Nuk ndalen kërkesat për azil të shqiptarëve, kryesojnë në Francë, deri 10% në Irlandë

Nuk ndalen kërkesat për azil të shqiptarëve, kryesojnë në Francë, deri 10% në Irlandë
Shqiptarët nuk po ndalen me kërkesat e tyre për të marrë një azil në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ata janë të pranishëm tashmë në çdo raport statistikor që institucionet përkatëse evropiane publikojnë rreth kësaj problematike, krah qytetarëve nga vende në konflikt të armatosur si Siria, apo edhe me situata ende të ndera, si Afganistani, Iraku etj. Edhe në panoramën më të fundit që Instituti Evropian i Statistikave, Eurostat, ka dhënë mbi kërkesat për azil gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, shqiptarët shfaqen sërish në listë, duke zënë 3% të totalit të tyre. E duke u renditur kështu krah vendeve të tilla si Eritrea, Irani apo edhe Turqia, që kanë të njëjtin tregues. Dhe jo shumë larg Sirisë, që kryeson listën e azilkërkuesve me 13% të totalit të kërkesave për azil në BE, apo Afganistanit me 7% të tyre, Irakut ne 6% dhe Nigerisë e Pakistanit, me 4% të totalit të tyre. Nga ana tjetër, ajo që bie në sy mes shifrave të Eurostat-it është fakti se shqiptarët renditen të parët për nga numri i azilkërkuesve në vende të tilla të Bashkimit Evropian si Franca. Këtu, numërohen plot 1495 kërkesa të tyre vetëm gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, duke zënë 6% të totalit. Kurse në Irlandë ata renditen të dytët për këtë tregues, teksa për periudhën në fjalë kanë drejtuar 70 kërkesa për azil, duke zënë jo pak, por deri 10% të totalit të tyre. Në këtë këndvështrim, mund të thuhet se trendi i azilkërkimit në Shqipëri nuk po vjen aspak duke u zbehur, megjithë politikat që organet kompetente janë duke u ndërmarrë për ta goditur këtë dukuri. Duke ndjekur në njëfarë mënyre trendin që po shfaqet vitet e fundit në Bashkimin Evropian. “Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, 136.700 kërkues azili kërkuan për herë të parë mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Kjo ishte një rritje në nivelin prej 4% , krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018, kur u regjistruan 131.400 kërkesa të tilla, ndërsa shumica e aplikimeve u bë nga sirianët, afganët, irakianët dhe venezuelianët”, citojnë ekspertët e Eurostat.

 

3%

Të totalit të kërkesave për azil në vendet e BE-së zunë shqiptarët gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, duke u renditur krah vendeve të tilla si Eritrea apo Irani dhe jo shumë larg Sirisë, Irakut apo Afganistanit

13%

E totalit të kërkesave për azil në vendet e BE-së gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, u zu nga Siria, pasuar nga

Afganistani me 7% të tyre, Irakut me 6% dhe Nigeria e Pakistanit, me 4% të totalit të tyre

 

Gjermania e Greqia, në krye të listës së gjithë kërkesave për azil në BE

Edhe pse jo më nga shqiptarët, të cilët tashmë mesa duket preferojnë Francën për të marrë azil, Gjermania vazhdon të jetë vendi ku bëhen kërkesat më të shumta për një të tillë në tërësi. “Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, numri më i madh i aplikantëve për herë të parë u regjistrua në Gjermani, 33.700 të tillë, ose 25% e totalit të kërkesave për azil drejt vendeve të Bashkimit Evropian”, citojnë ekspertët e Eurostat-it, lidhur me një dukuri të tillë. Duke shtuar se pas saj, renditet Franca, me 26.100 aplikantë, ose 19% e totalit. Pasuar nga Greqia me 16.300 aplikantë, ose 12% e totalit, thuajse në të njëjtat nivele me Spanjën, që për periudhën e lartpërmendur numëron 16.200 aplikime për azil,  ose 12% e totalit. “Në mesin e shteteve anëtare me më shumë se 2000 azilkërkues për herë të parë në tremujorin e dytë të vitit 2018, numri i aplikantëve u ul në krahasim me tremujorin e mëparshëm në Itali dhe Austri, deri në nivelin prej -23% dhe në Belgjikë dhe Suedi deri -10%”, pohojnë më tej ekspertët e INSTAT-it.

 

 

Trendi i ri, të kërkosh azil në vende më periferike të Bashkimit Evropian

Trendi më i ri që po shfaqet mes kërkesave për azil të shqiptarëve, nëse i studion me vëmendje ato, është ai i shtimit të tyre pikërisht në vende më periferike të Bashkimit Evropian, siç është Irlanda. Dhe të tërhiqesh nga dyndja e tyre siç bëhej dikur, në rastin e Gjermanisë për shembull. Kështu, edhe pse kjo e fundit rezulton se mbetet e para në listën e totalit të kërkesave për azil, për shqiptarët duket se nuk është më e tillë, duke u zëvendësuar nga Franca, ndoshta pas refuzimeve të shumta që pala gjermane u ka bërë atyre. Kujtojmë se ky shtet doli disa herë edhe me deklarata të posaçme ndaj qytetarëve shqiptarë, se nuk do të përfitonin azil, pasi vendi i tyre i origjinës, pra Shqipëria, konsiderohet si një vend i sigurt. Për një arsye të tillë, mesa duket, shqiptarët po përpiqen të gjejnë “streha” të tjera në BE, nën pretendimin se aty mund të përfitojnë një azil. Një e tillë për shembull, mund të konsiderohet edhe Qipro, vend ky në të cilin gjithashtu gjatë tremujorit të dytë të këtij viti ka patur një rritje të madhe të kërkesave për azil, në tërësi. “Krahasuar me popullsinë e secilit shtet anëtar, në Qipro u regjistrua norma më e lartë e aplikantëve për azil gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, 1.656 të tillë”, argumentojnë ekspertët e Eurostat-it.

 

Rreth 1 milion aplikime për azil janë ende në pritje

Rreth 1 milion aplikime për azil në vendet e Bashkimit Evropian rezulton se janë ende në pritje për të marrë një përgjigje, qoftë kjo edhe negative. Një fakt i tillë theksohet nga ekspertët e Eurostat-it, sipas të cilëve ato janë ende në

shqyrtim nga autoritetet përkatëse evropiane, duke pritur marrjen e vendimit përkatës. Sipas shifrave, vetëm në fund të muajit qershor të këtij viti, 885.500 kërkesa për azil në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ishin në shqyrtim nga autoritetet, me një rënie prej 8% krahasuar me qershorin 2017, duke shënuar rënie të tyre. “Deri në fund të qershorit 2018, ose pothuajse gjysma e totalit të BE-së, 46% të këtyre kërkesave ende në shqyrtim mbahet nga Gjermania. Pas saj, renditen Italia me 15% të totalit të këtij treguesi në BE dhe Greqia, me 7%.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: