NISMA/ Vetingu për politikanët, PD depoziton p/ligjin në Kuvend

NISMA/ Vetingu për politikanët, PD depoziton p/ligjin në Kuvend
Përmes deputetit Ervin Salianji, Partia Demokratike depozitoi dje në Kuvend, projektligjin për vetingun e politikanëve.

“Vendimi i ynë i sotëm është që do të pranojmë apo diskutojmë çdo lloj hapi për të përshpejtuar votimin në Kuvend. Nuk ka negociata, ka vetëm votim, po ose jo. Nëse votohet do të shpalosen të gjitha procedurat e tjera”, deklaroi Salianji, për mediat pas një veprimi të tillë.

Duke shtuar se propaganda që bëhet nga Partia Socialiste dhe Edi Rama është që t’i shmangen vetingut të politikanëve. Por sipas tij, vetingu është një proces paralel që ecën nga drejtësia dhe se nuk e shmang vetingu i politikanëve hetimin. Përkundrazi, sipas tij, ai e ndihmon dhe largon personat e inkriminuar.

“Edhe sot nuk ndalohet që SPAK-u të hetojë familjarë të politikanëve, këtë e pengon vetëm vullneti politik i Kryeministrit. Ne jemi duke e detajuar të gjithë platformën për largimin e personave të inkriminuar. Rama nuk e do vetingun dhe refuzon të votojë propozimin tonë të depozituar në Kuvend”, u shpreh ndër të tjera Salianji.

Sakaq, i pyetur se cilat janë institucionet që do bëjnë vetingun e politikanëve, ai tha se të gjitha do të përcaktohen gradualisht.

Në vijim, ai shtoi se tashmë çështja që diskutohet është nëse e do apo jo qeveria vetingun e politikanëve. Ai sqaroi se i gjithë procesi i vetingut do të nisë nga drejtuesit e institucioneve publike.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: