KULTI I INDIVIDIT! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

KULTI I INDIVIDIT! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Kulti i individit është një formë elozhesh sociale që në përgjithësi konfigurohet në devotshmërinë absolute ndaj një lideri, politik ose fetar qoftë, përmes fryrjes së mendimeve ose zotësive të tij, deri në pikën ku konsiderohet i pagabueshëm. Për fryrje konsiderohet obsesioni në shfaqjen në masmedia nga “dishepujt”, në mënyrë egocentrike, gati-gati si një reklamë publicitare.

Kulti i individit, në përgjithësi, është normë e shteteve totalitare, e kombeve që kanë provuar revolucione. Reputacioni i një individi të vetëm, “çlirimtar” dhe “udhërrëfyes” të turmës, i ngre këto personalitete deri në divinitet. Imazhet e tij ose saj shfaqen kudo, dikur në statuja e monumente, sot në filmime e foto. Niveli i “adhurimit” arrin deri në maja absurdi dhe kanë për qëllim paraqitjen e personalitetit politik ose fetar si sinonim të “shpëtimit” kolektiv.

Ky është një përshkrim i përqendruar i asaj çfarë shkruhet e thuhet për kultin e individit, një paranojë kolektive që ka sjellë diktaturat dhe ka ngritur në piedestal, shpesh, njerëz që kanë lënë gjurmë të rënda në historinë e kombeve. Nuk ka asnjë lidhje me personalitet e forta ose gjenitë e politikës ose fesë, nuk ka asnjë lidhje as me ndikimin e një lideri në ndjekësit e tij, as nuk ka lidhje me zotësinë e liderit për të shprehur ide dhe ndërmarrë nisma ose reforma me vizion. Është mënyra më e shkurtër për të shndërruar një personalitet të politikës në një idhull, por pa i lënë kohën e nevojshme për të qenë me një bazë dhe brumosje të duhur.

Shqipëria ka vuajtur shpesh dhe gjatë nga sindroma e “kultit të individit”, e ka pësuar nga kjo sindromë, deri në atë pikë sa që ndjekja me devotshmëri sy-qorrazi ka shkuar deri në mini-realitete si ndaj një drejtuesi biznesi, ndaj një këngëtari ose aktori, ndaj një botuesi gazete, ndaj një pronari televizioni. Nuk kam një shpjegim të qartë se nga vjen kjo mani për të ndërtuar këtë kult ndaj një individi, duke e anashkaluar plotësisht dialogun për të parë se ku gabon e ku fiton dikush që presupozohet të na drejtojë. Por ajo që historia duket se nuk ka arritur të na japë si leksion është se turma adhuruese, përveç dëmeve që i ka shkaktuar shoqërisë me ndërtimin e kësaj mendësie, ka dëmtuar si bumerang veten dhe mirëqenien e saj e në fund, ka dëmtuar thellësisht vetë “idhullin”. Por Shqipëria nuk është më diktaturë, të paktën jo “de jure”. Por cili është ndryshimi mes propagandës së dikurshme të udhëheqësve komunistë, me sloganet e tyre nëpër mure, ekranin e vetëm televiziv, fotot e tyre me detyrim nëpër mure, shallet e kuq të pionierëve me propagandën e tanishme që po shkon në veleritje, me shpërndarjet në masë e me komandë të fjalimeve, fotomontazhet me thënie e pjesë fjalimesh, monologje aktoriale në salla teatri, e kjo nga të dyja kahet e politikës? Asnjë ndryshim, përveç faktit se tani është liria e diskutimit të kësaj teme. Ne rrethohemi nga simbolet, të cilat na dalin përpara çdo ditë e të cilat luajnë me subkoshiencën tonë. Ashtu si ngjyra e purpurt që erdhi bashkë me rilindjen e së majtës, por që, edhe pse e shamë pa fund, e veshëm me qejf në fustanet tona ose e zgjodhëm nëpër mobilie. Ashtu si ngjyra portokalli që “rilindi”  të djathtën, në emër të reformimit opozitar, por që paralajmëroi dhe më pas kreu “operacionin fshesa” të memories historike të një partie që solli demokracinë në vend. Sot, nëse hap rrjetet sociale, gjen, të shpërndarë në masë “ushtarakisht”, fotot e thëniet e kryeministrit, fotot e thëniet e kryeopozitarit, monologjet prekëse të liderëve ose lidereve në tentativë, ministrat që “vuajnë me shpirt” për fëmijët pa libra ose të sëmurët e pavioneve, kryetarë bashkish që “prijnë” eksperimentet me qytetet tona, pa na pyetur. Pra ku është sot dallimi me diktaturën dhe demagogjinë e saj? Pa kohë për reflektim, pa sy për të bërë dallimin, të dehur nga bukuria, ngjyrat, veshjet, dritat, filtrat, efektet kompjuterike që na serviren, turma po manipulohet pafundësisht, si një elektorat që ka humbur identitetin dhe forcën arsyetuese. Rrjedhimisht, forcën ndryshuese në një realitet që dhëmb.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: