Paraqitja e dobët me Skocinë, rritet pesimizmi në kampin kuqezi

Paraqitja e dobët me Skocinë, rritet pesimizmi në kampin kuqezi
Paraqitja e dobët përballë skocezëve ka shtuar së tepërmi pesimizmin në kampin kuqezi, për përsëritjen e suksesit të kaluar edhe në Euro 2020

Aranit Muraçi

Skocia e kishte humbur miqësoren e fundit me Belgjikën me shifrat e thella 4-0, por përballë ekipit që zuri vendin e tretë në botërorin e fundit. Skocia duhej të bënte kthesën në ndeshjen zyrtare ndaj Kombëtares së Shqipërisë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Christian Panucci e bënë kthesën ndaj Izraelit, pas të njëjtit zhgënjim që pësuam në miqësoret e kaluara, por vetëm në rezultat dhe e humbën ekuilibrin në ndeshjen e radhës duke zhgënjyer si në lojë, ashtu edhe në rezultat.

Steven Naismith i rikthyer nga trajneri skocez Alex McLeish ishte lojtari që shkëlqeu mbi të tjerët në fushë, në fitoren 2-0 të ekipit vendas ndaj Shqipërisë, ndeshje që u zhvillua në stadiumin “Hampden Park” të Glasgoë. Edhe pse  31-vjeç, lojtari që luan me Hearts në Skoci, Naismith, detyroi në fillim të pjesës së dytë Berat Xhimshitin të dërgonte topin në rrjetë dhe realizoi golin e sigurisë pak minuta më vonë.  Skocia kishte humbur 5 nga 6 ndeshjet e fundit, por të gjitha në miqësore dhe ishte nën presion duke fituar ndeshjen më të rëndësishme, takimin zyrtar të Ligës së Kombeve. Fitorja i dha kryesimin e grupit Skocisë, duke qenë pas kësaj fitoreje më afër objektivit sesa kuqezinjtë. Skocia mbetet në kërkim të suksesit që i mungon për kualifikimin në finalet e një eventi të madh, që nga viti 1998, por duke treguar në ndeshjen e fundit se kishte një skuadër më të mirë se Shqipëria. Kombëtarja e Shqipërisë kërkon të përsërisë suksesin e Euro 2016, që mbetet suksesi i vetëm historik i saj, por paraqitja e fundit në lojë dhe rezultat japin pak shpresë. Në Grupin 1 të Ligës C ku bën pjesë Shqipëria, Skocia pas ndeshjes së parë mori kryesimin, ndërsa Shqipëria pas dy ndeshjeve mban vendin e dytë me pikë të barabarta me skocezët. Po ashtu Shqipëria ka një ndeshje më pak edhe se Izraeli dhe duhet të luajë në transfertë me këtë kundërshtar për të shmangur vendin e fundit, çka do t’i sillte në një rast të tillë rënien në Ligën D. Një pjesë e mirë e lojtarët skocezë aktivizohen në Premier League, çka do të thotë se fizikisht ata duhet të ishin më të fortë dhe në fakt e dominuan tërë ndeshjen. Stuart Armstrong i   Southampton ishte i pandalshëm nga mesfusha dhe mbrojtja kuqezi. Kapiteni Andy Robertson, lojtar i Liverpool, shpesh u vendos edhe në shërbim të sulmit skocez, duke e bërë më të lehtë fitoren dhe lojën e vendasve. Shqipëria, si të mos mjaftonin ndryshimet e shumta, nuk ka lojtarë që luajnë rregullisht me klubet e tyre, disa prej të cilëve në liga shumë më inferiore se ajo angleze. Kjo diferencë e madhe u thellua edhe nga moduli taktik dhe paqartësia e kuqezinjve për të organizuar qoftë edhe një aksion të vetëm. Humbja e fundit në Skoci provoi se Shqipëria është shumë larg paraqitjeve në kualifikueset e kaluara dhe pjesëmarrjes historike në Euro 2016. Një mrekulli i çon kuqezinjtë sërish në “Euro 2020”.

 

Eksperimentet e Panucci-t shoqërohen me paqartësi 

Panucci në 10 ndeshjet që ai ka drejtuar deri tani kuqezinjtë, në 7 prej tyre, 4 prej të cilave ndeshje zyrtare, ka ndërhyrë ose përpara përfundimit të pjesës së parë ose në fillim të pjesës së dytë, duke kryer 12 zëvendësime, ku gati në asnjë rast ndërrimet nuk kanë sjellë përmirësim të lojës. Në Maqedoni ai largoi nga fusha njëherësh dy lojtarë Kukelin e Llullakun për Bashën e Memushajn. Në Spanjë Memolla i la vendin Agollit ndërsa Balliu u zëvendësua nga Sadiku. Kundër Izraelit debutoi Sidrit Guri, i cili u zëvendësua nga Bekim Balaj pas 45 minutave lojë.  Ndaj Skocisë u aktivizua Prenga në  vend të Gavazaj. Si të mos mjaftonin ndryshimet e shpeshta në formacionin bazë, edhe ndryshimet gjatë lojës duket se kanë krijuar më shumë paqartësi në radhët e ekipit, që u pa totalisht i çorientuar në Skoci.

 

Panucci më 10 shtator ...dhe kur ishte dikur në Skoci

Trajneri i Shqipërisë Christian Panucci pati shënuar si lojtar, edhe pse mbrojtës kur ishte pjesë e Kombëtares së Italisë në të njëjtin stadium, gol që nxori skocezët jashtë “Euro 2008”. Si trajner i Shqipërisë, me lëvizjet apo përzgjedhjet në fushë, Panucci shënoi një nga paraqitjet më të dobëta të kuqezinjve në ndeshjet zyrtare. Panucci ka kontratë deri më 2020 në drejtimin e Kombëtares së Shqipërinë, me objektivin për kualifikimin historik.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: