Panucci qëndron, por në stolin kuqezi shfaqet “hija” e Hasit

Panucci qëndron, por në stolin kuqezi shfaqet “hija” e Hasit
Pas paraqitjes së dobët në Skoci, Presidenti Armand Duka i dha edhe një shans trajnerit

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas humbjes 2-0 me Skocinë në takimin e dytë zyrtar të Ligës së Kombeve, si dhe pas kritikave të shumta që shkuan në adresë të trajnerit Christian Panucci, është shprehur zyrtarisht për vazhdimin e kontratës nga ana e italianit.

“Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Kemi patur mundësitë tona por që nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe defektet, që jam i bindur se trajneri i ka tashmë pikë referimi,’ – theksoi Duka, i cili shtoi më tej. - “Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet t’i japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër.”

Duka nënvizoi se kritikat janë normale për një skuadër kur ajo humbet, sikurse shtoi se “mirëkuptoj çdo shqetësim të tifozëve tanë apo çdo artikulim mediatik por njëherësh i ftoj që këtë situatë jo të mirë ta shndërrojnë duke shpenzuar energji pozitive për kombëtaren tonë!”

Gjithsesi, nëse Shqipëria e humbet ndeshjen e dytë me Izraelin dhe nuk bind në lojë, një rezultat i tillë rrezikon rënien e Kombëtares në Ligën C, çka do të ishte dështim përkundrejt objektivit që mori përsipër Panucci: kualifikimin në Euro 2020.

Në një rast të tillë, FSHF mësohet se e ndërpret kontratën me trajnerin para kohe me mirëkuptim e pa kosto financiare (Panucci merr afro 40 mijë euro në muaj).

Nëse Panucci shkarkohet sot, ai duhet të paguhet për dy vjet sepse është ende brenda objektivit, ashtu sikurse trajneri i ri nuk mund të garantojë asgjë momentalisht.

Ndërkohë që ka nisur të lakohet pasuesi i tij i mundshëm: ish-futbollisti i Kombëtares, Besnik Hasi, i cili aktualisht po drejton ekipin Al Raed në Arabinë Saudite.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: