NËSE NUK JE NË TRYEZË, ATËHERË JE NË MENY – ANALIZË NGA SONILA MEÇO

NËSE NUK JE NË TRYEZË, ATËHERË JE NË MENY – ANALIZË NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shprehja e famshme mendohet se është artikuluar në vitet 2000 në Shtëpinë e Bardhë, me idenë se, nëse nuk arrin të jesh një pjesëmarrës në tryezën e vendimeve të mëdha, atëherë “do të të hanë të gjallë”. Kjo logjikë mund të aplikohet kudo e kurdo dhe jam e bindur se secili lexues i këtyre radhëve e ka ndjerë veten herë pjesëmarrës në tryezë e herë “vakt” për të privilegjuarit e tryezës së vendimeve. Por kur rreziku për t’u shndërruar në “vakt”, nuk kërcënon më vetëm një individ, por shumë - një komunitet a popull të tërë - atëherë ngjarja bëhet tragjike, sepse nuk do të mbetet askush i aftë të ndryshojë menynë a të imponojë vend dinjitoz për popullin a komunitetin në tryezën ku merren vendimet në emër të tij.

Vetëm pak ditë më parë, Anketa Europiane e Cilësisë së Jetës e hartuar nga Komisioni Europian, tregoi se shqiptarët ishin popullata me pjesëmarrjen më të ulët në protesta, mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Sipas anketës, vetëm 2% e të pyeturve thanë se kanë marrë pjesë në protesta në 12 muajt e fundit. Për gjithçka - që nga problemet e komunitetit e deri tek ato të drejtësisë, korrupsionit, papunësisë dhe demokracisë, që na prekin si masë më e madhe, si popull. Dhe kjo ndodh njëkohshëm me shifrat alarmante të aplikimeve për lotari amerikane, rreth 360.000 shqiptarë vetëm vitin e fundit ose të tjera anketa ndërkombëtare, ku mbi 70% e shqiptarëve duan të largohen nga vendi. Po të shtojmë mbylljen e shkollave në vend, për shkak të numrit të ulët të nxënësve, rënien e shtesës biologjike të popullatës, rënien e numrit të mjekëve - teksa shtohen aplikimet për mësimin e gjermanishtes - krijon një ide të qartë se, mes zgjedhjes për të imponuar një vend në tryezën e vendimeve të mëdha nëpërmjet protestës, reagimit dhe kërkesës së vijueshme të llogarisë, shqiptarët zgjedhin që, me një biletë avioni, të paktën mos të jenë as në meny (në tryezë jo e jo).

U kuptuam, protesta nuk arrin dot të bindë as vetë shqiptarin, se mund të shkaktojë ndryshim rolesh, se mund të ndryshojë perspektiva e rrjedhën e palogjikshme të pushtetit. Me ikjen, largimin dhe braktisjen e atdheut, shqiptarët dëshmojnë se, kjo është zgjedhja e tyre për një formë tjetër proteste, që bën gjithnjë e më të fortë pushtetin e gjithnjë e më të dobët reagimin brenda vendit. Triumf i pastër i politikës mbi popullin, i pushtetit mbi zgjedhësit, i oligarkisë mbi konsumatorin.

Për ne që kemi mbetur, që nuk kemi ndërmend të ikim ose kushtet nuk na e mundësojnë, ne që kemi probabilitetin më të madh për të qenë meny e një tryeze gjithnjë e më të ngushtë, vendimmarrësish gjithnjë e më të panginjur, ka mbetur të kthjellohemi mirë.

Të organizohesh në reagim, të protestosh a të rezistosh, ka edhe shembuj konkretë, që konsumohen pranë nesh dhe meqë nuk ikën dot, mundet që një frymëzim për të rezistuar deri në “gojën” e babëzitur të pushtetit si meny e freskët, të gjendet. Kujto çfarë bënë banorët e Kukësit, për të zmbrapsur një padrejtësi me vënien e tarifave të kalimit në rrugë pas dhënies me koncesion të mirëmbajtjes së saj! Pavarësisht këmbënguljes së qeverisë për të rivendosur tarifat e sportelet e pagesës, pavarësisht...

Kujto çfarë po ndodh me Aleancën për Teatrin Kombëtar, pas gjoksrrahjeve se në shtator ndërtesa aktuale do të shembej, sot qeveria gjendet përballë detyrimit për të rishikuar ligjin, pasi edhe një nga mbështetësit më të flaktë të saj, ish-ambasadori Lu, do të deklaronte në ikje se ka një shqetësim shumë të madh, sa herë kjo qeveri kërkon koncesione në vend të tenderëve të hapur dhe të barabartë. Për të, në rastin e Teatrit Kombëtar, dhënia e një koncesioni pa garë, një biznesmeni të paracaktuar me ligj nga qeveria, lë hapësira të mëdha për korrupsion. Pra, goditet qartazi modeli i zgjedhur nga kjo qeveri, jo vetëm një herë; sepse ofertat e pakërkuara janë aq të shumta e të shpeshta, sa rreziku që një ditë të gdhihemi në një shtëpi a pronë që është viktimë e një oferte të pakërkuar, nuk është më makth nate, por edhe i ditës për diell.

Edhe vetë Bashkimi Europian - përfaqësia e të cilit në Shqipëri, në mandatin e fundit e ka gjetur thuajse të pamundur të ndalë një seri nismash diskriminuese e korruptive të qeverisë shqiptare - më në fund u shpreh nëpërmjet Drejtorisë së Zgjerimit të Komisionit Europian se, sheh me shqetësim dhënien e projektit të Tetarit të ri Kombëtar një kompanie të vetme, pa garë transparente, pa kritere e në diskriminim të konkurrencës së lirë e të ndershme. Më herët, Presidenti Ilir Meta ktheu ligjin, duke nënvizuar një sërë shkeljesh kushtetuese. Dhe pavarësisht si e servir pushteti reagimin, letrën e Komisionit Europian, duhet të kapemi me thelbin, se rezistenca bën punë, sjell zmbrapsje, vështirëson tretjen e aktorëve në tryezë, që detyrohen të heqin çdo herë diçka nga menyja.

Po të kthehemi në thelbin e reagimeve, ka një arsye që mund të qendërzojë pakënaqësinë. Ai është pretendimi i vijueshëm i kësaj qeverie se, nuk ka pará mjaftueshëm në buxhet për vepra të mëdha, për të mira publike. E për këtë, privati dhe koncesioni është shpëtimi. Sado të bëjmë pirueta në gjetje arsyesh e logjike, çfarë mban sot qeverisjen e pushtetin në tryezën e “bastisjes” së shqiptarëve, është filozofia se, shteti i varfër nuk garanton dot atë çfarë meritojnë shqiptarët, ndaj me privatë e oligarkë të zotë, të mençur, punëmbaruar e modernë, ne (qeveria) mund të ndërtojmë Shqipëri jo vetëm në 3D, mund të shpëtojmë vendin nga varfëria, të sjellim zhvillim e përparim, begati e gëzim për shqiptarët.

Pra, meqë shqiptarët meritojnë rrugë të mira e të sigurta dhe shteti është i varfër, ia japim koncensionin e mirëmbajtjes së rrugës një kompanie, pa konkurs, pa garë transparente, pa studim socio-ekonomik dhe vendosim tarifa, që do paguhen nga shqiptarët mbi një rrugë të paguar një herë po nga xhepat e shqiptarëve. Meqë shqiptarët meritojnë një Teatër gjigant e modern, por shteti është i varfër për ta ndërtuar vetë, ia japim një firme të vetme, me ligj special, pa garë, pa konkurs, pa konsultim publik, pa propozim konkret të çfarë pritet të realizohet përpos Tetarit, megjithëse fitimi i përllogaritur për privatin është mbi 200 milionë euro. Pra, shteti vepron me logjikën e privatit, fitim sa më i shpejtë, në një kohë sa më të shkurtër, pa vrarë mendjen për produktivitet, investime që ofrojnë vlerë të shtuar në ekonomi, për rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike. E rëndësishme për pushtetin është të ndërtojë përfitim të shpejtë, duke deklaruar varfërinë e shtetit dhe duke i besuar verbërisht privatit, për të cilin qeveria bën be e rrufe se është qenia më racionale, zemërmirë dhe e ndershme. E për këtë nuk ka nevojë as të provojë ndershmërinë e aftësinë e vet, as të konkurrojë e as t’i prishet gjaku me reagime e protesta. Suus, popull!

Dhe si për të përforcuar këtë filozofi, të shtetit të varfër, që i beson fort privatit të përzgjedhur, aq sa të mos konkurrojë, të përfitojë sa më shumë nga publikja edhe në shkelje të ligjit, për një të mirë të madhe që ndahet me pushtetin, vjen edhe rasti i fundit i “Air Albania”. Tashmë, një avion ka logon “Air Albania”, ka kryer një udhëtim prove dhe mban emrin e një prej poetëve më të mëdhenj shqiptarë. Çfarë dinë shqiptarët për këtë biznes të ri të qeverisë, që vetëm pak ditë para udhëtimit provë, kompania “Air Albania” është regjistruar në QKB? Një kompani me pronësi të përbashkët, “Turkish Airlines” 49%, kompania shqiptare “MDN Investment” (41%) dhe “Albcontrol” (10%). Marrëveshja u arrit pa asnjë transparencë, edhe një herë qeveria pa asnjë procedurë të njohur e publikuar, zgjodhi një kompani të re fringo, pa sqaruar pse mungoi sërish një garë e si u përzgjodh investitori shqiptar. E gjitha kjo sipas qeverisë, në të mirë të shqiptarëve, që të kenë logon e tyre në qiell e meqë shteti është i varfër, t’i drejtohemi pa asnjë dyshim privatit të përzgjedhur nga qeveria. Në këtë mjegull të zakonshme që pushteti ideon rregullisht, do të publikohej edhe fakti se, “Turkish Airline” ka deklaruar më 12 shtator në Bursën e Stambollit se, kompania e re do të ketë kapital deri në 30 milionë dollarë. Një shifër jashtëzakonisht e lartë krahasuar me atë të deklaruar nga pala shqiptare. Sipas dokumenteve të QKR-së, kapitali i deklaruar themeltar i kompanisë shqiptare është 100 mijë euro. Ndërsa Albcontrol ka vetëm 10% pjesëmarrje në bashkëpronësi. Por është po i njëjti pushtet, që përzgjodhi ekzaktësisht këtë privat, pa asnjë procedurë transparente, duke deklaruar përvuajtshëm varfërinë e vet përballë dëshirës së paepur për të bërë shqiptarët me logo shqiptare (ende e paprovuar).

Ngjan e çuditshme se si në varfëri të tillë të deklaruar, është qeveria që nuk respekton as programin e deklaruar në zgjedhje dhe vendos prioritete ad-hoc, se çfarë u duhet më parë shqiptarëve. Pa deklaruar se sa e si do të përfitojnë shqiptarët dhe si e bëri këtë zhvendosje prioritetesh, si e përzgjodhi kompaninë që për të na shpëtuar nga varfëria e shtetit, do zbrazë mirë xhepat e shqiptarëve.

Nuk ka nevojë për shembuj të tjerë të zbërthimit të filozofisë së këtij pushteti, për të qeverisur. Pa asnjë garë, transparencë, pa studime e konsultime publike, me ligje të posaçme nëse do, qeveria përcakton se cili privat ose oligark do të vërë dorë në të mirën publike, me argumentin bazik se shteti është i varfër e nuk garanton dot investime të mëdha publike. Por qeveria nuk merr përsipër të të thotë si i zgjedh sektorët e investimeve, pse ato me më pak vlerë të shtuar, që nuk sigurojnë zhvillim e produktivitet afatgjatë, pse nuk ia le konkurrencës, garës së hapur e transparente përzgjedhjen e kompanive që do t’u lërë pasurinë e shqiptarëve në dorë, pse shteti tërhiqet aty ku është vetë garantuesi më i mirë, për shkak se vetëm zoti mund të mbajë sjelljen irracionale të individit, në raport me pasurinë publike. Dhe të gjitha psetë, mund të bëhen kudo, në rrugë në protestë, në një kënd arti - si në rastin e rezistencës për teatrin - në vendngjarje - siç ndodhi me tarifën për Rrugën e Kombit. Dhe reagimet vijnë, shembujt janë, nëse nuk ke ndarë mendjen të protestosh duke ikur nga ky vend, bëji pyetjet kudo e kurdo, bashkohu me të ngjashëm, gjej kauzën tënde dhe rreshtohu! Këto pyetje nuk janë as partiake, e as militanteske, por janë thelbi i ekzistencës tënde, janë arsyeja për të mos qenë “meny” në tryezën e të babëziturve. Nëse ende nuk je bindur se kjo është filozofia e zhvatjes tënde, prit atëherë, se kjo qeveri nuk rresht së të ofruari shembuj flagrantë! Ama, mos harro, të mohosh ekzistencën e fantazmave, thjesht i bën ato më të mëdha!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: