LUFTA NDIZET KU NUK KA ZJARR – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

LUFTA NDIZET KU NUK KA ZJARR – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Bota bën “sikur” ose është vërtet qorre kur “shikon” se në Ballkan, mund të ketë luftë... Në Ballkan nuk ka më luftë mes kombeve, ka vetëm luftë mes individësh - liderë, luftë se kush rrëmben copën më të madhe....

Por nuk ka zjarr...

Njerëzit, bash për këtë arsye ( se nuk ka zjarr), po shushatën e vështrojnë nga të gjitha anët se, “nga na vjen lufta?” As ka shkak, as ka arsye, as ka zjarr... Megjithatë, shumëkush sidomos liderët shtetërorë, flasin për “luftë të afërt”. Po çfarë ndodh?...

Është shumë e thjeshtë: Për arsyen se nuk ka “zjarr”, iu duhet të ndezin një luftë...

1.

Lufta e Kosovës dhe e Ballkanit kërcënon menjëherë pas prishjes së hartave dhe ndryshimit të kufijve shtetërorë.

Të gjithë paralajmërojnë ndezjen e luftës në Ballkan, në qoftë se preken kufijtë e Kosovës. Fillesa e rrezikut ndodhej në duar të dy presidentëve ballkanik: Vuçiçi i Serbisë dhe Thaçi i Kosovës. Nëse do të falej nga kombet, atëherë kjo do të ishte lufta e parë ballkanike dhe botërore që do të ndizej pa arsye. As kemi bashkim ballkanikësh kundër pushtimit osman, as luftë mes shteteve ballkanike, për shkak të pushtimit të një shteti tjetër, as vrasjen e Dukës së Habsburgëve... Nuk ka as luftëtarë, sepse popujt nuk duan të luftojnë...

Atëherë, vallë janë dy presidentët “armiq”, ata katallanët që dalin nga deti i qetë dhe ndezin luftën në breg?...

Jo. E gjithë lufta do të “ndizej” nga një barut i fikur. Si presidenti i Serbisë, Vuçiç, ashtu edhe presidenti i Kosovës, Thaçi, ndodhen në pozitat kur fuqia e pushtetit të tyre ka rënë.

Në Beograd, kriza ekonomike ka prekur të gjitha shtresat shoqërore; vitaliteti i kombit po bie për shkak të plakjes së popullsisë, nacionalizmat primitivë të onturazhit Sheshel, kanë zbehur dëshirën e rinisë për angazhim politik; qëndrimi i Republikës “as me Perëndimin, as me Rusinë”, e ka bërë shtetin ta marrë era... Nëse “nuk ka luftë”, atëherë pushteti i i Vuçiçit nuk mund të qëndrojë në këmbë. Por jo vetëm pushteti i Vuçiçit: Nuk mund të rezistojnë aleancat e premtuara gjysmëglobale mes Beogradit dhe Moskës...

Në Prishtinë, lufta i duhet vetëm Hashim Thaçit. Ky ka ardhur nga lufta e Kosovës me një background shumë të dyshimtë. Arsimimi ishte zero, kontributi në luftë thuajse zero, manovrat për të mos treguar këmbët - si gjarpër; udhëtimet në Shqipëri kanë lënë gjurmë dyshimi, deri edhe për vrasje; bashkëluftëtarët po dëshmojnë se gjatë luftës iu kërkonte t’i vrisnin vëllanë, sepse ishte “i UDB-së”. Por mbi të gjitha, ka rënë baza e tij politike, as partia e tij nuk voton më për të; korrupsioni familjar është në majë, etj... Vetëm një luftë do ta nxirrte nga “uji” ku i laget baruti.

Kombet janë kundër luftës, ndërsa vetëm dy vetë e duan. Kombet ballkanike, në luftërat e tyre, kanë humbur rreth 100 mijë njerëz dhe janë larguar miliona... Tani po endin prosperitetin e tyre, askush nuk ka punë me “zjarrin”...

Është shumë e thjeshtë: Edhe dy presidentët e dinë që prej fillimit se nuk ka luftë, por ndezin atë pikë baruti që u ka ngelur nga fuqia e pushtetit.

2.

Për luftë flasin edhe në zonat e paqes.

Opozita dhe qeveria në Shqipëri, duket se nesër do të “marrin armët”. Opozita ka deklaruar para dy ditësh, publikisht se, “kryeministri po luan me kokën e tij”. Edhe sot nga qyteti i Vlorës, ka deklaruar se “kjo është ora e fundit”.

Ekziston e njëjta skemë “lufte”,si në Mitrovicë dhe në Preshevë. Edhe këtu në Shqipëri, armiqtë opozitarë dhe qeveritarët shkëmbejnë territoret.

Territori i parë, Kuvendi.

Opozita ka dalë nga salla e Kuvendit dhe po bën një pelegrinazh politik nëpër Shqipëri. Opozita thotë se bën “kuvend paralel” - një fjalor që e hanë vetëm idiotët. Por opozita nuk është idiote; ajo e bën me qëllim, shkëmben territoret me qeverinë. Qeverisë i lë sallën e Kuvendit, ndërsa për vete opozita mban “arratinë”. Kur opozita të kthehet në “atdheun e ligjeve”, do të gjejë se qeveria ka miratuar ligjet që i duhen: Teatri, Reforma, Garda..., të gjitha çfarë konteston opozita. Epo, atëherë opozita do t’u thotë militantëve: “E bënë kur ne ishim në luftë maleve”.... Ky është shkëmbimi i territoreve dhe një luftë që nuk bëhet.

Territori i krimit

Të dy palët janë të inkriminuara, por në dy kohë; gjithnjë në dy kohë. Lufta që bëhet tani “kundër krimit”, bëhet në terren të përbashkët, por që teatrojnë sikur janë “territore të ndryshme”. Kryeministri i Republikës sot paraqiti një dokument që tregon se opozita e sotme kishte shitur Teatrin për një deputet të saj. Vetë opozita po bën lutën në territorin e “Teatrit”të sotëm... Kështu shkëmbehen “territoret”. Por krimi mbetet i njëjtë. Iniciativa për “vetting në politikë” është po kaq absurd sa edhe Mitrovica e Presheva. Vettingu as mund të realizohet, as mund të ketë fryt, as ka ndodhur në botë... Por megjithatë, këta flasin për “vetting në politikë”. Sepse në këtë lumë, si p.sh., në lumin Ibër, mbyten krimet e të dy palëve.

Territori i dytë, Vlora dhe Shkodra

Për herë të parë, opozita la Parlamentin dhe “u strehua” në Shkodër. Aty deklaroi se ka dalë për luftë “kundër krimit” që po zien në Parlament. Sipas zakonit të cubave të maleve, shkodranët menduan se, që në atë moment, opozitarët do të “hapen” fshatrave dhe gëmushave derisa të arrijnë në Tiranë e të rrethojnë Parlamentin “e krimit”. Në fakt, u kthyen me Mercedesë dhe me kostume luksi. Ideja e kësaj lloj lufte ishte e përbashkët, mes qeverisë dhe opozitës; si njëra dhe tjetra kishin humbur “terren” mes të devotshmëve të tyre. Ky është shkaku i luftës, jo vërtet krimi i përbashkët.

Për herë të fundit, opozita u mblodh në Vlorë. Vlora “i takon” Edi Ramës - si kryeministër dhe si vendlindje. Por edhe si zhvillim urban: Tani Vlora i ngjan një qyteti perëndimor, edhe për arsye se ka marrë thuajse gjithë investimet e vendit. Opozita, në thelb, bëri pelegrinazh në një qytet të ndërtuar bukur “nga Rama”. Që këtu bien të gjitha kërcënimet e opozitës, që nga “qyteti i Ramës”.

Arketipi i shkëmbimit të territoreve në luftën e politikës së Tiranës, mbetet përsëri “Vlora”, saktësisht një copë bregdeti në Ujin e Ftohtë. Aty, vjehrri i Bashës së opozitës, kishte ndërtuar një pallat, “aty ky nuk ndërton njeri”... Qeveria Rama e shembi dhe tani duket se “s’ka pasur kurrë ndërtim”. Platformën e pallatit e kanë ruajtur për të zgjatur lungomaren ose si kujtim... Edhe miliona dollarë janë akorduar si dëmshpërblim i shtetit për familjen e kryetarit të opozitës...

Ja kështu është arketipi: Në territorin e njërit ndërhyn tjetri; pastaj tjetri përjetëson atë që prishi dhe, më në fund, i humburi shpërblehet me miliona dollarë...

Për të arritur në këtë arketip, bëhen luftërat...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: