KUFIJTË E KOSOVËS, ÇËSHTJE E TË GJITHË SHQIPTARËVE – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

KUFIJTË E KOSOVËS, ÇËSHTJE E TË GJITHË SHQIPTARËVE – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Prej muajsh zien debati, nëse duhen ndryshuar kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë. Janë deklaratat e katër politikanëve të rëndësishëm që e kanë çuar diskutimin në një pikë delikate. Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiç, John Bolton dhe Angela Merkel, pothuajse bien dakord për ndryshim kufijsh, por me kushtin që të mos sjellin tensione. Një analizë dhe një pikëvështrim ndryshe, mbi çështjen e kufijve

Rreth vitit 1900 në Serbi, disa juristë vendas po përgatisnin një ligj për flotën detare. Kur dikush i pyeti, përse po bëhej kjo kur Serbia nuk kishte dalje në det, përgjigjja e tyre ishte: Dikur Serbia kishte dalje në dy dete. Pikërisht, ne po punojmë që një gjë të tillë ta kemi në të ardhmen. Më 24 shtator 2007, Parlamenti serb miratoi një ligj sipas të cilit të gjithë serbët që jetojnë jashtë Serbisë, marrin nënshtetësinë serbe. Mjaftojnë këto dy ngjarje reale për të kuptuar dhe vërtetuar se serbët asgjë nuk e bëjnë kot.

Tashmë, korrigjim, ndryshim ose këmbim, situata është bërë reale. Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit të Kosovës, është në negociata e takime dhe si përfaqësues i institucionit më lartë të shtetit që drejton, duke përdorur disa herë terma të tillë, duke i mohuar ata, e më pas, duke gjetur terma të tjerë. Me një fjalë, çdo gjë po rrotullohet në këtë pikë që të gjithë presin me ankth se, kur mund të ndodhë ndryshimi i kufijve. E gjithë panorama e këtij mega-diskutimi është e pasqyruar në ato që kanë thënë katër personazhet më të rëndësishëm politikë, të lidhur ngushtësisht me këtë çështje, por që janë vendimtarë edhe në vendimmarrje. I pari është i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ndoshta artikulimi më i qartë i asaj që është i angazhuar, ai ka qenë më 23 gusht 2018 kur në faqen e Facebook-ut shkroi:

“Jo ndarje të Kosovës, por po shkëmbimit të territoreve”, ishte qëndrimi realist dhe i guximshëm i presidentit Ibrahim Rugova në vitin 1994. Ndërsa, qëndrimi im sot si president i Republikës së Kosovës ka evoluar dhe është i qartë: jo ndarje, jo shkëmbim, po korrigjim të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të mundësuar bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën”.

I dyti është i presidenti të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili më 17 gusht tha:

“Unë jam në favor dhe kjo është politika ime, për ndarjen me shqiptarët, sepse të kemi një territor që nuk dihet se kush e trajton atë dhe çfarë i përket, është gjithmonë një burim konfliktesh të mundshme. Nuk e fsheh një synim të tillë, por nuk dihet nëse këtë do ta pranojë populli serb apo jo; nëse do të ketë sukses, kjo nuk varet vetëm nga Serbia”.

Më pas ishte John Bolton, këshilltar për Sigurinë Kombëtare të Presidenti të SHBA-së, Donald Trump. Vetëm një ditë pas asaj që Hashim Thaçi artikuloi “ndryshimin e kufijve”, John Bolton tha:

“Politika e SHBA-së është e tillë që, nëse të dyja palët gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre dhe arrijnë një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë edhe korrigjimet territoriale”.

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, është deklarata e kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, më 28 gusht:

"Ne natyrisht përkrahim të gjitha bisedimet që çojnë në zgjidhje, por në të njëjtën kohë themi se, integriteti territorial është një rehati e çmueshme që e kemi”. Natyrisht mbështesim të gjithë bisedat që mund të çojnë në qëllimin, por në të njëjtën kohë themi se integriteti territorial, ashtu siç është momenti, është një mall i çmuar",

Në fakt, në këtë situatë ka një paradoks. Kosova, Europa dhe SHBA diplomatike ziejnë, ndërkohë që vetëm në Shqipëri ose flet me zë të ulët, ose nuk flet fare. Kur shprehen, politikanët tanë në Tiranë, flasin si të ishte një shtet në Hënë. Terma të tillë si “Dialog konstruktiv”, “duhet maturi”, “paketa e Ahtisarit”, etj., na kujtojnë po ata politikanë shqiptarë që, ndërsa Kosova po shkonte drejt pavarësisë, ata artikulonin ende termat e vjetër autonomi brenda Serbisë.

Por kundërshtimi që i vjen nga shumë aktorë të klasës politike së Kosovës, duhet t’i vijë edhe nga pjesa tjetër e trojeve shqiptare. Vërtetë Kosova është shtet më vete, por Kosova është pjesë e kombit shqiptar të copëtuar padrejtësisht nga kjo Serbi, me bekimin e fuqive të mëdha Anglia, Franca, Gjermania. Gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit të Britanisë së Madhe, Toni Blair, më se një herë e ka thanë me fjalimet e veta gabimin e madh që kanë bërë paraardhësit e tij, veçanërisht ministri i Jashtëm, Edward Gray, kur e realizoi këtë copëtim më 1913, kur vilajeti i Kosovës pa asnjë të drejtë iu dha Serbisë. Si model i ngjashëm, është rasti i Gjermanisë. Më 1949, u nda në Gjermani Perëndimore ose Republika Federale e Gjermanisë dhe në Gjermani Lindore ose Republika Demokratike e Gjermanisë. Dhe në vitin 1989, u bashkuan sërish. Edhe kur u ndanë edhe kur u bashkuan, proceset kaluan në kundërshtime të mëdha sidomos bashkimi. Por ky bashkim nuk erdhi si pasojë e dëshirës së një ose dy politikanëve. Bashkimi i dy Gjermanive më 3 tetor 1989, erdhi si pasojë e dëshirës së madhe të popullit gjerman. Ishte ai që vendosi edhe pse Franca, Anglia dhe shumë shtete të tjera, e kundërshtuan fort.

Nisur nga kjo logjikë, mund të themi se Hashim Thaçi nuk e ka të vetëm tagrin për kufijtë Kosovës, por edhe të kombit mbarë. Ajo që na bën përshtypje, është shpërfillja e Shqipërisë dhe indiferenca që tregojnë politikanët shqiptarë në Shqipëri. Vërtetë kemi dy shtete, por kombi është një dhe nuk është vetëm Kosova ose vetëm Shqipëria. Kufijtë tanë realë nuk janë të shteteve, por të kombit tonë dhe si të tillë çdo centimetër tokë e Shqipërisë dhe çdo centimetër tokë e Kosovës, janë çështje të të gjithë kombit. Rrjedhimisht, të ndryshohen ose jo kufijtë, të japim ose marrim troje etnikë shqiptarë, kjo nuk është as në dorën e Thaçit e as në dorën e Ramës. As në dorën e Bashës dhe as në dorën e Berishës dhe Metës. Ajo është një zgjidhje mbarëkombëtare e të gjithë popullit shqiptar.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: