Po shtrenjtohet kostoja e jetesës, rritja e çmimeve nuk ka të ndalur

Po shtrenjtohet kostoja e jetesës, rritja e çmimeve nuk ka të ndalur
Zarzavatet pësuan rritje deri në 25% të çmimit gjatë muajit gusht, kur në fakt ai duhej të kishte ulje të tyre për shkak të efekteve sezonale. E njëjta dukuri edhe për frutat, apo qumështin, etj. Rritja e çmimeve të tyre nuk po ndalet nga muaji në muaj, as nga viti në vit

Të ushqehesh, të banosh, por edhe të vishesh e të argëtohesh, shqiptarëve po u kushton gjithmonë e më tepër. Duke e bërë koston e tyre të jetesës, edhe më të shtrenjtë se më parë. Një dukuri kjo e konstatuar edhe gjatë kësaj vere, kur të paktën për prodhimet sezonale, qytetarët prisnin të paguanin më pak, por nuk ndodhi aspak kështu.

“Asnjëherë si këtë verë, nuk i kemi blerë kaq shtrenjtë domatet, kastravecat apo specat”, pohon pensionistja E.L. nga Tirana, ndërsa mendohet disa herë para se të blejë diçka në dyqanin e lagjes.

Por edhe vetë ekspertët e Institutit të Statistikave e konfirmojnë dukurinë në fjalë, duke dhënë shifrën mjaft të lartë, deri në 23.5% të rritjes së çmimeve për grupin “zarzavate-patate” vetëm gjatë gushtit. Muaj ky kur presupozohet që ato duhet të kenë edhe çmimet më të ulëta të tyre. Në tërësi sipas tyre, ushqimet kanë pësuar një rritje të dukshme gjatë këtij muaji, deri në 3.4%, krahasuar me të gjitha grupet e tjera.

Për të vijuar kështu në fakt, trendin rritës të konstatuar edhe gjatë muajve pararendës, si korriku, qershori apo maji, kur sërish rritja e tyre i kapërcente nivelet prej 3%. Apo edhe atë të muajve të vitit të kaluar, çmimet e ushqimeve gjatë të cilëve nëse do t’i krahasonim me ato të vitit pararendës, 2016, kanë shënuar një rritje deri në nivelin prej 8.5%.

Dhe nëse shohim me kujdes ecurinë e tyre, mund të themi se nuk bëhet fare fjalë për ulje të çmimit të ushqimeve, qoftë edhe për një muaj të vetëm, ndikuar nga ndonjë efekt sezonal të mundshëm, porse ato kanë ardhur vetëm në rritje.

Nga ana tjetër, ajo që bie në sy në listën e çmimeve është edhe fakti se pas zarzavateve, janë pikërisht frutat që kanë pësuar rritje të dukshme të tyre, nga muaji në muaj. Pasuar edhe nga ato të grupit “qumësht, vezë dhe djathtë”. Për të treguar kështu, se artikujt kryesorë ushqimorë të shportës së një familje shqiptare, sa vijnë e po shtrenjtohen.

 

Krahasimi, rritja e çmimeve në Shqipëri, më e shpejtë se në BE

Rritja e çmimeve është një dukuri, e cila ndodh kudo, edhe në vendet e Bashkimit Evropian, porse çështja është pikërisht tek krahasueshmëria e ecurive të saj në to.

Kështu, sipas të dhënave më të fundit të Institutit Evropian të Statistikave, rezulton se mesatarja e rritjes së çmimeve të konsumit gjatë muajit gusht 2018 në BE ka qenë 2%. Kurse në Shqipëri, më e lartë, respektivisht në 2.1%.

Nga ana tjetër, nëse do të bënim krahasimin me vende të veçanta, i bie që çmimet për një shqiptar në muajin gusht të jenë rritur më shumë se një qytetar italian, spanjoll, grek, danez apo polak e irlandez, që këtë tregues e kanë patur më të vogël se 1%. Sikundër, mund të thuhet se ka edhe vende të tilla si Anglia, apo Rumania ku rritja e çmimeve vetëm për muajin gusht iu afrua kufijve prej 5%.

 

Edhe të banosh tani kushton më shumë, qiratë veç në rritje

Sikur të mos mjaftonte rritja e kostos së ushqimit, familjes shqiptare së fundmi duket se po i rëndon mbi shpatulla edhe ajo e kostos së të banuarit. Konkretisht, sipas të dhënave të INSTAT-it, qiratë janë rritur deri në nivelin prej 2% gjatë muajit gusht, për të pasuar këtë trend që është vënë re gjatë dy viteve të fundit, asnjëherë në rënie, edhe ai si ecuria e ushqimeve. E nëse do të analizonim zërat e të banuarit, shqiptarëve rezulton se u ka kushtuar këtë gusht më shumë uji i pijshëm, por edhe kostoja e mirëmbajtjes së banesës, deri në nivelin prej 2.5%.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: