Nina Muho: Këngëtarët lirikë shqiptarë po arrijnë majat më të larta botërore

Nina Muho: Këngëtarët lirikë shqiptarë po arrijnë majat më të larta botërore
INTERVISTA/ Flet sopranoja Nina Muho: “Në Shqipëri, me muzikën jetohet njësoj si në çdo profesion tjetër, por nëse si artistë do të pretendojmë të jemi të kuruar dhe të kemi disa lehtësira në jetën e përditshme, atëherë këtu jetesa bëhet e vështirë”

 “Talenti, puna e palodhur, temperamenti dhe grinta që ne kemi si komb, bëjnë që artistët tanë të jenë në majat më të larta botërore”. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, sopranoja Nina Muho, e cila vlerëson nivelin në të cilin kanë arritur tashmë këngëtarët lirikë shqiptarë. Dhe për këtë, një meritë të veçantë i jep shkollës shqiptare, si e tillë. “Shkolla shqiptare është produktive në formimin e përgjithshëm të një muzikanti, por sigurisht kemi shumë vend për përmirësim në aspekte profesionale”, vlerëson ajo. Duke shtuar nga ana tjetër, se nuk do ta kuptonte dot jetën pa profesionin e bukur që ka zgjedhur... atë të sopranos!

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Një emër interesant, i cili tingëllon si emër rus në fakt, Nina. Cili ishte personi që ua ka vendosur atë?

Djali i dajos, (Denison), i cili kur ishte fëmijë më fliste Nina. Dhe kështu, të gjithë njerëzit si pa kuptuar, filluan të më flisnin. Nina, tingëllonte artistik për veshët e mi dhe ndihesha mirë. Kështu vendosa që emri im të ngelej Nina.

 

Kush ju nxiti në rrugën e bukur të këngës lirike dhe kush e zbuloi zërin tuaj në këtë drejtim?

Në rrugën e artit, që fëmijë kam treguar të dhëna artistike në pikturë, këngë, kërcim, organizime koncertesh, recitime, koreografi. Mirëpo, ajo që dominonte më shumë ishte kënga dhe kështu nisi rrugëtimi im kur fillova studimet në Liceun artistik "Naim Frashëri", Vlorë.

 

Si vazhdoi edukimi juaj arsimor në drejtim të këngës lirike?

Kam kryer studimet për kanto në vitin 2000-2004 në liceun artistik të qytetit të Vlorës. Më pas, fitoj konkursin pranë Universitetit të Arteve në vitin 2004 dhe diplomohem me titullin “këngëtare” në vitin 2008. Ndërsa në vitet 2016-2017 kam kryer master në Konservatorin e Veronës.

 

Kur keni dalë për herë të parë në skenë dhe me cilën këngë?

Për herë të parë kam dalë në skenë me këngën "Biçikleta" dhe nëse nuk gaboj, kam qenë 12 vjeçe.

 

Kohët e fundit ishit pjesë e “Opera Soul”. Në çfarë roli ishit këtu dhe çfarë përfaqëson për ju kjo operë?

"Opera Soul" është një cikël koncertal i organizuar nga TKOB-i, ku gjej rastin të falënderoj drejtoreshën Zana Çela dhe drejtor artistik, Abigeila Voshtina, për mundësinë dhe besimin që krijuan për të më bërë pjesë të këtij aktiviteti.

 

Cili ishte roli i parë si profesioniste dhe si ka rrugëtuar jeta juaj artistike?

Roli im i parë ka qenë "Marcellina" në operën "Dasma e Figaros” në Universitetin e Arteve. Jeta ime artistike deri tani ka qenë më tepër koncertale dhe me role të vogla. Shpresoj që këto vite studimi, shumë shpejt të më çojnë drejt roleve të mëdha.

 

Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të afërt?

Aktualisht, bashkëpunëtorët më të afërt janë Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit: Koncert maestër, Ardita Bufaj që punoj aktualisht në Teatrin e Operës, e cila me shumë profesionalizëm është kujdesur për koncertin recital në "Opera Soul", si dhe kompozitori Aulon Naçi.

 

Po jashtë vendit a keni interpretuar dhe ku?

Po, kam interpretuar në Teatro Olimpico (Vicenza) në Teatrin “Santissima Trinità” në Verona, në Sala Maffeiana del Teatro Filarmonico Verona, etj...

 

Kënga lirike sot, a ka hapësirën e duhur në Shqipëri?

Muzika klasike në Shqipëri është e përqendruar më tepër në kryeqytet. Aktivitetet nuk mungojnë dhe vërej që TKOB-i ka një kalendar të ngjeshur me aktivitete ...

 

A mund të jetohet sot në Shqipëri me këngë lirike?

Në Shqipëri, me muzikën jetohet njësoj si në çdo profesion tjetër, por nëse si artistë do të pretendojmë të jemi të kuruar dhe të kemi disa lehtësira në jetën e përditshme, atëherë këtu jetesa bëhet e vështirë.

 

Kush janë idhujt tuaj të këngës lirike?

Idhujt e mi janë disa. Pa diskutim, Maria Callas, Mirella Freni, Angela Gheorghiu, etj...

 

Jeni penduar që keni zgjedhur këtë profesion?

Të them të drejtën, është një profesion jashtëzakonisht i vështirë për ta çuar deri në fund, por absolutisht nuk jam penduar. Nuk do ta mendoja dot të jetoja pa këtë profesion.

 

Si do ta cilësonit shkollën shqiptare të muzikës klasike? Pse  këngëtaret dhe këngëtarët lirikë shqiptar po bëjnë emër në botë?

Shkolla shqiptare është produktive në formimin e përgjithshëm të një muzikanti, por sigurisht kemi shumë vend për përmirësim në aspekte profesionale. Përsa u përket këngëtarëve lirikë nëpër botë mendoj që talenti, puna e palodhur, temperamenti dhe grinta që ne kemi si komb, bëjnë që artistët tanë të jenë në majat më të larta botërore.

 

Cili është synimi juaj në të ardhmen? 

Synimi im gjithmonë ka qenë të shkoj përtej tek publiku. Kudo që të jem duke kënduar, të dëgjoj që kam arritur të prek apo të emocionoj zemrat e tyre.

 

Për ju, cili është kryesor, një zë i bukur, apo një fizik i bukur?

Nëse fiziku i bukur me zërin e bukur shkojnë paralel, atëherë është super, por bukuria më è madhe qëndron tek shpirti

 

Çfarë vlerësoni tek një njeri? 

Tek një njeri vlerësoj shumë inteligjencën dhe të qenit realist.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: