Mallrat shqiptare, dyndja më e madhe drejt Kosovës, Spanjës dhe Gjermanisë

Mallrat shqiptare, dyndja më e madhe drejt Kosovës, Spanjës dhe Gjermanisë
Vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe gjatë muajit gusht 2018 janë: Italia (-6.3%), Maqedonia (-18.2%) dhe SHBA-të (-18.1%). Kurse në tërësi për 8 muajt e parë të këtij viti rezultojnë se janë Kina (-30.5%), Turqia (-6.1%) dhe Ukraina (-53.0%)

Janë tre vende në Evropë, të cilat gjithmonë e më shumë po preferojnë të tërheqin mallra nga Shqipëria. Kosova, Spanja dhe Gjermania rezultojnë të jenë pikërisht vendet ku eksportet shqiptare kanë shënuar rritjen e tyre më të lartë. Teksa në vende të tjera tradicionale për diçka të tillë, si italia apo Maqedonia, ato kanë shënuar rënie të pranisë në tregjet e tyre.

Kjo është situata aktuale që autoritetet e statistikave shqiptare përcjellin për hartën e eksporteve tona dhe ndryshimet që ato kanë pësuar një muaj më parë, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas tyre, rezulton se Kosova ka blerë më shumë mallra nga Shqipëria se gjithë vendet e tjera, nga rreth 2 miliardë lekë në gushtin e kaluar, në mbi 2.8 të tilla gushtin e sivjetshëm. Nivel ky, i cili pasohet nga tregu spanjoll, ku duket se mallrat shqiptare po penetrojnë gjithmonë e më shumë, respektivisht deri në një vlerë prej 1.86 miliardë lekësh, nga vetëm 1.43 miliardë një vit më parë. Por edhe tregu gjerman mund të thuhet se po shfaq një interes më të shtuar se dikur për mallrat tona, teksa rezulton se ka një shtim të eksporteve të tyre për muajin gusht deri në nivelin rreth 30%.

Po çfarë u shesim më shumë këtyre vendeve?

Të dhënat tregojnë se produktet që po eksportojmë më shumë tek ato janë pikërisht të grupit “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”. Ku rritja më e madhe e tyre ka qenë sidomos drejt Gjermanisë, gati dyfishimi i tyre, krahasuar me të tjerët. Sikundër, rezulton se ne eksportojmë jashtë edhe mjaft mallra të kategorisë fason, apo edhe të kategorisë “ushqim, pije dhe duhan”, si dhe “Materiale ndërtimi e metale”. Për të treguar kështu, se ende Shqipëria është në fazën e eksporteve të mallrave të papërpunuara, ndërsa importon nga jashtë më shumë të përpunuara dhe të gatshme.

 

 Blejmë më shumë mallra nga Italia, Turqia dhe Maqedonia

Italia, Turqia dhe Maqedonia duket se janë tregjet nga të cilat shqiptarët preferojnë që të blejnë më shumë mallra. Këtë e tregon fakti, se pikërisht prej këtyre tre vendeve ka një numër më të lartë të importeve, krahasuar me vende të tjera.

Konkretisht, nga Italia ka një rritje të importit të mallrave në nivelin prej 0.3% gjatë muajit gusht të këtij viti. Kurse nga Turqia, ky tregues rezulton se është edhe më i lartë, deri në 11.6%, pasuar nga Maqedonia me një rritje deri në nivelin prej 29.6%.

Nga ana tjetër, Instituti i Statistikave referon se shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian zënë rreth 61.4 % të gjithë tregtisë që realizon vendi ynë.

“Në muajin gusht 2018, eksportet drejt vendeve të BE-së zunë 68.3% të eksporteve gjithsej. Kurse  importet nga vendet e BE-së zunë 58.5% të importeve”, konfirmojnë ekspertët e statistikave, lidhur me një dukuri të tillë.

 

 Italia dhe Greqia, mbeten partnerët kryesorë të vendit

Ata njihen si partnerët kryesorë dhe tradicionalë të vendit tonë gjatë tre dekadave të fundit. Por duket se po vazhdojnë që ta mbajnë ende “pjesën e luanit” të shkëmbimeve tregtare që realizon në përgjithësi vendi ynë me vendet e tjera të botë.

Fjala është pikërisht për Italinë dhe Gjermaninë, të cilat sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave, rezulton se kanë qenë partnerët kryesorë tregtarë, si për muajin gusht të këtij viti, edhe për gjithë tetë-mujorin e tij.

“Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (26.1%), Greqia (7.0%) dhe Kina (6.8%)”, konfirmon INSTAT për gushtin 2018. Ndërsa në tërësi për tetë-mujorin pohon se ato i kishin këto shifra në nivelet respektive prej 34.6% dhe 6.9%, duke dominuar në këtë mënyrë ndaj të tjerëve.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: