Opozita mblidhet në Durrës/ Basha: Rama dhe Xhafaj po pastrojnë paratë e drogës me lojëra fati

Opozita mblidhet në Durrës/ Basha: Rama dhe Xhafaj po pastrojnë paratë e drogës me lojëra fati
Deputetët e opozitës kanë bojkotuar sërish seancën e radhës në Kuvendin e Shqipërisë dhe kanë ngritur “parlamentin” në Durrës.

Në fjalimin përpara grupit parlamentar të Partisë demokratike dhe deputetëve të partive aleate, Lulzim Basha ka drejtuar akuzat kundër dyshes Rama-Xhafaj dhe ka paralajmëruar publikimin e “fakteve tronditëse”.

“PD do publikojë fakte tronditëse që tregojnë si Rama dhe Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të shtënë në dorë lojërat e fatit dhe për t’i përdorur për pastrimin e parave të pista të kokainës dhe heroinës dhe aferave korruptive”, tha Basha.

Ai akuzoi edhe kryetarin e bashkisë së Durrësit për të njëjtat lidhje, teksa tha se ky qytet qeveriset nga bandat dhe se “ata që garantuan Xibrakën ata garantuan edhe Maminasin”.

Kryetari i opozitës ka folur për “Ligjin Fusha” që e konsideroi vjedhje dhe paralajmëroi një ligj antimafia për koncesionet e qeverisë Rama.

“Ligji antimafia është bërë gati. Parashikon anulimin e çdo koncesioni korruptiv. Koncesioni korruptiv i Rrugës së Kombit është i papranueshëm është krim i shumëfishtë. Opozita nuk e pranon. Paralajmërim për këdo që vjedh bashkë me Ramën. Do të hetoheni nga dita e parë e biznesit. Vetting financiar. Edhe nëpunësit do të ndiqen, nga nëpunësi më i thjeshtë tek kryeministri. Sikur asgjë tjetër të mos bëjmë, kësaj do t‘i shkojmë deri në fund. Qindra milionë euro do të zbulohen dhe do t’u kthehen shqiptarëve”, tha kryetari i Partisë Demokratike.

Lulzim Basha rikonfirmoi me forcë edhe idenë e Vetingut në politikë.

“Vetingu nuk pengon, kufizon hetimin e politikanëve as familjarëve të tyre. Cili është qëndrimi i PS për hetimin e Olsi Ramës, të Agron Xhafajt? Pse nuk e thotë Edi Rama këtë?”

Sipas Bashës, Edi Rama ka frikë nga Vetingu.

“Teza e tij se PD do që të pengojë reformen në drejtësi me vettingun në politikë, është gënjeshtra më e trashë që ka qarkulluar që nga koha e Adil Çarçanit. Të thuash se vetingu i politikanëve pengon reformën në drejtësi, është njësoj si të thuash se vetingu në polici pengon reformën në drejtësi”.

Kjo është java e tretë që opozita nuk paraqitet në Kuvend në seancën plenare dhe mblidhet në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Në dy javët e kaluara, “stacionet” e “parlamentit” opozitar ishin Shkodra dhe Elbasani. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: