Mbetjet, shqiptarët po prodhojnë më shumë dhe po përpunojnë më pak

Mbetjet, shqiptarët po prodhojnë më shumë dhe po përpunojnë më pak
Në Shqipëri, po prodhohen gjithmonë e më shumë mbetje dhe po përpunohen më pak. Kjo është situata më e fundit që raportohet zyrtarisht rreth tyre. Konkretisht, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT) rezulton se gjatë vitit të kaluar në vend janë përpunuar më pak mbetje, krahasuar me një vit më parë.

“Në vitin 2017 rezulton të jenë menaxhuar 1,2 milionë ton mbetje nga 1,3 milionë ton në vitin 2016, duke shënuar një rënie me nivelin prej rreth 3,6%”, saktësojnë lidhur me një dukuri të tillë ekspertët e INSTAT-it. Duke shtuar nga ana tjetër edhe faktin se vjet në vend janë prodhuar më shumë mbetje për çdo banor.

“Sasia vjetore e mbetjeve të gjeneruara për banorë, në shkallë vendi, në vitin 2017 ishte 386 kg për banor, nga 373 kg për banor që ishte në vitin 2016”, vlerësojnë ata. Për të përforcuar edhe më shumë në këtë mënyrë situatën e rënduar që qytetarët ndeshin çdo ditë në përditshmërinë e tyre me mbetjet, apo plehrat që i rrethojnë në mjediset e përbashkëta.

Pikërisht për një arsye të tillë, shpesh në qendër të debateve publike është vënë kohët e fundit edhe çështja e përpunimit të tyre, porse të dhënat tregojnë që gjithsesi, nuk ka ndonjë përmirësim të këtij treguesi.

“Në vitin 2017, sasia e mbetjeve jo urbane të menaxhuara bashkë me ato urbane ishte 11% ndaj totalit, nga 17% që ka qenë në 2016, duke shënuar një rënie me nivelin prej 6%”, argumentojnë më tej ekspertët e INSTAT-it, duke paraqitur kështu përmes shifrash situatën në fjalë. Dhe duke i shtuar asaj pohimin tjetër se “niveli i mbulimit të popullatës me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane ishte 68,9% në vitin 2017, duke shënuar rritje prej 0,2%, krahasuar me të njëjtin tregues në vitin 2016”.

 1,2

Milionë ton mbetje në rang vendi u menaxhuan gjatë vitit të kaluar, krahasuar me 1,3 milionë ton në vitin pararendës 2016, duke shënuar një rënie me nivelin prej rreth 3,6%

386

Kilogramë për banor, nga 373 kilogramë për banor që ishte në vitin 2016, rezultoi të ishte gjatë vitit të kaluar sasia vjetore e mbetjeve të gjeneruara për banorë në shkallë vendi

 

 Më pak mbetje të depozituara në landfille, më shumë të ricikluara

Një dukuri tjetër që bie në sy, lidhur me mbetjet në Shqipëri është edhe ajo e pakësimit të sasisë së atyre që po depozitohen në landfille për përpunim. “Në vitin 2017 u depozituan 77,5 % e sasisë totale të mbetjeve në landfille, ndërsa në vitin 2016 u depozituan 77,7 %, duke shënuar një rënie rreth 0,2 % të sasisë totale të mbetjeve të menaxhuara në shkallë vendi”, saktësojnë ekspertët e INSTAT-it, lidhur me një dukuri të tillë, teksa japin edhe shifrat konkrete rreth saj.

Gjithsesi, sipas tyre ajo që bie në sy është niveli në rritje i riciklimit të mbetjeve. “Në vitin 2017, u ricikluan 17,4% e sasisë totale të mbetjeve, kurse në vitin 2016 u ricikluan 17,2%”, thonë ata rreth kësaj. Teksa shtojnë më tej edhe dukurinë e shtimit të sasisë së mbetjeve që po digjen nëpër inceneratorë. “Në vitin 2017, janë trajtuar me djegie në incenerator për qëllime energjetike rreth 1,8% e sasisë totale të mbetjeve, duke shënuar kështu rritje të këtij treguesi me 1,1%, krahasuar me të njëjtin tregues në vitin 2016”, citojnë ekspertët rreth kësaj.

 

Shteti s‘po merret më me mbetjet, po ia lë privatit

Shteti shqiptar duket se nuk po merret më si më parë me problematikën e menaxhimit të mbetjeve. Por duket se një shërbim të tillë, po e lë gjithmonë e më shumë në dorë të privatit. Kjo dukuri faktohet edhe nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rezulton se

gjatë vitit të kaluar ka pësuar rënie numri i subjekteve publike që merren me një proces të tillë. “Struktura e subjekteve që menaxhojnë mbetje mbështetur në fonde publike në vitin 2017 ishte 47% nga 52,7% që ishte në vitin 2016”, citojnë ekspertët e INSTAT-it. Duke shtuar se nga ana tjetër, vërehet rritje e menaxhimit të mbetjeve me 2,8 % të subjekteve persona juridikë privatë krahasuar me 2016. “Gjithashtu, në menaxhimin e mbetjeve subjektet persona fizikë privatë kanë shënuar një rritje me 2,9 % kundrejt vitit 2016”, vlerëson mes të tjerash INSTAT.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: