjithë qelbësirat”, që nënkuptonte se edhe sikur me forca të pavlerë, ose edhe antivlerë, të mblidhemi kundër qeverisë...

Me një thirrje të tillë politike për marrjen e pushtetit “me çdo kusht”, shoqëria politike ka pësuar një deformim të tmerrshëm: Qeveritë nuk ndërtohen njëra më e mirë se ajo që ishte, por “qelbësirat” ndërtojnë qeverinë e nesërme më të keqe se të sotmen. Më butë është thënë ndonjëherë tjetër kur është definuar se “nuk votojmë për të fituar”, por për të rrëzuar atë që është”...

Nuk do të doja që të përdorej më fjalorthi “të gjithë qelbësirat”, por më duket se një skenë të ngjashme po përjetojmë edhe sot. “Ata” po mblidhen për të rrëzuar qeverinë “Rama”. Dje është bashkuar me grupin opozitar edhe një parti që ka pasur aleanca të gjata me qeverinë e majtë, PDIU. Megjithëse njëri nga kryetarët opozitarë, Nard Ndoka, deklaroi menjëherë se “koalicioni PD- PDIU, si pemë pa kokrra”, prapë këta kanë vendosur që  të mblidhen “me vlerë e pa vlerë/ me kokrra e pa kokrra”.

Ajo që pritet është një qeveri e projektuar që sot, më e keqe se ajo që është...

Por pse ndodh që prapë e prapë mblidhen “ata”?

1.

Stina e “bereqetit’

Partitë politike tashmë nuk janë grupime dhe laboratorë idesh, as programesh, as pozitash për kombin dhe për prosperitetin. Partitë politike janë klika biznesi. Një parti e caktuar, si PDIU, tashmë nuk shikon leverdi ekonomike te qeveria, ku është betuar se do t’i shërbejë vendit. Atëherë merr rrugën dhe  largohet nga koalicioni qeveritar. Ose është dobësuar qeveria dhe nuk ka më financa për partinë e vogël, ose partia e vogël ka parë një “ëndërr” se andej nga opozita po duket fantazma e pushtetit. Nga gjashtë parti që janë mbledhur në grupimin opozitar, vetëm njëra prej tyre nuk ka qenë në koalicion me Partinë Socialiste, në qeveri. Të gjitha të tjerat kanë lëvizur sa në njërën anë në tjetrën në çdo stinë kur janë konstatuar “të korrat” në njërën anë. Nesër do të kemi një qeveri ku do të plasë “grushti”, cila parti do të marrë më shumë për vete.

Të gjithë “kundërshtarët” - së bashku.

Ndarja mes palës mazhoritare në qeveri dhe palës opozitare, tashmë është një fiction. Gjatë rrugës 4-vjeçare kur të dy palët bëjnë politike ballë për ballë, në rastet kruciale bëhen bashkë. O ndërtojnë strategji të përbashkëta për të mbrojtur njëra-tjetrën, o punojnë për të krijuar ligje që t’u duhen të dy palëve në një orë të caktuar, por jo aq shumë interesave të demokracisë. Në kujtesën e votuesve kanë mbetur disa momente kyçe, kur të dyja partitë kryesore kanë bërë marrëveshje ku janë sakrifikuar Kushtetuta e Republikës, Drejtësia, Pluralizmi politik, etj. Marrëveshja e Majit 2017 mes PD dhe PS ka mbetur si një gur në portë, që nuk e lë opozitën të dalë nga një errësirë e momentit kur u formulua Marrëveshja.

Një qeveri e nesërme e krijuar me grumbullimin “e të gjithë atyre”, padyshim që sjell një qeveri me mbetje “inerte” në muret e saj.

3.

Rruga e zënë.

Nuk është vetëm instinktive, por është një akt i studiuar mirë ky që ndodh me bashkimin e të gjithë “atyre” kundër qeverisë pesë- vjeçare, tashmë mjaft të konsumuar. “Ata” që po bashkohen, nuk kanë paraqitur asnjë program për çfarë do të ndodhë me qytetarët, me banorët e vendit, me njerëzit që kërkojnë të jetojnë më mirë. As kanë vëmendje të tillë. Nuk e di nëse qytetarët e konstatojnë këtë, apo veçse i shkojnë pas zhurmës për të rrëzuar qeverinë... “Ata” të bashkuar bëjnë mirë “helmimin” e shpirtit të të pakënaqurve. Të pakënaqurit e dinë se ka varfëri dhe këta u thonë se “do të vdisni për bukë”. Të pakënaqurit e dinë se ka krim dhe këta u thonë se “do t’u vrasin në shtëpitë tuaja’. Edhe “helmimi” bëhet me qëllim jo qeverisjeje të mirë, por me qëllim që të marrin në dorë pushtetin... Pastaj, shikojmë e bëjmë pas katër vjetësh, të njëjtin helm lëshon pala tjetër!...

Por me këtë “garë” ballë për ballë, të dyja palët u kanë zënë rrugën forcave të reja politike. Të dy palët sot iu përkasin kastave sunduese, ose establishmentit politik, siç po thuhet në letërsinë e huaj politike. Nëse çdo katër vjet do të mblidhen “ata”, ose sipas fjalorthit të përdorur në vitin 2013- “të gjithë qelbësirat”, atëherë vendi ynë mbetet prapa botës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: