Nis shkolla, klasa të mbingarkuara dhe mësim me dy turne

Nis shkolla, klasa të mbingarkuara dhe mësim me dy turne
Marrja e librave, përgatitja e çantës, portofolit si dhe mjeteve të nevojshme për shkollën, duket se ka qenë sinjali për të gjithë fëmijët se, viti i ri shkollor po afron. Për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, zgjimet e vona dhe pushimet mbaruan

Sonila Isaku

Të shoqëruar nga prindërit ose gjyshërit, që herët mëngjesin e djeshëm, mes trafikut të rënduar, të gjithë kanë nxituar të kapin orën 08:00, fillimin e mësimit. Më të vegjlit, disa dhe të përgjumur, nuk i fshehin emocionet dhe as lotët në këtë fillim të ri.

“Kam shumë emocione prandaj qaja; doja të rrinte edhe mami në oborrin e shkollës” - thotë Ajsi, nxënëse e klasës së parë së shkollës “Pjetër Budi”.

Po kështu edhe më dhjetëra vogëlushë të tjerë, i sheh të mërzitur për faktin se nuk njohin mjedisin në të cilin janë gjendur sot, kurse të tjerë e kanë marrë më me sportivitet. Më të rriturit, kanë pritur me padurim të takohen me shokët. Dikush është trishtuar, pasi mësuesja e fillores nuk mund ta ndjekë edhe më lart, ndërsa të tjerë mendojnë se pushimet zgjatën pak.

Mbipopullimi

Por kur flitet për Tiranën, ky fillimviti i ka gjetur shkollat edhe më të mbingarkuara. Për këtë arsye, mësimi do të vijojë me turne, ndonëse janë ndërtuar 4 shkolla e janë rikonstruktuar disa të tjera.

“Për shkak të kërkesave të larta që ka pasur gjithmonë, gjimnazi edhe këtë vit e vijojmë mësimin me dy turne.  Edhe pse me dy turne, jemi përpjekur të krijojmë kushte optimale për nxënësit, në mënyrë që ata të kenë të gjitha mundësitë për të mësuar dhe përballuar këtë sfidë të vështirë ” – tha Teuta Dobi, drejtoreshë e shkollës Sami Frashër. Përjashtim nga mësimi pasdite nuk bëjnë as më të vegjlit. Si paradite ashtu dhe pasdite, numri fëmijëve është mbi normë, 40 për klasë.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe në kopshtet e kryeqytetit, ku vetëm për një kopsht ka pasur mbi 120 regjistrime të reja, sa i takon grupeve të para. Drejtuesit e këtyre institucioneve janë detyruar të hapin nga dy grupe, ndërsa nuk kanë numrin e duhur të edukatoreve, si dhe të shtretërve.

“Fëmijën e kam regjistruar që ditën e dytë kur u hapën regjistrimet për kopshte, por drejtuesit më thanë se nuk ka shtretër, pasi 23 shtretërit e parë janë zënë nga ata të cilët janë regjistruar të parët. Unë e kam të pamundur ta mbaj vetë fëmijën, pasi të dy prindërit jemi në punë. Ndërkohë që sot u përballëm me një ngarkesë prej më shumë se 40 fëmijë në një grup” - pohon Ademi, një prej prindërve të kopshtit 24.

Udhëzimi

Por udhëzimi i ministrisë së Arsimit i miratuar vetëm 4 ditë më parë, parashikon që për kopshtet dhe klasat përgatitore të mos i kalojë 25 nxënës, ndërkohë që për zonat rurale, jo më pak se 15 nxënës.  Sa i takon arsimit parauniversitar, parashikohet që klasat të mos kenë më shumë se 25 ose 30 nxënës dhe për klasat e  gjimnazit, numri i nxënësve të mos i kalojë 30 nxënës. Por sa është zbatuar kjo në shkollat e Tiranës? Drejtues të tyre pohojnë se, përveçse nxënës të arsimit bazë i kanë kaluar në turnet e pasdites, numri i nxënësve në klasa shkon edhe deri në 40.

Po kështu, edhe për kopshtet është e njëjta situatë dhe kjo pas rritjes së kërkesave për frekuentimin e kopshteve publike. Drejtuesit e këtyre të fundit pohojnë se, janë më shpresën se ndoshta prindërit do të shohin ngarkesën e madhe që kanë këto institucione dhe më pas t’i drejtojnë fëmijët e tyre drejt kopshteve private.

Këtë vit shkollor nisën mësimin 480 mijë nxënës, ku 32 mijë  janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës. Përveç vendimit për të dhënë librat falas për nxënësit nga klasa e parë në klasën e katërt, duhet thënë që ky vit i ri shkollor, për herë të parë, do t’i ndalojë nxënësve dhe mësuesve përdorimin e celularëve.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: