Në Shqipëri ndërtimi nuk ndalet, në Evropë sa vjen dhe dobësohet

Në Shqipëri ndërtimi nuk ndalet, në Evropë sa vjen dhe dobësohet
Në Shqipëri duket se aktiviteti i ndërtimit nuk njeh të ndalur, ndërsa në Evropë ai sa vjen dhe dobësohet. Një dukuri të tillë e konfirmojnë të dhënat më të fundit krahasimore mes lejeve që jepen për të ndërtuar në vendin tonë dhe atyre në vendet evropiane. Duke treguar kështu një diferencë të madhe mes dy “botëve”, nga njëra anë e jona ku ende ndërtimi si i tillë konsiderohet të jetë një sektor i fortë për ekonominë dhe nga ana tjetër, ajo evropiane që po tregohet më e kujdesshme sa i përket atij.

Konkretisht, të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave në Shqipëri tregojnë se vetëm për tremujorin e dytë të këtij viti janë lëshuar gjithsej 270 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga vetëm 197 të tilla të dhëna në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar. Duke folur kështu për një rritje aspak të vogël, por deri në nivelin deri në 37.1% të tyre.

“Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2018, është rreth 292.895 m2, nga rreth 229.387 m2 miratuar në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar një rritje prej 27.7%”, vlerësojnë në të njëjtën kohë ekspertët e INSTAT-it shqiptar. Ndërsa nga ana tjetër, ata të Institutit Evropian të Statistikave (Eurostat) kanë pohuar së fundmi se është shënuar “një rënie në sasinë e sipërfaqes të specifikuar në lejet e reja të ndërtimit”.

Madje ata shkojnë edhe më tej, duke e konsideruar këtë si një paralajmërim të hershëm të një krize të afërt ekonomike. “I ashtuquajturi "Indeksi i zonës së dyshemesë", i cili mat trendet e tokës që përdoret për punë ndërtimore, ka shënuar një rënie të tij si në vendet e Bashkimit Evropian, edhe ato të Eurozonës  në tre vitet e fundit”, cilësojnë ata.

 

Paradoksi: Po ndërtohet më shumë në vendet me probleme ekonomike

Në vendet që kanë probleme ekonomike po ndërtohet më shumë, sesa në vendet me zhvillim të konsoliduar ekonomik. Kjo është një dukuri tjetër që bie në sy nga të dhënat krahasimore mbi lejet e ndërtimit si të tilla në kontinentin  e vjetër, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Kështu, gjithmonë sipas Eurostat-it, shifrat tregojnë se indeksi i hapësirës së lejuar për të ndërtuar është rritur në vende të tilla si Spanja, Hungaria apo Irlanda dhe ulur në vende të tjera si Britania e Madhe, deri në nivelin prej -8%. Konkretisht, sipas Eurostat, në Spanjë, indeksi në fjalë ka arritur një rritje të tij deri në nivelin prej 166%, në Hungari deri në 121% dhe në Irlandë deri 106%. Duke folur kështu qartë për një “boom” të ndërtimit si i tillë, njësoj si edhe në Shqipëri, ku megjithë problemet që mund të ketë patur ky sektor në ecurinë e tij, kjo e fundit duket se nuk është ndalur asnjëherë. E duke dëshmuar kështu për kontributin e shtuar që ai po i jep ekonomisë vendase, njësoj si edhe në vendet e lartpërmendura evropiane, ku ende vazhdon të ndërtohet me shpejtësi të lartë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: