POLICI I QATARIT – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

POLICI I QATARIT – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Polici i Qatarit ndodhet në Tiranë, jo në Qatar... As Katari (shqiptim) nuk është i vërtetë, as ambasada nuk është e vërtetë, as polici - jo. Rruga ku ndodhen ambasada dhe polici i Katarit, ka një emër enigmë: Thonë se, Asim Zeneli - emrin e të cilit e mban rruga - ishte një hero i madh i Luftës së Dytë, por një grup kineastësh që deshën të bëjnë filmin mbi “heroin”, nuk gjetën asnjë të dhënë. Muzetë e komunizmit që kishin vetëm fotografi - u shembën; edhe vetë Wikipedia ka vetëm dy rreshta të shkruar për “heroin” dhe në të dy rreshtat, ka dy ditëlindje: Njëra më 1916, tjetra më 1930...

Të gjitha këtu janë false...

Duke u nisur që nga Katari, Ambasada e Katarit dhe Polici i Katarit.

Polici që ruan stelin e ambasadës, herë është i kuq, herë i hajthëm, herë si kokërr mollë. Sa herë që polici grindet me civilë, që duan të parkojnë makinën në rrugën para ambasadës, nga selia - një godinë që ka qenë klub për ëmbëlsira dhe koktejle - dalin dy a tre djem rrumbullakë të ngjeshur me kravata dhe me mjekër. Të gjithë janë të rinj, por të gjithë pasionantë të Katarit Islamik. Policët që nga dita kur u vendos ambasada e Katarit, kanë zgjatur falsitetin e “sigurisë”. Në fillim kishin vetëm nja shtatë a tetë metra rrugë të okupuar me mbishkrimin “Ambasada e Qatarit”, tani kanë zënë gjithë rrugën - nga fillimi deri te koshi i mbeturinave. Punë vullnetare. Kushedi sa metra rrugë shesin për vete! Në mbrëmje, vijnë të rinj që duan jetë nate dhe japin nga 200 lekë në dorë...

Polici i Katarit është fals edhe me besimin e tij. Thonë se ambasada vetë i ka zgjedhur me dorë, “cili beson më shumë Islamin”, por në fakt këta ua bëjnë me sy të rinjve që shkojnë për jetë nate, “jetë djalli”.

O Zot, gjithçka false...

Vetë Katari është një emër fals, ndoshta edhe një shtet fals - siç e mendoj, përderisa u njoh nga Amerika, vetëm në vitin 1974. Emri, po e po, fals: Këta e shkruajnë “Qatar”, por shqiptohet “Katar”. Diplomatët “qataratas” thonë se kanë nisur të tërbohen kur në shqip e shkruajnë jo “Q”, por “K”. Në shtetin e tyre, kanë vetëm rreth 300 e ca mijë qytetarë qataratas, ndërsa emigrantë mbi 2.5 milionë. Fenë Islame e kanë zyrtare.

Ambasada e Katarit e vendosur në Tiranë, është vetëm një “fantazmë”. Edhe pse në rrugë të ndalojnë “no pasaran” se “ambasada e Qatarit”, në fakt ambasadori nuk i ka dorëzuar letrat kredenciale te kryetari i shtetit. Edhe tabelën ku ndalohet parkimi i makinave e kanë alla soj: Një zig- zak si në një fustan prej Qatari, ku shkruhet “Ambasada e Katarit”. Asgjë zyrtare e shtetërore shqiptare, në tokë shqiptare...

Vetë shteti shqiptar kthehet në “falsitet” në këtë copë rrugë, ku shtrihet “Qatari”. Shteti që ka marrë angazhime para kombit për të kontrolluar çdo centimetër të territorit, nuk kontrollon as rrugën “Asim Zeneli” në mes të Tiranës. Këtu nuk figurojnë simbolet e shtetit shqiptar, por disa si zbukurime grash qatarase.

Ndoshta do të vijë dita që, edhe kjo rrugë, me emrin e një myslimani “Asim Zeneli”, të konsiderohet territor “Qataras”; përderisa nuk ka asnjë simbol të shtetit shqiptar, ka vetëm simbole qatarase.

Po pse u nxituan kaq shumë qatarasit që të vendosen pikërisht në këtë pikë të globit dhe në këtë rrugë të Tiranës? Jemi pikërisht përballë selisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Që këtej, aleatit i bëhen përgjime, survejime dhe të paktën karshillëk... Po shtetarët shqiptarë, si e gjetën pikërisht këtë vend që t’i bëjnë shantazh ambasadës së Amerikës?! Gjatë krizës diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Katarit në vitin 2017, presidenti Trump kërkoi besueshmëri nëse duheshin zhvilluar ato marrëdhënie. Në 6 qershor 2017, Trumpi shkroi në Twitter: “Gjatë vizitës sime në Lindjen e Mesme, kam theksuar se nuk do të financohet më ideologjia radikale - dhe e vuri gishtin mbi liderët e Qatarit. Duke folur para liderëve të Arabisë Saudite, ai përsëri iu referua Qatarit si “linjë e ashpër e financimit të ekstremizmit”.

“Ndoshta ky do të jetë fillimi i fundit të tmerrit të terrorizmit”, - tha Trump. Kemi shtetarë antiamerikanë dhe pro Qatar, më duket. Por edhe kjo del false kur të përmendet Amerika...

Kthehemi në seriozitetin kombëtar. E gjithë parulla jonë kombëtare, po kthehet në falsitet. Shteti të bën atë që nuk ta bëjnë as uraganet, as kolera, as akullnajat. Pak nga pak, po bie autoriteti i zotit komb. Vjen një qataratas, jep dy lekë nën dorë, dhe vë simbolet e tij e shkel me këmbë qytetarët e vendit, anëtarët e kombit..., pastaj të shkel autoritetin e kombit, pastaj të shkel territorin e kombit, pastaj aleatët e kombit... Shteti kur të bën keq, të bën atë që nuk ta pret mendja.

Një polic i Qatarit t’i vë përpara njerëzit e tu...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: