PORTRET/ Ndrek Luca, fenomeni i kalibrit të rëndë

PORTRET/ Ndrek Luca, fenomeni i kalibrit të rëndë
Një portret mbi një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë, Ndrek Luca, “Artist i Popullit” në përkujtim të ditëlindjes së tij. Një vështrim nostalgjik mbi disa nga aspektet e jetës së një gjeniu të thjeshtësisë së profileve karakteriale, i cili edhe sot, mbetet një nga figurat më të spikatura të filmit dhe teatrit shqiptar.

Djali nga Dukagjini Ndrek Luca, malësori me portretin unik dhe shikimin e mprehtë, ndoshta në rininë e tij mendonte se jeta e tij ishte projektuar që të ishte ushtarak, kjo edhe nga rrënjët e thella të trimërisë dhe heroizmit që mbante në gji treva nga vinte. Por ja që jeta, pasioni i tij dhe talenti kishin shkruar për të një fat tjetër. Janë shumë të paktë aktorët shqiptarë të cilët i kemi dashur e i kemi urryer, në të njëjtën kohë. Kjo sepse figurat e interpretuara me mjeshtëri nga i madhi Ndrek Luca kanë qenë aq të vërteta dhe aq thelbësore, sa që të gjithë ata që kanë ndjekur filmat ku ka qenë në rol, kanë ndjerë shpirtërisht një lidhje me personazhet e tija. Në jetë rrëfejnë për të që ishte ashtu siç lindi, një malësor me kode besnikërie dhe hije të rëndë, një familjar i mirë dhe i drejtë, një mik i vyer. Por në kohë si këto, kur arti dhe kultura kanë shkuar në vend episodik, figura madhore e Ndrek Lucës i mungon edhe më shumë skenës dhe ekranit shqiptar.

Pak biografi                

Lindur më 3 Shtator 1927 në Dukagjin dhe  familja e tij u shpërngul në Shkodër qysh kur ai ishte në moshë të vogël. E kishte pasion aktrimin që në fëmijëri dhe ky pasion e shtyu atë që në vitin 1950 të kërkojë nga organet e kohës të aktivizohet më Teatrin e Ushtrisë, pas mbërritjes së tij në atdhe, në përfundim të Shkollës e Aviacionit kryer në Jugosllavi. Falë talentit të jashtëzakonshëm dhe përkrahjes së regjisores ruse të këtij teatri, Zina Andro, kalon në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1950 si aktor profesionist. Roli i tij i parë në teatër do të ishte po atë vit, në 11 nëntor, roli i Shpend Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria” të Kolë Jakovës. Më tej do të vazhdonin një galeri e tërë personazhesh, mbi 100 role të spikatura, që do ta bënin Ndrek Lucën një nga aktorët më të dashur të publikut shqiptar të të gjitha moshave. Shkëlqeu në rolin e Xhirit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, në rolin e Jagos në tragjedinë “Otello” i Shekspirit, në rolin e Bacës së Gjetajve në dramën “Baca i Gjetajve” të Fadil Krajës, në rolin e Lekës në dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës, në rolin e Brung Trolit në dramën “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës e shumë role të tjera. Por nuk u ndal vetëm me interpretimin por shkroi edhe pjesë teatrale ku më e njohura është “Shtatë Shaljanët” si dhe “Votra e huaj”, të interpretuara në skenën e Teatrit Kombëtar si dhe pjesët “Andra në diell”, “Bardha”, "Histori Irkutase" etj. Në kinematografi roli i tij i parë ishte ai i Tomorrit në filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1963. Më tej do të vazhdonin më se 30 role ndër më të spikaturat, ku mund të përmendim rolin e Dom Palit në filmin “Komisari i Dritës”, rolin e Kapter Rahmiut në filmin “Duel i heshtur” , rolin e Gjinit në filmin “Plagë të vjetra”, rolin e Pjetër Mustaqekuqit në filmin “Operazioni Zjarri”, rolin e Ndrios në filmin televiziv “ Udha e shkronjave” etj. Në pension doli në vitin 1987 por kjo nuk e ndau nga skena dhe ekrani.

Vlerësimet në festivale dhe çmimet

Të shumta kanë qenë medaljet dhe çmimet që ai ka marrë gjatë karrierës së tij. Kështu për rolin e Gani Herrit në filmin e “Rrugicat që kërkonin diell” ai do të vlerësohej me Çmimin e I-rë dhe me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 5 deri në 11 prill të vitit 1976 në Tiranë.

Për rolin e Mark Sokolit në filmin televiziv “Flaka e Maleve” ai do të vlerësohet me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e V-të të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 19 deri në datën 23 prill të vitit 1983 në Tiranë.

Për rolin Vuhan Pashait në filmin “Balada e Kurbinit” ai do të vlerësohej me Medaljonin Festivalit në Festivalin e IX-të të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 12 deri në 17 nëntor të vitit 1991 në Tiranë.

Pas ndarjes nga jeta dhe nga familja e tij e dashur, në 13 Janar të vitit 1993, për nder të tij Bashkia e Tiranës në vitin 2005 ka titulluar me emrin e tij një nga rrugët e kryeqytetit. Për meritat e tij artistike Ndrek Luca është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.

Vlerësime kolegësh

Mevlan Shanaj

“Mjeshtëria e Ndrek Lucës këmbëngul në krijimet e tija të papërsëritshme brenda një kategorie karakteresh, në fakt në skalitje krejtësisht të ndryshme. Ju po citoni priftërinjtë që janë aq shumë të dallueshëm, megjithëse kanë në thelb aksionin e fshehtë. Te “Komisari i dritës” kemi të bëjmë me një impuls të brendshëm erotik, ndërsa te “Udha e shkronjave” me impulse të dhunës që vijnë nga fanatizmi i errët, të dyja mjaft komplekse. Por kështu me plastike shprehëse janë vizatuar apo gdhendur mirë prej tij edhe malësorët, si te “Plagë të vjetra”, “Nga mesi i errësirës”, “Baca i Gjetajve”, “Flaka e maleve”, “Operacioni zjarri” apo tregtarët si te “Pylli i lirisë”, “Rrugicat që kërkonin diell” etj.”

Rikard Ljarja

Rikard Ljarja pas vdekjes së tij është shprehur:

“Atij i plasi shpirti. Vdekja e tij ishte një protestë kundër gjithë helmit e handrakut që gufoi e rridhte gjithandej e gjithkund, grykësisë, pseudokulturës, pseudodemokracisë, pseudoatdhetarisë e pseudofetarisë.

Edhe këtë radhë ai nuk kishte kohë, nuk kishte kohë dhe mundësi të merrej një i vetëm kundër gjithë asaj hipokrizie dhe shtiracakësh që e rrethonin, dhe iku. I la të gjithë. I përbuzi. Nuk i duronte, sepse i vetëm nuk mund t’i përballonte. Por Ndreka është gjallë, është gjallë në gjithë veprën e tij aktoriale, edhe atë të shkruar, është gjallë edhe në të gjithë vdekjet e panumërta që ka interpretuar. Fenomeni Ndrek Luca ishte madhështia e thjeshtësisë. Duhet studiuar dhe duhet marrë shembull’’

Si e kujton bashkëshortja, aktorja Mimika Luca

Gjatë një interviste televizive, pak kohë më parë, bashkëshortja e Ndrek Lucës, aktorja e mirënjohur Mimika Luca, kujton me nostalgji dashurinë e madhe që e lidhi me aktorin e madh, që në moshë të re, kur si balerinë 16 vjeçare, palazhitej në pishinën e teatrit.

Fëmijët janë rritur me dashuri të madhe, jo si fëmijë por si shokë. Kur hanim bukë bisedonim me ta si të kishim përpara dy të barabartë me ne, kishte një lloj demokracie në familje. Ndreka edhe pse ishte nga Malësia, ishte shumë modern dhe i zhveshur nga mentalitetet. Në një kohë kur askush nuk vishte pantallona ai më thoshte vishi. Natyrisht nuk i pëlqente ekstravaganca. Ndoshta pasioni i madh për artin e bënte të superonte kohën në mendim, mentalitet. Edhe pse kishte edhe gjëra të vogla: për shembull cigaren nuk ma linte ta pija, pavarësisht se unë e pija, por jo në sy të tij. Duke qenë njeri bruto nuk kishte format delikate të një burri që i bën komplimente gruas dhe mua kështu më pëlqente.

Kam shumë momente të bukura. Një nga ata është kur lindi vajza. Prindërit e tij donin që të lindte djalë. Erdhi në maternitet me një tufë të madhe të bukur me trëndafila të kuq. Unë ndërkohë mendoja se do t’i ishte prishur një çikë qejfi që kisha lindur vajzë, por ai nuk ishte mërzitur absolutisht. Në tufën e trëndafilave kishte shkruar një letër: Të na rrojë Rozafa. Kështu ia vendosi edhe emrin vajzës. Unë isha rritur nga një nënë e fortë, e ashpër, kisha jetuar vetëm me të. Isha e tulatur, e urtë, e qetë mirëpo një ditë, kur edhe mamaja ime ishte në shtëpinë time iu ktheva Ndrekës për diçka dhe i thashë: Ti nuk di. Ai nisi të më bërtiste me zë të lartë duke më thënë se ç`ishte ajo fjalë që i kisha thënë e si nuk dinte ai. Pak minuta më vonë, u vesh dhe do nisej për ekspeditë xhirimesh. Unë shkova tek dera dhe u puthëm, u takuam normalisht. Kur mbylla derën dhe u ktheva nga mamaja pashë fytyrën e saj gjithë inat: A ke dinjitet? Kështu më tha. Po përse, i thashë? Po ju u zutë pak më parë, ai të ulëriti. E ta mendosh që unë kisha harruar fare që ishim zënë e përse ishim zënë.”

 

Si e kujton i biri, Gjergj Luca

Ja si e kujton biri i tij ndarjen nga jeta të aktorit të madh, një ditë kjo e rëndë për të dhe gjithë artin shqiptar, në një libër kushtuar të atit, “Madhështia e thjeshtësisë”:

“Në një ditë të zakonshme, si gjithë ditët e tjera, u ngrit herët, bëri ritualin e mëngjesit, mori biçikletën, një “bianchi” femrash të zezë të paraluftës së Dytë Botërore, që i shërbeu pothuajse gjithë jetën për të shkurtuar rrugët dhe për të kursyer kohën, futi nën sqetull një trastë dhe doli për të bërë pazarin…

U kthyer rreth orës dymbëdhjetë. Në njërën dorë mbante trastën me ato që kishte blerë, në tjetrën biçikletën dhe ngjiti shkallët deri në apartament. Pas pak vdiq. Thjeshtë. Nga një goditje në zemër. Më 13 janar 1993 po kthehej në shtëpi, pasi kishte bërë pazarin e përditshëm dhe, porsa hyri në shtëpi, kërkoi një valium. “Ç’është ky valium, – i thotë Mimika që po ushqente vajzën time, – ti nuk e merr natën e jo më ditën.”

Im atë nuk ktheu përgjigje, u shtri në divan dhe mbas pak mbylli sytë. Një shoqe e motrës sime, mjeke në urgjencën e lagjes, mbërriti shumë shpejt dhe i dha ndihmën e parë. Me këshillën e saj u nisëm vetëtimthi për në spital, por Rruga e Dibrës ishte e bllokuar nga një karrocë e përmbysur. Ulërija dhe i bija borisë të më hapnin rrugën. Më në fund kapërceva mbi trotuar e me shpejtësi marramendëse arritëm në spital… E kotë, im atë nuk i hapi më sytë…

Nuk di sa shpejt u përhap lajmi.. Me t’u kthyer në shtëpi dhe gjatë gjithë natës miq, shokë, të afërm, artdashës hynin e dilnin e merrnin pjesë në hidhërimin tonë. Në mëngjes erdhën dy punonjës të Presidentit, e duke më dorëzuar ngushëllimet e Presidentit, shtuan: “Në Lidhjen e Shkrimtarëve kanë filluar përgatitjet për t’i bërë të gjitha nderimet që i takojnë “Artistit të Popullit…”

“Ju faleminderit, – tha nëna ime, – Ndreka ka lënë dy amanete: T’i vëmë në kokë qeleshen e dhuruar në Kosovë dhe ta përcjellim nga shtëpia e tij.”

“Na vjen shumë keq, – u përgjigjën me mirësjellje, por është e drejta juaj të vendosni… Shpërndanë mbi trupin e tim eti lulet që kishin me vete, duke e ledhatuar në ballë e u ulën për disa minuta sipas zakonit.

Mbas pak mbërriti Teatri i Shkodrës, shokë të fëmijërisë, miq dhe farefis nga Dukagjini. Serafin Fanko nxori nga xhepi një fjongo kuq e zi dhe ia mbërtheu tim eti në gjoks: “Tashti u plotësove, o Ndrekë! Qeleshja e bardhë dhe flamuri. Ky ishe dhe ky do të mbetesh në kujtimin tonë!” Dhe vaji përfshiu gjithë dhomën…

Erdhi ora e përcjelljes…

Arkivoli u mbajt në krahë nga shokë e artdashës përgjatë gjithë rrugës “Myslym Shyri”, deri në kryqëzimin e Unazës. Kalimtarët ndalonin e përshëndetnin me dhimbje e respekt dhe shumë prej tyre bashkoheshin në kortezhin e gjatë, që mbanin kurorat e lulet e shumta. Varrimi, edhe pse i paorganizuar, kishte një pjesëmarrje të madhe e të larmishme. Kulmi arriti kur varreza oshtiu nga duartrokitjet, njësoj si në shfaqjet e suksesshme të tim eti…

Tani ai nuk është më fizikisht midis nesh. Nuk mund të ngjitet më në skenë, nuk shkon në sheshin e xhirimit, nuk e ndjekin prozhektorët, por ende transmeton e do të transmetojë përherë fuqinë e tij jetësore e artistike ndër personazhet e shumtë të krijuar e interpretuar prej tij. Ky është im atë, Ndrek Luca!”

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: