Makinat e prodhuara deri më 2009, si do ndalohet importi dhe ç’do bëhet me ato që kanë hyrë në Shqipëri

Makinat e prodhuara deri më 2009, si do ndalohet importi dhe ç’do bëhet me ato që kanë hyrë në Shqipëri
Zbardhet projektvendimi i qeverisë. Detajet se cilat makina do lejohen të importohen prej 1 janarit 2019 dhe cilat përjashtohen nga ky rregull

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, në Shqipëri nuk do të lejohet më importi i makinave të vjetra mbi 10 vite. Ky është thelbi i një projektvendimi të posaçëm që ministria e Mjedisit ka bërë tashmë gati dhe që u lançua në parim para pak ditësh nga kreu i saj, ministri Blendi Klosi.

I titulluar “Për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion që djegin me gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete”, ai parashikon me detaje konkrete sesi do të realizohet një proces i tillë. Por edhe faktin sesi makinat e vjetra që qarkullojnë sot, nuk do të dalin nga tregu, por do t’u jepet kohë që të përshtaten.

Në tërësinë e tij, ky projektvendim sqaron se ai do të zbatohet vetëm për mjetet motorike të kategorisë M (Ml, M2) për transport njerëzish dhe N (N1) për transport mallrash. Konkretisht, sipas tij, do të lejohen që të regjistrohen për  herë të parë për qarkullim në territorin e vendit, autoveturat e reja me zero kilometrazh dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Evropian. Por edhe mjetet motorike të tjera të reja si: motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe NI, me zero kilometrazh edhe ato, gjithashtu të paregjistruar më parë në asnjë shtet tjetër, po nën normën EURO 5. Sikundër, përcaktohet që edhe autoveturat e përdorura, duhet të jenë  prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri. Gjithashtu, edhe mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe Nl, (të gjitha ato që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Por nga ana tjetër, projekt-vendimi në fjalë bën me dije se ka edhe automjete që përjashtohen nga kjo masë, prej 1 janarit 2019. Cilat do të jenë ato?

Të parat, automjetet e hershme me interes historik dhe koleksionimi, të tilla si ato të prodhuara deri në dhjetor 1970. Apo edhe automjetet e prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë.

Pa harruar këtu as automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeore, ose kulturore dhe trashëgimi tradicionale.

 

Makinat e vjetra që kanë hyrë tashmë në Shqipëri, u lihet afat për procedurat

Të gjitha makinat, të cilat kanë hyrë në territorin shqiptar, me hyrjen në fuqi të projektvendimit në fjalë të qeverisë , por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 31 dhjetor 2018, për kryerjen e procedurave të nevojshme. Kjo është masa e posaçme që qeveria ka parashikuar pikërisht për kategorinë e makinave, të hyra në Shqipëri dhe figurojnë se janë me një afat mbi 10 vite. Kujtojmë se në lançimin e këtij projekti, ministri Klosi e pohoi faktin që makinat e vjetra të cilat qarkullojnë sot, nuk do të dalin nga tregu, por do t’u jepet kohë që të përshtaten. E njëjta gjë do të bëhet ndërkohë sipas tij, edhe për makinat që janë importuar dhe që janë stok, pra nuk janë targuar akoma, duke u lënë një afat prej 4-5 muajsh që ta realizojnë një gjë të tillë. Në këtë mënyrë, presupozohet që të zgjidhet njëherë e mirë problematika e makinave të vjetra që importohen prej vitesh në vendin tonë dhe që sipas ministrisë së Mjedisit kanë ndikuar në ndotjen e ambientit në tërësinë e tij.

 

4-5

Muaj është afati i caktuar nga projektvendimi i qeverisë për targimin e makinave mbi 10 vite, të cilat janë importuar tashmë në vendin tonë dhe që janë stok, pas hyrjes në fuqi të projektvendimit të ri për moslejimin më të importit të kësaj kategorie

Shpërndajeni me miqtë tuaj: