NJË OPOZITE MARKSISTE – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

NJË OPOZITE MARKSISTE – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Gjendja është e rëndë, thotë edhe opozita. Thotë të njëjtën gjë edhe populli që ankohet për gjendjen. Atëherë, çfarë të bëjmë? Të bëjmë opozitë; jo thjesht opozitë për të rrëzuar një qeveri, por për të ndërtuar një të nesërme. Si?

Duke ndërtuar opozitë. Opozita e sotme thotë se nuk ka çfarë bën më shumë. Në bisedat konfidenciale brenda opozitës, liderët thonë:"Po hë, çfarë të bëjmë?". Kjo opozite nuk ka rrugë për më shumë. Pa opozitë nuk ka derë të hapur.

Atëherë, duhet një opozitë e re. Sigurisht që po vjen një opozitë e re.

Opozita që vjen do te ketë fytyrë tjetër. Besimi më i madh është se opozita e re do të jetë marksiste.

Pse marksiste?

1.

Marksistët tani nuk janë as të majtë, as të djathtë. Të djathtët janë deklaruar fort në favor të pronave, por nuk zgjidhën asgjë nga pronat. Të djathtët u deklaruan fort kundër komunizmit, pa e veçuar marksizmin nga leninizmi dhe stalinizmi. Këtu qëndron paqartësia e atyre që besojnë perënditë e vdekura. Kemi rrotull nesh shumë njerëz që mendojnë se në komunizëm ishim më mirë, por nuk janë të qartë se në cilën pjesë të komunizmit. Por janë nostalgjikë. Opozita e re do të mbuloje këtë boshllëk.

2.

Opozita e djathtë ka humbur besueshmëri. Sado që të thuash sot se jam i djathtë, askush nuk beson. E djathta duket se është bashkë me të majtën. E majta nuk është marksiste, as leniniste. Edhe vetë të majtët e tanishëm janë gati të votojnë një të majtë marksiste.

3.

E majta dhe e djathta janë komprometuar. E majta i përket të majtës së re mes Marksit dhe dikujt në këtë shekull. Në këtë mes qëndron ideja e George Soros për të ndërtuar të majte specifike socialiste, jashtë idesë së themeluesit Marks. Në këto rrethana, si të majtë edhe të djathtë kërkojnë identitetin e tyre. Identiteti i bashkon te marksizmi. Nesër do të ngrihet opozita e vërtetë marksiste që do të ngërthejë si të majtë e të djathtë.

4.

Cilat probleme do të zgjidhë një lidership marksist. E para, se nuk do të jetë lidership gjakatar si leninizmi, stalinizmi ose hoxhaizmi. E dyta, se do të ndërrojë shtetin komb. Liberalet soroistë, majtistë dhe djathtistë, i tradhtuan interesat e kombit dhe po ndërtojnë shtet pa komb   Ndarja e Kosovës po rrezikon kombin, jo vetëm shqiptar, por idenë e shtetit komb. Bota është e frikësuar nga lidershipi shqiptar, që nuk është as i majtë, as i djathtë. Atëherë, kërkohet lidershipi marksist që vjen përmes marksizmit.

5.

Marksizmi ka zënë vend si teoria më besueshmërinë që do të shpronësojë të pasuruarit mafiozë dhe do t' i kthejë popullit pasurinë e vjedhur.

Në anën tjetër, besohet teoria e shtetit komb, që e realizon marksizmi.

Ndodhemi në dilemën “Demokraci të dështuar tash vonë” apo “Marksizëm të dështuar dekada më parë”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: