Koncesion i ri, karburanti edhe 20 lekë më shtrenjtë

Koncesion i ri, karburanti edhe 20 lekë më shtrenjtë
Një tjetër shërbim shtetëror jepet me koncesion, kontrolli i pompave në pikat e karburantit do t’i kalojë privatit. Qeveria nis procedurat, biznesi e kritikon ashpër. Çmimi për litër pritet të shkojë 200 lekë, ose dy herë më shumë se në Maqedoninë fqinje. Akciza, taksa e qarkullimit, ajo e karbonit, TVSH, skanimi dhe markimi, shteti merr 100 lekë për çdo litër. Konfindustria: Rrezikohet që të kalohet në monopol me pasoja të rënda për qytetarët. Dyshimi i bizneseve: “Nëse shteti ka patur probleme me sasinë, nesër privati që do të kontrollojë privatin dhe do paguhet prej tij, çfarë garancie do t’i japë konsumatorëve?

Kontrolli i pompave në pikat e karburantit, një shërbim më shumë që së shpejti nga shteti pritet t’i kalojë privatit. Kjo, pasi qeveria ka hapur garën për këtë koncesion të ri, ku privati do të kryejë pikërisht shërbimin të cilin deri tani e kryente drejtoria e Metrologjisë.

E gjitha kjo, ka nisur që të kundërshtohet nga kategoria e biznesit, sipas të cilit, është e tepërt, derisa është kryer nga shteti. Për më tepër, ai pohon se kjo do t’i faturohet konsumatorit, në çmimin me të cilin ai do të blejë prodhimet e naftës.

Konkretisht, sipas burimeve të “Albanian Free Press” nga bizneset që i tregtojnë ato, bëhet fjalë për një shtesë deri në 20 lekë në çmimin e çdo litri benzine apo nafte.

“Natyrisht që kjo masë e re do të referohet në çmim. Ku do të shkojë tjetër”, pohojnë ata. Teksa përmendin faktin se deri tani, vetëm nga taksat aktuale, biznesi i karburanteve i paguan shtetit 100 lekë.

Fjala është respektivisht për akcizën, taksën e qarkullimit, atë të karbonit, pa harruar këtu edhe TVSH-në, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Vlerë kjo që pritet të rrumbullakoset sipas tyre deri në 120 lekë për çdo litër, në varësi të kontratës që shteti do të finalizojë me koncesionarin, për shërbimin e kontrollit të sistemit të aparateve matës të shitjes së karburanteve.

Kështu, nëse çmimi aktual i produkteve të naftës vërtitet në kufirin e 170 lekëve, me koncesionin e ri ai do të bëhet deri 190 lekë për çdo litër.

Aktualisht, çmimi i një litri benzine shkon deri në 177-178 lekë litri, kurse ai i naftës 10 lekë më pak.

Kujtojmë nga ana tjetër, se sektori i naftës i nënshtrohet tashmë edhe një koncesioni tjetër, siç është ai i skanimit dhe i markimit, shumë i diskutuar edhe ky në kohën kur u vendos, për koston e shtuar që krijoi tek biznesi përkatës, e rrjedhimisht edhe tek konsumatori.

 

100

Lekë për çdo litër karburant është kostoja fiskale që një biznes paguan aktualisht në Shqipëri, për akcizën, taksën e qarkullimit, atë të karbonit, pa harruar këtu edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar

20

Lekë për çdo litër karburant është shtesa që pritet të faturohet nga biznesi më shumë mbi çmimin aktual të tij, pas zbatimit të koncesionit të ri për  shërbimin e kontrollit të pompave

 

“Shërbimi deri tani nga Drejtoria e Metrologjisë. Privati pse duhet?”

“Problemi tjetër është fakti se sot ky shërbim është i zgjidhur, pasi kontrolli i pompave bëhet nga drejtoria e Metrologjisë, e cila ka investuar miliona euro për pajisje dhe ka qindra punonjës të specializuar. Po këta të privatit përse duhen?”. Kjo është një tjetër pyetje që ekspertë të sektorit të karburanteve ngrenë për “Albanian Free Press”, duke ngritur kështu pakënaqësitë dhe dyshimet e tyre rreth koncesionit të ri për pompat në pikat e shitjes. Sipas tyre, i gjithë propozimi që ka kërkuar koncesionari është 60 milionë lekë të reja, për investimin që do të bëjë, në një kohë kur këtë investim e ka bërë shteti, pra drejtoria e Metrologjisë, duke qenë ajo përgjegjëse për të kontrolluar sasinë e peshave. “Nëse shteti ka patur probleme me sasinë, nesër privati që do të kontrollojë privatin dhe do paguhet prej tij, çfarë garancie do të të japë ty si konsumator se do ta bëjë më mirë? “, është një tjetër pyetje që ata ngrenë. Teksa nuk harrojnë të përmendin edhe shqetësimin tjetër, se si grup interesi nuk janë pyetur fare prej qeverisë para se të ndërmerrte një hap të tillë.

 

Konfindustria: Rrezikohet që të kalohet në monopol me pasoja të rënda për qytetarët

“Në mungesë të masave kontrolluese, rrezikohet të kalohet në monopol privat me pasoja të rënda për qytetarët, bizneset, buxhetin e shtetit dhe konkurrencën ndërmjet operatorëve”. Ky ka qenë reagimi zyrtar i organizatës së njohur të biznesit, Konfindustria, dje lidhur me hapjen e garës për koncesionin më të ri në sektorin e naftës, atë për kontrollin e sasisë së shitjeve të tyre. Teksa përmend faktin se “abuzimi me volumet në shitje të karburanteve ndaj qytetarëve dhe bizneseve vlerësohet në vlerat prej 20-25 milionë euro në vit”. Por edhe atë që tregu i karburanteve është më i madhi në vend me mbi 10% të PBB-së dhe vlerë absolute mbi 1 miliardë euro në vit. “Konfindustria shpreh shqetësimin, se pavarësisht zotimit të qeverisë për të ndaluar në muajin shtator 2018 të praktikave të dhënies së koncesioneve të pakërkuara, përsëri vazhdohet në të njëjtën mënyrë. Institucionet ndërkombëtare si FMN dhe BE kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur dhënien fund të koncesioneve të pakërkuara”, citon më tej Konfindustria.

 

PD: Koncesioni i ri i Ramës, ekonomia po mbetet në pak duar

Koncesioni i fundit i dhënë nga qeveria për kontrollin e pompave të karburantit, pas kategorisë së biznesit është denoncuar edhe nga Partia Demokratike. Përmes deputetes së saj, Izmira Ulqinaku, kjo forcë politike citoi se “nga kasat dhe pajisjet e reja fiskale që do t’i kushtojnë secilit biznes të paktën 600 euro, shumë shpejt shqiptarët do të paguajnë akoma më shumë edhe për karburantet”. “Aktualisht, ky është një shërbim shtetëror, por korrupsioni në qeveri ka vendosur që t’ia kalojë atë privatit, i cili do të vendosë cilat pompa karburantesh i vjedhin shqiptarët dhe cilat pompa nuk i vjedhin”, tha ajo.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: